CNN, MS NOW dhe Politico kanë njoftuar se do të padisin administratën e presidentit Donald Trump, pasi gazetarëve të tyre u ndalua hyrja në Shtëpinë e Bardhë.
Tre mediat kanë paralajmëruar se do t’i drejtohen Gjykatës Federale në Uashington, duke argumentuar se vendimi shkel të drejtat e garantuara nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës së SHBA-së dhe cenon lirinë e shtypit.
“Këtë mëngjes, ne e njoftuam qeverinë se po ngremë një padi sot për të mbrojtur të drejtat tona të Amendamentit të Parë dhe për të mbrojtur parimin se qeveria nuk vendos se çfarë raporton ose publikon shtypi”, thanë organizatat e lajmeve në një deklaratë, duke iu referuar amendamentit kushtetues të SHBA-së që garanton një media të lirë.
Sipas draftit të padisë, akreditimet e gazetarëve janë revokuar pa njoftim dhe pa një proces të rregullt ligjor. Mediat pretendojnë se vendimi është marrë për shkak të raportimeve që administrata i ka konsideruar negative.
"Pa njoftim apo proces, Shtëpia e Bardhë ua revokoi akreditimet gazetarëve tanë sepse kundërshtoi raportimin tonë. Nëse lihet e padiskutuar, kjo kërcënon lirinë e shtypit dhe të drejtën e publikut për gazetari të pavarur, të lirë nga ndërhyrja e qeverisë", shtuan ata.bota
Përplasja vjen pasi Trump deklaroi se nuk kishte pse t’i lejonte disa media të hynin në Shtëpinë e Bardhë, duke kritikuar raportimet e tyre. Tre organizatat mediatike thonë se kufizimi i aksesit dëmton jo vetëm gazetarët dhe mediat e përfshira, por edhe të drejtën e publikut për të marrë informacion të pavarur mbi aktivitetin e qeverisë.
Çështja pritet të shqyrtohet nga një gjykatë federale në Uashington. Mediat kërkojnë rikthimin e menjëhershëm të akreditimeve dhe aksesit të gazetarëve të tyre në Shtëpinë e Bardhë.
Përplasja rikthen në vëmendje debatet ligjore mbi kufizimin e aksesit të medias në Shtëpinë e Bardhë. Në raste të mëparshme, gjykatat amerikane kanë shqyrtuar vendime të ngjashme që lidhen me akreditimet e gazetarëve dhe lirinë e shtypit.








Komente
Komento