Ushtria izraelite filloi pushtimin e qytetit të Gazës mesnatën e 16 shtatorit. Qielli u bë portokalli nga bombardimet. Dronët dhe raketat e lëshuara nga avionët luftarakë shkaktuan shpërthime të fuqishme. Tre brigada ushtarake që mbanin Yllin e Davidit, të përbëra nga tre batalione, filluan operacionin "Tanket Gideon B", për të përfunduar misionin e Benjamin Netanyahut për të marrë kontrollin e qytetit të Gazës.

Tanket e IDF-së hynë në rrugën Al-Jalaa, në zemër të qytetit të Gazës. 91 persona u vranë, ndërsa u raportuan 37 sulme në vetëm 20 minuta. Mijëra njerëz po ikin nga qyteti i Gazës pas nisjes së operacionit. Pamjet gjatë natës tregonin karvanë të gjatë që largohen nga qyteti. Rruga al-Rashid, e cila lidh Gazën veriore me jugun, është plotësisht e bllokuar me automjete që transportojnë njerëz të zhvendosur nga qyteti i Gazës.

Sipas IDF, 350 mijë janë larguar nga qyteti në javët e fundit. "Gaza po digjet", u shpreh ministri i Mbrojtjes, Izrael Katz.Brenda pak orësh nga nisja e operacionit, ushtria izraelite tha se mori kontrollin e 40% të qytetit. Në operacion, sipas IDF, janë mobilizuar 70,000 rezervistë, dhe pritet t'u bashkohen edhe 60 mijë të tjerë. 

Ushtria izraelite beson se afërsisht 2,000-3,000 militantë të Hamasit mbeten në qytetin e Gazës, përveç tuneleve të përdorura nga grupi. 

Një komision hetimor ndërkombëtar i pavarur i Kombeve të Bashkuara akuzoi Izraelin për gjenocid në Gaza. "Ne kemi arritur në përfundimin se gjenocidi po ndodh dhe vazhdon të ndodhë në Gaza, dhe se përgjegjësia i takon Shtetit të Izraelit ", tha kryetarja e komisionit, Navi Pillay.

Britania e Madhe dhe Gjermania dënuan nisjen e operacionit. Po ashtu, ditën e nesërme, Kolegji i Komisionerëve Evropianë ka paralajmëruar se do të miratojë një paketë masash kundër Izraelit. Ndër masat e pritura në lidhje me situatën në Gaza është pezullimi i komponentit tregtar të Marrëveshjes së Asociimit BE-Izrael.

Më herët, me nisjen e këtij operacioni, presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi Hamasin pasi mësoi se pengjet ishin nxjerrë nga tunelet për t'u përdorur si mburoja njerëzore.

"Shpresoj që udhëheqësit e Hamasit të dinë se në çfarë po përfshihen nëse bëjnë diçka të tillë. Kjo është një mizori njerëzore, të cilën pak njerëz e kanë parë më parë. Mos e lini të ndodhë kjo, përndryshe, të gjitha bastet janë të gabuara. Lironi të gjithë pengjet. Tani", shkroi Trump në Truth Social. 

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se kushdo që fajëson Izraelin për veprimet e tij është një "hipokrit". 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 00:04
Pushtimi i qytetit të Gazës/ Netanyahu: Kushdo që dënon Izraelin është një 'hipokrit'

1757438046_benjaminnetanyahu.webp

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, gjatë një konference për shtyp pas nisjes së pushtimit të qytetit të Gazës, deklaroi se kush e fajëson Izraelin për veprimet e tij është një "hipokrit".

"Shtetet e Bashkuara bombarduan Afganistanin sepse aty ndodhej Al-Qaeda. Pastaj Pakistanin sepse aty ndodhej Bin Ladeni", tha lideri izraelit, duke shtuar se "askush nuk tha: ‘O Zot, ndodhi një gjë e tmerrshme. Amerika shkel sovranitetin e Afganistanit apo të Pakistanit".

Netanyahu theksoi më tej: "Mos u jepni strehim terroristëve, askush nuk do të veprojë në territorin tuaj. Është e drejta jonë të veprojmë kundër terroristëve që sulmojnë nga shtete të tjera".

Ora 22:42
Media: Në qershor, Mossad vendosi mbi 100 agjentë të huaj në Iran

1758055523_mossad.jpeg

Në fillim të luftës së qershorit, Mossad vendosi rreth 100 agjentë të huaj në Iran, me detyrë të shkatërronin shumë nga lansuesit e raketave dhe sistemet ajrore të mbrojtjes iraniane.

Kjo u raportua nga Channel 13, duke shtuar se agjentët ishin shumë të trajnuar dhe kishin vendosur dhe përdorur sisteme të rënda raketash me qindra kilogramë, të futur fshehurazi në Iran dhe përdorur për të goditur lansuesit e raketave balistike dhe sistemet raketore kundërajrore të Iranit.

Sipas kanalit izraelit, kjo ishte operacioni më i madh ndonjëherë i kryer nga Mossad dhe jashtëzakonisht i komplikuar, duke pasur parasysh nevojën për të trajnuar agjentët, të cilët nuk ishin izraelitë, për përdorimin e sistemeve të sofistikuara raketore.

Ora 15:02
Herzog hedh poshtë akuzat për gjenocid: Komisioni i OKB-së po fsheh mizoritë e Hamasit

1697104827_issac.jpg

Presidenti izraelit, Isaac Herzog ka hedhur poshtë akuzat për "gjenocid" në Gaza të bëra nga Komisioni i Pavarur i Hetimit i Kombeve të Bashkuara, i cili ia ngarkoi përgjegjësinë kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe zyrtarëve të tjerë shtetërorë, përfshirë ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant, dhe vetë Herzog. 

"Izraeli dhe unë personalisht  e hedhim poshtë kategorikisht këtë të ashtuquajtur 'raport' dhe autorët e tij të turpëruar, mungesa e legjitimitetit të të cilëve është aq e plotë saqë citimi në akuzat e tyre është në vetvete një miratim i luftës sonë për të drejtat e njeriut", komentoi Herzog në një deklaratë.

 "Ndërsa Izraeli mbron popullin e tij dhe kërkon kthimin e pengjeve, ky Komision i falimentuar moralisht fiksohet duke fajësuar shtetin hebre, duke i zbardhur mizoritë e Hamasit dhe duke i kthyer viktimat e një prej masakrave më të këqija të kohërave moderne në të pandehur", shtoi presidenti.

Ora 13:27
Komisioni Evropian pritet të miratojë nesër një paketë masash kundër Izraelit

1757936688_flamuriibe.png

Nesër, Komisioni Evropian do të miratojë një propozim për një paketë masash në lidhje me Izraelin në luftën e vazhdueshme në Gaza në përgjigje të masakrave të kryera nga Hamasi më 7 tetor 2023.

Lajmin e  bëri me dije zëdhënësja kryesore Paula Pinho Bruksel. Propozimet e Unionit do të shqyrtohen më pas nga Këshilli, i cili është thellësisht i ndarë për Izraelin.

Ndërmarrja e masave ndëshkuese, mes të cilave pezullimi i disa dispozitave tregtare të marrëveshjes BE-Izrael, u paralajmëruan javën e kaluar nga kryetarja e KE-së, Ursula Von der Leyen.

Ora 13:26
Pak orë nga nisja e pushtimit, IDF: Kontrollojmë 40% të qytetit të Gazës

1758022024_gaza.png

Brenda pak orësh nga operacioni tokësor, i cili filloi gjatë natës, ushtria izraelite mori kontrollin e 40% të qytetit të Gazës. Vetë IDF e njoftoi këtë, duke thënë se dy divizione kanë filluar të veprojnë brenda qytetit kryesor të enklavës palestineze, ndërsa një divizion tjetër po rrethon qytetin. 

"Ne po përparojmë drejt qendrës" së qytetit të Gazës, konfirmoi një zyrtar ushtarak izraelit. Dëshmitarët raportuan se mijëra njerëz po largoheshin nga jugu, megjithëse daljet nga qyteti janë bllokuar dhe shumë banorë e kaluan natën në rrugë, nga frika se shtëpitë e tyre do të goditeshin. 

Në gati dy vjet konflikt, Izraeli ka vrarë të paktën 65,000 palestinezë, mbi 80 përqind e të cilëve, sipas raporteve të pavarura, ishin civilë.

Ora 10:12
Komisioni i OKB-së akuzon Izraelin për gjenocid në Gaza

Komisioni i Kombeve të Bashkuara kanë akuzuar Izraelin për kryerjen e "gjenocidit" në Gaza me qëllim "shkatërrimin e palestinezëve", duke fajësuar kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe udhëheqës të tjerë palestinezë.

Në raportin e tij të ri, të publikuar gati dy vjet pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, Komisioni Ndërkombëtar i Hetimit zbuloi se forcat izraelite kryen "katër nga pesë aktet gjenocidale të mbuluara nga Konventa e vitit 1948", duke përfshirë vrasje, dëmtime serioze fizike dhe psikologjike dhe krijimin e kushteve të jetesës të dizajnuara për të shkatërruar popullsinë.

"Përgjegjësia për këto krime të tmerrshme u takon autoriteteve izraelite në nivelet më të larta", tha Presidenti Navi Pillay, një ish-gjyqtar në Gjykatën e Ruandës, duke paralajmëruar se heshtja e bashkësisë ndërkombëtare "përbën bashkëfajësi".

Sipas të dhënave të OKB-së, gati 65,000 njerëz janë vrarë në Gaza që nga fillimi i luftës dhe një pjesë e madhe e popullsisë është zhvendosur.

Izraeli i hedh poshtë me vendosmëri akuzat, ndërsa Komisioni bashkëpunon me Gjykatën Ndërkombëtare Penale, e cila tashmë ka lëshuar urdhër-arreste kundër Netanyahut dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ora 08:53
IDF: Deri më tani janë evakuuar 350,000 palestinezë nga qyteti i Gazës

1757999392_gaza.webp

Mbi 350,000 palestinezë deri më tani janë evakuuar nga qyteti i Gazës në zona të tjera të Rripit, sipas një vlerësimi të publikuar nga IDF gjatë natës. Sipas një burimi të mbrojtjes, të cituar nga Times of Israel, mijëra njerëz të tjerë u larguan nga qyteti gjatë natës për shkak të një vale të madhe sulmesh ajrore.

Burimi deklaroi se shkalla e civilëve palestinezë që largohen nga qyteti i Gazës ka të ngjarë të rritet ndërsa përparon ofensiva tokësore e IDF kundër Hamasit, i cili synon të pushtojë qytetin. Rreth një milion palestinezë jetonin në qytetin e Gazës përpara se IDF të fillonte përgatitjet për ofensivën.

Ora 08:24
Izraeli intensifikon sulmet në Gaza, familjarët e pengjeve protestë përpara rezidencës së kryeministrit izraelit: Kjo mund të jetë nata e tyre e fundit!

Familjet e pengjeve izraelite, të cilët mbahen ende në Gaza kanë dënuar sulmet e nisura që prej mesnatës së mbrëmshme në qytetin e Gazës. Ata kanë ngritur zërin e tyre jashtë rezidencës së kryeministrit në Jeruzalem.

“Mbrëmë, bombardimet në Gaza u intensifikuan. Të dashurit tanë në Gaza po bombardohen nga IDF me urdhër të Kryeministrit”, tha Forumi i Pengjeve dhe Familjeve të Zhdukura.

Në Gaza kanë mbetur 48 pengje, 20 prej të cilëve besohet se janë gjallë.

"Po i afrohemi festave dhe jemi të tmerruar se kjo mund të jetë nata e tyre e fundit, se pengjet e gjalla do të paguajnë me jetën e tyre, se të ndjerit do të zhduken atje”, janë shprehur familjarët e tyre.

Ora 08:13
Luksemburgu njofton se do të njohë shtetin e Palestinës deri në fund të shtatorit

1758003376_flamuriiluksemburgut.jpg

Edhe Luksemburgu planifikon ta njohë Palestinën si shtet që në shtator të këtij viti, raportoi transmetuesi RTL, duke cituar kryeministrin e Luksemburgut, Luc Frieden, dhe ministrin e Jashtëm, Xavier Bettel.

Vendimi përfundimtar do të merret në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, sipas deklaratës. Sesioni i 80-vjetorit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së u hap në Nju Jork më 9 shtator.

Siç është traditë, ai do të përfshijë një sesion njëjavor të nivelit të lartë, me debate të përgjithshme që do të zhvillohen nga 23 deri më 27 shtator.

Palestina njihet nga 147 vende. Në vitin 2024, Shtetet e Bashkuara vunë veton ndaj anëtarësimit të plotë të Palestinës në Kombet e Bashkuara. Që nga viti 2024, Palestina është njohur nga 10 shtete, përfshirë Irlandën, Norvegjinë, Spanjën dhe Armeninë.

Ora 08:12
Rubio në Izrael, takohet me familjarët e pengjeve: Hamasi duhet t’i lirojë menjëherë

1758003205_rubiomefamiljetepengjeve.jpeg

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio është takuar me familjarët e pengjeve që mbahen nga Hamasi. Ai ka ndarë një foto në rrjete sociale, ndërsa shkruan se ata duhet të lirohen menjëherë.

"Ishte prekëse të takohesha me familjet e pengjeve gjatë vizitës sime në Jerusalem. Historitë e tyre janë zemërthyes dhe të pakuptueshme. Kjo luftë ka vazhduar mjaft gjatë. Hamasi duhet të lirojë menjëherë të gjithë pengjet: të gjallë dhe të vdekur", shkroi Rubio në X.