GJKKO i kthen pas SPAK për plotësim hetimesh, dosjen e mikrokredive. Gjyqtarja Flojera Davidhi nuk pranoi të kalojë çështjen për gjykim duke i lënë afat 5 muaj prokurorit Edvin Kondili të plotësojë dosjen. Bëhet fjalë për dosjen me 27 të pandehur qe akuzohen për mashtrim me pasoja të rënda në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
SPAK mbylli dosjen më 23 Korrik 2025 dhe dërgoi për gjykim 16 persona dhe 4 shoqëri. Sipas hetimeve të SPAK, këta persona, të organizuar si grup i strukturuar kriminal, kanë zhvatur të paktën 36 milionë euro dhe 1700 prona të paluajtshme nga rreth 17 mijë qytetarë. Aktiviteti i tyre kriminal ka zgjatur për 9 vite.
Dy kokat e grupit janë Elda Ibro dhe Arben Meskuti. Ndërsa Prokuroria kishte identifikuar si drejtues të grupit edhe Olsi Ibron, bashkëshorti i Elda Ibros, por ai humbi jetën pasi u hodh nga një pallat në muajin korrik të vitit 2024.
16 të pandehurit dhe shoqëritë “Micro Credit Albania” sh.p.k., “ADCA” sh.p.k., “Final” sh.p.k. dhe “TDR Group” ushtronin aktivitet në të njëjtin ambient, përdornin të njëjtin sistem kompjuterik, ndanin burime monetare, personel dhe ndihmonin njëra-tjetrën në mënyrë të qëllimshme për të zhvatur qytetarët. Në pamje të jashtme, këto kompani dukeshin se operonin për mbledhjen e detyrimeve të cilësuara si “kredi të këqija”, por në thelb, aktiviteti i tyre kishte vetëm një qëllim të qartë: pasurimin e paligjshëm në dëm të qytetarëve.
Komente












