Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Kaja Kallas ka mirëpritur rihapjen e pikës kufitare Rafah midis Gazës dhe Egjiptit dhe e ka cilësuar si hap konkret dhe pozitiv për paqen.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kallas deklaroi se misioni civil i BE-së është në terren për të monitoruar operacionet e kalimit.

Kallas nënvizoi se rindërtimi i Gazës do të varet nga demilitarizimi i Hamasit.

"Hapja e pikës së kalimit të Rafahut shënon një hap konkret dhe pozitiv në planin e paqes. Misioni civil i BE-së është në terren për të monitoruar operacionet e kalimit dhe për të mbështetur rojet kufitare palestineze. Për të sëmurët dhe të plagosurit në Gaza, rihapja është një shpëtim. Do t'u lejojë familjeve të ribashkohen pas një kohe shumë të gjatë larg njëri-tjetrit. Hapa praktikë si ky ndihmojnë në përparimin e planit të armëpushimit dhe duhet të vazhdojë. Në të njëjtën kohë, Gaza mbetet në nevojë urgjente për ndihmë. Rindërtimi i saj do të varet nga demilitarizimi i Hamasit.", theksoi ajo.

Izraeli ka rihapur dje kufirin në Rafah midis Gazës dhe Egjiptit, por vetëm në një kapacitet të kufizuar, duke lejuar kalimin vetëm për banorët palestinezë të zonës.

“Në përputhje me marrëveshjen e armëpushimit dhe një direktivë të ekselonit politik, kalimi kufitar i Rafah u hap sot vetëm për kalimin e kufizuar të banorëve”, tha COGAT, organi i Ministrisë së Mbrojtjes Izraelite që koordinon çështjet civile palestineze.

Me kërkesë të Egjiptit, dalja nga Gaza do të lejohet vetëm për të sëmurët dhe të plagosurit së bashku me shoqëruesit e tyre.

Izraeli do të ngrejë gjithashtu një pikë kontrolli ushtarake pranë pikës së kalimit në anën e Gazës, pranë vijës së verdhë të demarkacionit. Egjipti kishte kundërshtuar vendosjen e pikës së kontrollit në ose afër kufirit.