E gjithë java që kaluam ka pasur një rëndësi të veçantë për të krishterët katolikë, të cilë besojnë se gjatë kësaj jave, para më shumë se 2 mijë vitesh, Jezu Krishti u arrestua, u kryqëzua dhe u ringjall.

Të gjitha këto zhvillime, sipas besimit të krishterë ndodhën në qytetin e Jeruzalemit, në Izrael. Por si u festua kjo javë dhe Pashka Katolike ditën e sotme nga të krishterët në Jeruzalem?

Mediat e huaja raportojnë se rrugët e Lagjes së Krishterë të Qytetit të Vjetër janë të shkreta dhe dyqanet të mbyllura.

Boulos, një burrë i krishterë palestinez në të 30-at, i cili nuk donte të jepte emrin e tij të vërtetë, ende shkon disa ditë në javë në dyqanin e tij, duke shitur veshje dhe artikuj fetarë. Mediat e huaja shkruajnë se ai e mban hyrjen gjysmë të mbyllur, për t'iu shmangur autoriteteve izraelite, të cilat kanë urdhëruar mbylljen e dyqaneve të tilla gjatë luftës SHBA-Izrael kundër Iranit.

Pas gjashtë vitesh ndërprerjesh të rënda në biznesin e tij në Qytetin e Vjetër, duke filluar me pandeminë COVID-19 dhe duke vazhduar me serinë e luftërave që nga ajo kohë, ai thotë se biznesi sapo kishte filluar të rimëkëmbej me kthimin e disa pelegrinëve ndërkombëtarë pas armëpushimit të tetorit në Gaza.

“Para luftës me Iranin, biznesi ishte ende shumë keq. Por të paktën mjaftonte për të ushqyer veten”, tha Boulos i dëshpëruar. “Tani, nuk ka fare biznes, nuk ka fare para”, shtoi ai.

Ishte rreth mesditës kur një grua e krishterë etiopiane vendase hyri duke kërkuar një kilogram qirinj lutjeje, klientja e tij e parë e ditës.

“Që nga mëngjesi, kam qenë këtu për asgjë”, tha Boulos. “Çfarë do të më bëjnë 35 shekelë [11.20 dollarë]? Cili është ndryshimi?”, shtoi ai.

Ndërsa shumica e bizneseve në Jerusalemin Perëndimor izraelit tani lejohen të jenë të hapura, për shkak të afërsisë me strehimoret kundër bombave, në Qytetin e Vjetër Palestinez, ku nuk ka strehimore të tilla, bizneset lokale janë detyruar kryesisht të mbyllen. Dhe është Lagjia e Krishterë, shumë e varur nga turizmi, që tregon më pak shenja jete.

“Është hera e parë në jetën time që e shoh Jerusalemin kaq të trishtuar sa është”, tha vëllai Daoud Kassabry, një drejtor në Shkollën College des Freres në Lagjen e Krishterë.

Nuk ka pasur mësime me pjesëmarrje fizike për më shumë se një muaj. “Ky ka qenë muaji më i vështirë në zonën tonë këtu, me të vërtetë, në kohën tonë. Për prindërit, për shkollën, për nxënësit, për mësuesit - për të gjithë”, shtoi ai.

Autoritetet izraelite kanë shkuar aq larg sa i kanë ndaluar Patriarkut Latin të Jerusalemit, Kardinalit Pierbattista Pizzaballa, së bashku me zyrtarë të tjerë të lartë të Kishës, të hyjnë në Kishën e Varrit të Shenjtë, që besohet nga shumica e të krishterëve të jetë vendi i kryqëzimit dhe ringjalljes së Jezusit, dhe vendi më i shenjtë në Krishterim, për të kryer Meshën e së Dielës së Palmave.

Sipas Patriarkanës Latine, kjo ishte hera e parë “në shekuj” që zyrtarët e Kishës nuk ishin në gjendje ta bënin këtë.

Duke folur në një konferencë për shtyp të martën e kaluar, Kardinali Pizzaballa tha se “të gjitha festimet” dhe tubimet ishin anuluar muajin e kaluar për t’iu përmbajtur kufizimeve të komandës ushtarake. “Por ka gjëra që nuk mund t’i anulojmë. Askush, madje as Papa, nuk ka autoritet për të anuluar liturgjinë e Pashkëve”, shtoi ai.

Nga ana tjetër, Peshkopi Emeritus Munib Younan ankohet për "shumë herë" që është pështyrë nga studentët hebrenj të yeshiva-s në Qytetin e Vjetër pa ndonjë pasojë ligjore.

Boulos thotë se kur shkon në kishë, tani zgjedh Kishën e Lindjes në Betlehem ose një kishë të vogël pak jashtë Jerusalemit. "Atje, askush nuk të drejton armën rrugës për në Kishë. Jeta është të paktën normale", tha ai. "Këtu, nuk ka jetë", shtoi ai.