Në kuadër të operacionit antidrogë policia italiane ka vënë këtë herë në pranga një 40-vjeçar shqiptar në Stezzano, të Italisë, pasi në makinën e tij iu gjet një një sasi prej 40 gram drogë e tipit kokainë.
Sipas mediave vendase mësohet se arrestimi i 40-vjeçarit u bë rreth orës 22:00 të mbrëmjes së të premtes pas lëvizjeve të dyshimta të tij, ku shërbimet antidrogë të policisë identifikuan dhe ndalën një mjet tip Fiat 500. Gjithashtu, bëhet e ditur se nga kërkimet në automjetin Fiat, policia gjeti fillimisht 40 gram kokainë të ndarë në 29 pjesë, e gatshme për t'u shitur si edhe 8 mijë euro, të cilat janë konsideruar si të përfituara në mënyrë të paligjshme nga shitja e lëndëve narkotike.
Mësohet se policia italiane ka vazhduar më tej kërkimin në banesën e shqiptarit, ku ka bërë të mundur edhe gjetjen e një sasie tjetër të konsiderueshme droge, rreth 150 gram kokainë e ndarë në 18 pako e fshehur brenda një vazoje qeramike në dhomën e ndenjës.
Gjatë punës kërkimore policia gjeti në një sirtar të kuzhinës në banesën e 40 vjeçarit edhe dy peshore elektronike dhe materiale të ndryshme për paketimin e narkotikëve.
Ndërkohë, bëhet e ditur se grupi hetimor dhe policia italiane po vazhdon punën për zbulimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirtë në këtë aktivitet kriminal.