‘Izraeli, qëndron mbi vendet arabe si skifter: Një i vrasin, 20 u vret…’/ Shënimet e Enver Hoxhës për krizën në Lindjen e Mesme

‘Izraeli, qëndron mbi vendet arabe si skifter: Një i vrasin, 20 u vret…’/ Shënimet e Enver Hoxhës për krizën në Lindjen e Mesme

Enver Hoxha

Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore, të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), ku ndodhet edhe arkivi personal i ish-udhëheqësit të Shqipërisë komuniste, Enver Hoxha, i cili në ditarin e tij politik, që i përket një periudhe të gjatë kohe, duke filluar nga maji i vitit 1967,  e deri në dhjetorin e 1983-it, ai ka mbajtur shënime për ngjarjet e Lindjes së Mesme, si; konflikti i gjatë Izrael-Palestinë, luftërat e vazhdueshme ndërmjet Izraelit dhe vendeve arabe, luftën gjashtë ditore në vitin 1967, ku Izraeli mposhti Egjiptin dhe koalicionin e vendeve arabe, e pushtoi lartësitë Golan, luftën e Yom Kippurit në vitin 1973, ku sërish Izraeli, pasi mposhti koalicionin e vendeve arabe, (Egjipti, Algjeria, Siria, Iraku, Jordania, Jemeni, Libani, Maroku, etj.) pushtoi gadishullin e Sinait, të cilin e dorëzoi në vitin 1979, bllokimin e mbylljen e Kanalit të Suezit, (ku Shqipëria kishte interesa jetike, për shkak të ndihmave që i vinin nga Kina në rrugë detare), e deri luftën civile në Liban, në fillimin e viteve ’80-të, etj. Çfarë shkruante diktatori i Shqipërisë komuniste, Enver Hoxha, në ditarin e tij politik ku ka bërë analiza, dhe cili ishte qëndrimi i Tiranës zyrtare, për konfliktin ndërmjet Izraelit dhe vendeve arabe, si dhe shteteve të ndryshme që i mbështesin ata, si; Bashkimi Sovjetik, SHBA-ës, Britania e Madhe, Republika Popullore e Kinës, Republika Federative e Jugosllavisë, etj.?! A ishte i vërtetë informacioni që kishte Enver Hoxha në qershorin e vitit 1967, sipas të cilit, Moska zyrtare, do i ofronte ndihmë Egjiptit, duke sjellë Flotën e saj Ushtarake Detare në Mesdhe, në rast se Tirana zyrtare, do pranonte që anijet sovjetike, të ankoroheshin në portet e Durrësit, Vlorës, Shëngjinit etj., apo ajo ishte një paranojë e Hoxhës, gjë e cila bëri që Ushtria Shqiptare, të kalonte në gatishmëri luftarake nr. 1, madje duke mobilizuar edhe forcat rezerviste e ato të çetave vullnetare?! Lidhur me këtë, etj., na njeh ditari politik i ish-udhëheqësit kryesor të Shqipërisë komuniste, i cili do publikohet në disa numra nga Memorie.al.

KRIZA E LINDJES SE MESME

Të ashtuquajturat ushtri vendëse, ishin në shërbim të plotë, të inkuadruara dhe të stërvitura apostafat, për t’u shërbyer urdhrave të padronit të vërtetë të jashtëm. Aktualisht, imperialistët e kanë më të vështirë dominimin në këto vende, prandaj manovrimet e tyre, janë më të ndryshme, më të stërholluara. Tash shtetet që formojnë zonën që quhet Lindja e Mesme, janë organizativisht më të forta se më parë, kanë kufij më të përcaktuar, kanë një pushtet, një ushtri dhe një ekonomi më të organizuar. Këto shtete, në sipërfaqe, kanë një politikë të brendshme dhe të jashtme, të veçantë për çdo shtet, të cilën e quajnë “indipendente, demokratike dhe sovrane”. Pikërisht mbi këto të dhëna, mbi këto transformime, mbi këtë gjendje faktike të re, manovrojnë, manipulojnë, intrigojnë imperializmi dhe revizionizmi modern.

Këto manovrime dhe intriga në mes fuqive të mëdha kolonialiste, në mes tyre dhe me shtetet e zonës janë të thella, janë antagoniste; po luftohet për konsolidimin e borgjezisë, në çdo shtet të zonës, luftohet për të konservuar feudalizmin dhe përfaqësuesit e vjetër të tij, luftohet kundër zgjimit të popujve arabë, kundër revolucionit dhe kryengritjes së masave, luftohet për konsolidimin e zonave të influencës, nga shtetet e mëdha imperialisto-revizioniste, luftohet për pozita strategjike ushtarake, në shikim të një lufte të re botërore kapitaliste, për të rindarë botën, që dhe kjo transformohet. Ky kompleks i tërë problemesh, shkakton krizën në Lindjen e Mesme, që nuk është veçse një zonë e zjarrtë, e acaruar e krizës së madhe nga ku kalojnë bota kapitaliste dhe revizionizmi modern, me atë sovjetik në krye.

Lindja e Mesme në krizën aktuale, i përngjet krizës ballkanike me një ndryshim se në këtë të fundit, duke qenë e nxitur dhe e shkaktuar nga fuqitë e mëdha imperialiste evropiane, pra, duke qenë preludi i krizës së madhe evropiane që pati si përfundim logjik luftën 1914-1918, kufijtë e shteteve ballkanike, nuk ishin edhe të përcaktuar mirë relativisht, siç janë ata të shteteve aktuale të Lindjes së Mesme. Popujt ballkanikë të robëruar dhe të inkuadruar në perandoritë turke dhe austro-hungareze, shpërthyen kryengritjet dhe luftërat e tyre edhe kundër zgjedhës së okupatorëve të mëdhenj, por edhe kundër synimeve shovinisto-imperialiste të klikave shoviniste vendëse, që përpiqeshin të rrëmbenin sa më shumë koncesione territorial, në kurriz të njëri-tjetrit. Imperialistët evropianë, e kishin kthyer Ballkanin në një fushë intrigash dhe prandaj Ballkani, s’kishte si të mos ishte një “fuçi baruti”, siç e quanin.

Fuçia ishte Ballkani, por pishtari më i madh që i vinte zjarrin barutit, mbahej në dorë nga imperializmi botëror dhe, veçanërisht, nga fuqitë e mëdha kapitaliste të Evropës. Këtë çështje kryesore nuk e shohin, nuk duan ta shohin, ose nuk janë në gjendje ta shohin udhëheqësit aktualë të shteteve arabe të Lindjes së Mesme dhe të Afrikës Veriore. Ata nuk shohin dhe nuk mund ta shohin qartë, se armiku kryesor i tyre është imperializmi dhe revizionizmi modern, imperializmi amerikan dhe social-imperializmi sovjetik, imperializmi anglez dhe francez. Këtë nuk mund ta shohin dhe nuk mund ta luftojnë si duhet, pse udhëheqjet e tyre, janë përfaqësuese të feudalizmit dhe të borgjezisë së madhe kompradore vendëse, janë udhëheqje antipopullore, antidemokratike, pavarësisht nga maskat dhe etiketat që përdorin.

Udhëheqësit e këtyre shteteve kanë frikë në radhë të parë nga popujt e tyre, ata mbrojnë interesat ;jo të popujve të tyre, por të shtresave të tyre. Interesat e këtyre shtresave, puqen me interesat e kapitalizmit botëror, ose më mirë janë të skllavëruar në interesat e kapitalizmit botëror; këto shtresa antipopullore, rrojnë nën hijen e interesave të imperialistëve të ndryshëm, bëjnë një politikë klase, sipas rrethanave dhe koniunkturave, lidhen me njërin ose me tjetrin imperializëm, deri në varësi të plotë edhe në format e jashtme. Politika e tyre gjoja e pavarur ishte një valle në litar të nderur, një kërcim akrobatik, që, kur bie ose e rrëzojnë, zëvendësohet menjëherë nga shtresa ose nga padroni i jashtëm, me një akrobat tjetër.

Në Lindjen e Mesme, pra, problemi vihet që të luftohet imperializmi amerikan, ai anglez, francez dhe veglat e tyre, një nga të cilat është dhe shteti i Izraelit; të luftohet imperializmi revizionist sovjetik, që, nën maskën e socializmit, kërkon vendin e tij nën diellin e Lindjes së Mesme dhe në kontinentin afrikan. Popujt e shteteve të ndryshme arabe, nuk mund të dalin me sukses nga kjo luftë, në rast se nuk dallojnë armikun kryesor të tyre dhe në rast se me luftën e tyre çlirimtare kundër armikut kryesor, nuk llogaritin gjërat brendapërbrenda vendeve të tyre, domethënë në rast se udhëheqja e tyre, nuk spastrohet nga ata aventurierë të shitur te të huajt, ose përfaqësues të shtresave kapitaliste antinacionale, antidemokratike dhe antisociale. Që të arrihet në këtë gjendje në vendet arabe, duhet një luftë e gjatë nga popujt e këtij rajoni, i cili aktualisht është në konfuzion të madh politiko-ideologjik.

Uniteti arab, domethënë uniteti i klikave në fuqi në shtetet arabe, u vërtetua se nuk ekzistonte dhe kjo ishte e natyrshme, pse klikat e ndryshme janë antagoniste dhe ato manipulohen nga imperializmi i huaj. Uniteti arab kundër shtetit të Izraelit, u vërtetua se nuk vazhdoi veç 5-6 ditë dhe u shemb tok me të ashtuquajturin unitet ushtarak. Kjo vërtetoi dhe atë që organizimi i brendshëm i vetë shteteve arabe, ishte jashtëzakonisht i dobët dhe mjaftoi një forcë e vogël ushtarake, si ajo e Izraelit, por forcë e organizuar në mënyrë të përsosur si ushtarakisht, ashtu edhe politikisht, që ta shpartallonte kryesisht brenda 6 ditëve, koalicionin e shteteve arabe. Pra fitorja e Izraelit, “maja e shigjetës” imperialiste, i dha një goditje të rëndë fasadës së krimbur, plot llafollogji të unitetit arab, por jo vetëm unitetit, por edhe gjendjes së brendshme politike, ekonomike dhe ushtarake të çdo shteti në veçanti.

Kjo i duhej imperializmit botëror, atij amerikan dhe atij sovjetik, për të ri forcuar pozitat kolonialiste në këtë rajon, për të rindarë zonat e influencës, për të shpartalluar unitetin e mundshëm arab, për të goditur revolucionin, për ta larguar atë etj. Tani trumbetohet nga të gjithë se rreziku kryesor për popujt arabë, është Izraeli dhe, nën këtë moto po përgatitet gjoja revanshi. Nën këto parulla, përgatiten zinxhirë të rinj më të fortë për popujt arabë. Për të përgatitur “revanshin”, Naseri mbështetet te revizionistët sovjetikë, të cilët zunë vendin e tyre nën diellin e Egjiptit, të Sirisë dhe të Algjerisë. Politika, gjoja e pavarur, e Naserit kontrollohet nga Moska, e cila i jep disa armë por që s’mund t’i përdorë dot as si do ai, as kur do ai. Politika e RAB-it është e varur në qafën e sovjetikut, si mëlçia në qafën e ujkut.

Izraeli është i siguruar nga kjo anë, pse është më i fortë ushtarakisht, më kompakt, pse bazohet fuqimisht mbi fitoren që arriti, pse mbështetet nga imperializmi amerikan dhe nga social-imperializmi sovjetik. Izraeli e di se derisa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Sovjetik, të cilët vendosin mbi çdo gjë në Lindjen e Mesme, nuk kanë vendosur të goditen me njëri-tjetrin, çështja e tij është e fituar. Çdo zgjidhje në Lindjen e Mesme, në këto situata, do të bëhet nga sovjeto-amerikanët në interesin e tyre në radhë të parë, në interesin e Izraelit në radhë të dytë, dhe në dëmin e shteteve dhe të popujve arabë. Këtë kompleks gjërash vetëm lufta popullore e ndryshon. Natyrisht as mbreti Hysejn, agjent i anglezëve, as mbreti i Arabisë Saudite, as presidentët pseudo-demokratë të Sirisë, të Egjiptit, të Libanit dhe të Irakut, nuk mund ta udhëheqin këtë luftë çlirimtare të dyfishtë.

Këtu nuk është vetëm çështje personash, por është çështje lufte klasash e rreptë, që duhet të fillohet, të organizohet, të zgjerohet dhe të kalitet. Kjo gjë do të bëhet, por natyrisht, do të dojë kohë, do të dojë përpjekje, gjak dhe sakrifica, por do të bëhet. Popujt arabë janë trima, janë të zgjuar, të vendosur dhe përparimtarë, janë, gjithashtu, të vuajtur, vetëm duhet të sqarohen. Nga gjiri i popullit arab do të dalin udhëheqës të vërtetë të tij, që do ta sqarojnë dhe do ta frymëzojnë në revolucion. Të gjithë aktualisht paraqitin plane për zgjidhjen e problemit të Lindjes së Mesme. Këto plane mbajnë emrin e zgjidhjes të gjendjes së luftës në mes Izraelit e RAB-it dhe vendeve të tjera. Diplomacia revizioniste sovjetike është në lëvizje. Vetë Gromikoja shkoi te Naseri për t’i imponuar planin sovjetik, sigurisht, të koordinuar me amerikanët.

Plani, në fund të fundit, do të jetë në favorin e Izraelit, ai do të fitojë të drejta dhe koncesione. Nëse krerët arabë do të gjunjëzohen, kjo varet nga kërkesa e Izraelit. Edhe kërkesat e Izraelit, janë të koordinuara me interesat imediatë dhe të perspektivës të imperializmit amerikan. Sovjetikët, përpiqen të konkludohet shpejt, pse kanë frikë nga komplikacionet e mundshme, nga sulmet e izraelitëve dhe në një rast komplikacioni, revizionistët sovjetikë, do të demaskohen për të dytën herë në sy të arabëve, pse ata do t’i lënë medoemos si zakonisht në baltë. Nga ana tjetër sovjetikët, duan të konsolidojnë pozitat e fituara në RAB e gjetkë, t’i konsolidojnë këto më mirë në “paqe e në qetësi” sesa në një terren me mina. Mirëpo, në brendinë e vet, Naseri e të tjerë si ai, janë njerëz që lëvizin sa andej-këndej dhe mund t’ua kthejnë sovjetikëve dhe të afrohen me Uashingtonin. Naseri me shokë, derisa do të bëjnë koncesione karshi Izraelit, do të preferonin të kishin sigurime më mirë nga padroni i Izraelit, domethënë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Revizionistët e shohin këtë rrezik prandaj Gromikoja shkoi me vrap në Kajro, sigurisht mund ta ndjekin të tjerë dhe më të mëdhenj nga ai. Naseri që e kishte ftohur me Titon, ka filluar tash të afrohet. Shenjë e keqe për sovjetikët. Agjenti jugosllav i amerikanëve, nuk hyn në veprim pa qëllime dhe pa objektiva të caktuar nga padroni i tij. Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës çështja nuk vihet vetëm që Izraeli të fitojë të drejta, por të sigurojnë dhe të forcojnë pozitat e tyre, bile dhe të pastrojnë terrenin në Afrikë nga sovjetikët. Këtë lëshim tragjik që bënë Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë ta riparojnë. Këtu qëndron lufta. Në këtë luftë, klikat arabe dhe izraelite janë gurët e shahut në lojën tragjike të imperializmit amerikan dhe të social-imperializmit sovjetik në kurriz të popujve arabë.

E MARTE, 8 PRILL 1969

PAZARLLËQE IMPERIALISTO-REVIZIONISTE NË PRAPASKENË KUNDËR POPUJVE ARABË

Popujt arabë, përveç agresionit ushtarak të Izraelit, duhet t’u bëjnë ballë edhe komploteve të njëpasnjëshme e të rënda të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Sovjetik e, të veglave të tyre. Iu dërgua “Zërit të popullit”, për ta botuar nesër, një artikull, që e kisha përgatitur këto ditë me titullin: “Pazarllëqe imperialisto-revizioniste në prapaskenë kundër popujve arabë”.

E HENË, 5 JANAR 1970

KURRË NUK DO TA PAKESOJNE NDIHMËN TONE PËR POPUJT ARABË

Në mbledhjen ndërkombëtare parlamentare që propozojnë arabët (me shtytjen e sovjetikëve), të mos marrim pjesë. T’ua arsyetojmë këtë dhe t’u themi që; ne kurrë nuk do ta pakësojmë, por do ta shtojmë ndihmën tonë, për popujt arabë që luftojnë për liri, kundër Izraelit dhe imperializmit.

E PREMTE, 16 JANAR 1970

“AL FATAHU” NUK DUHET TE BJERË NE KURTHIN E SOVJETIKEVE

Lufta e popujve arabë kundër Izraelit, është reduktuar në të vetmen luftë partizane që bëjnë palestinezët, kundër pushtuesve të atdheut të tyre. Të tjerët bëjnë si të thuash llafe, mbajnë diskure “të zjarrta”, bëjnë konferenca e mbledhje të çdo niveli, vendosin e zhvendosin, por sidomos ato që vendosin i marrin vesh menjëherë, Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kështu që çdo gjë mbytet që në vezë. Izraeli, qëndron mbi vendet arabe si skifter: një i vrasin, 20 u vret, një avion i dëmtojnë, 15 avionë u djeg në aerodrome, një rojë kufitare i zënë rob, 22 robër u kap të nesërmen. Një radiolokator sovjetik modern 7 tonësh, ua çmontoi në brigjet e kanalit të Suezit, e ngarkoi në helikopter dhe e çoi në Tel-Aviv.

Naseri është futur tash kokë e këmbë, nën urdhrat e sovjetikëve, ashtu siç janë nën urdhrat e anglezëve e të amerikanëve, mbretërit dhe kryetarët e shteteve të Jordanisë, të Arabisë Saudite, të Kuvajtit, mundet edhe të Irakut, kurse të Libanit po e po. Pra, të vetmit që luftojnë realisht në botën arabe, janë partizanët palestinezë. Këta janë bërë të rrezikshëm për të gjithë, prandaj një pjesë dëshiron dhe lufton që t’i zhdukë, pjesa tjetër, do t’i futë në kthetrat e saj. Grupi i Naserit, u buzëqesh, por do që t’i drejtojë ai, pse me anën e tyre, dëshiron të tregohet sikur lufton, por edhe t’i dominojë, se i prishin punë në tratativat oportuniste që bën. Sovjetikët, që janë zjarrfikësit e luftërave revolucionare nacionalçlirimtare, duan t’i hedhin në dorë “Al Fatahun” dhe grupimet e tjera partizane palestineze, t’i shtrydhin e t’i drejtojnë siç po bëjnë me Naserin, në interes të politikës së tyre imperialiste.

 

Kudo ku zhvillohet luftë nacionalçlirimtare, kur agresorët thyhen e humbasin dhe popujt janë duke fituar, kështu ngjet, revizionistët sovjetikë ndërhyjnë me demagogji, gjoja premtojnë të japin armë dhe ndihma të tjera, po këtë e bëjnë për të shuar luftën, për të humbur fitoren dhe për të shpëtuar agresorët. Këtë bëjnë sovjetikët tash edhe me “Al Fatahun”. Ata gjoja u duan të mirën palestinezëve, gjoja duan t’i ndihmojnë, por me siguri duan t’u bëjnë varrin. Duhet t’ua demaskojmë këtë veprim tjetër të poshtër. “Al Fatahu” s’duhet të bjerë në kurthin e tyre.

E MARTE, 20 JANAR 1970

LUFTA E ARMATOSUR E POPULLIT PALESTINEZ ËSHTË E PAMPOSHTUR

Ri pashë artikullin: “Lufta e armatosur e popullit palestinez është e pamposhtur”. I shtova edhe një paragraf, në të cilin e bëj të qartë çështjen se revizionistët sovjetikë, duke dhënë disa armë, përveç të tjerave, do të përpiqen të hedhin në dorë drejtimin e luftës nacionalçlirimtare palestineze, sepse armët, do t’i japin me kondita dhe tok me konditat, do të venë edhe «këshilltarët», «specialistët», spiunët e sabotatorët. Artikulli do të botohet nesër, në gazetën “Zëri i popullit”.

E MARTË, 10 SHKURT 1970

REVIZIONISTET PO INFILTROJNË NE GJIRIN E “AL FATAHUT”

Revizionistët sovjetikë, po infiltrohen edhe në lëvizjen e luftëtarëve të “Al Fatahut”. Dje Jaser Arafati, udhëheqësi i organizatës palestineze “Al Fatah”, në krye të një delegacioni shkoi në Moskë, siç na thonë, nëpërmjet ambasadorëve tanë, për të kërkuar “ndihma” në armë. Ata u thonë tanëve, se “i njohim sovjetikët dhe qëllimet e tyre dhe ne do të jemi vigjilentë”. Kjo është një fjalë. Po u futën në allishverish me revizionistët sovjetikë, filloi mbarimi i luftës partizane, të palestinezëve. Revizionistët sovjetikë s’do të mungojnë t’u japin disa armë, por me anë të këtyre ata do t’i dominojnë, do t’i drejtojnë drejt kapitullimit, siç po bëjnë me Naserin. Do t’i bëjnë kështu vegla të lodrës së tyre të ndyrë.

E MËRKURE, 18 SHKURT 1970

IZRAELI PO DISKREDITON BASHKIMIN SOVJETIK

Duke bombarduar vazhdimisht pozicionet e egjiptianëve, izraelitët njëkohësisht diskreditojnë Bashkimin Sovjetik, i cili hiqet si “mbrojtësi i Egjiptit dhe i popujve arabë”. Në fakt, Bashkimi Sovjetik u jep arabëve armatim të vjetër mbrojtës dhe jo sulmi, dhe në çdo avion, pale në repartet ushtarake, ka nga një aviator sovjetik, që nuk e lë avionin të ngrihet, pa urdhrin e shtabit sovjetik në Egjipt.

DURRËS, E MARTË, 28 KORRIK 1970

TË VAZHDOJË POLITIKA JONE E DREJTE PER LINDJEN E MESME

Dhashë udhëzime për qëndrimin tonë, në lidhje me fillimin e kompromisit midis Naserit dhe amerikanëve, për paqe me Izraelin. Të vazhdojë puna jonë propagandistike, në mbrojtjen e tezave tona të mëparshme, në demaskimin e “Planit Roxhers”, të komplotit sovjeto-amerikan dhe për mbrojtjen e luftës çlirimtare të popullit palestinez, për të drejtat e veta. Konfliktin në mes Naserit dhe vendeve të tjera arabe, ta pasqyrojmë realisht, me tendenca në disfavor të Naserit, pse ai kapitulloi. Memorie.al

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

5 këshilla si të shtroni tryezën për Krishtlindje

5 këshilla si të shtroni tryezën për Krishtlindje