Izraeli e ka kundërshtuar përbërjen e bordit ekzekutiv të Gazës të ngritur nga administrata e presidentit Donald Trump. Sipas qeverisë izraelite disa nga emërimet nuk janë të koordinuara dhe në kundërshtim me politikën e saj.
Zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu tha se ai i ka udhëzuar ministrit të Jashtëm të diskutojë rezervat izraelite me Rubion.
"Njoftimi në lidhje me përbërjen e Bordit Ekzekutiv të Gazës, i cili është në varësi të Bordit të Paqes, nuk u koordinua me Izraelin dhe është në kundërshtim me politikën e tij", thuhet në deklaratë dhënë detaje rreth kundërshtive të kryeministrit.
Grupi militant palestinez Xhihadi Islamik, i cili konsiderohet grup terrorist nga disa vende, gjithashtu kritikoi përbërjen e bordit, duke argumentuar se ai erdhi në përputhje me kriteret izraelite dhe për t'i shërbyer interesave të pushtimit, në një tregues të qartë të qëllimeve të këqija paraprake mbi zbatimin e kushteve të marrëveshjes së armëpushimit.
Më herët administrata Trump njoftoi nisjen e fazës së dytë të planit të paqes të Presidentit amerikan për Gazën.Faza e parë bëri thirrje për një armëpushim që hyri në fuqi më 10 tetor. Që atëherë, të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjes. Izraeli ka vijuar të kufizojë ndihmën në Rripin e Gazës dhe të kryejë sulme.
Dhe Hamasi, i cili është përcaktuar si organizatë terroriste nga Gjermania, BE-ja, SHBA-ja dhe disa shtete arabe, deri më tani ka refuzuar të çarmatoset, një kërkesë e panegociueshme nga Izraeli.
Komente









