‘Irani ishte një komb jashtë kontrollit dhe do të na kishte sulmuar nëse nuk do ta kisha bërë unë i pari.’ Kështu deklaroi Donald Trump në një aktivitet në Shtëpinë e Bardhë. Fox News thotë se mijëra luftëtarë kurdë kanë nisur një ofensivë tokësore kundër Iranit.

‘Nëse nuk do të kishim vepruar ne të parët, ata do ta kishin bërë ndaj Izraelit,’ shtoi Trump. ‘Nëse nuk do të kishim goditur brenda dy javësh, ata do të kishin pasur një armë bërthamore.’

Ndërkohë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Baghdad u ka bërë thirrje qytetarëve të saj që të largohen menjëherë nga Iraku, pasi furnizimi me energji elektrike është ndërprerë plotësisht në të gjitha provincat e vendit.

“Qytetarët amerikanë në Irak inkurajohen fuqimisht të largohen sapo të jenë në gjendje ta bëjnë këtë në mënyrë të sigurt dhe të qëndrojnë brenda shtëpive derisa kushtet të jenë të sigurta për nisje”, deklaroi ambasada në platformën X. “Nëse është e sigurt për ta bërë këtë, amerikanët duhet të largohen nga Iraku tani.”

Mbi 17.500 amerikanë janë kthyer në Shtetet e Bashkuara që kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën luftën kundër Iranit. Mbi 8.500 prej tyre janë kthyer vetëm dje, deklaroi zëvendëssekretari i Shtetit, Dylan Johnson.

Ceremonia funebre për ajatollahun Ali Khamenei, e planifikuar për sot në Teheran, është shtyrë, njofton televizioni shtetëror. Ceremonia treditore ishte paralajmëruar të niste sot në orën 22:00 lokale. Shkak për shtyrjen janë bërë problemet logjistike, përfshirë kërkesat e njerëzve nga provinca të ndryshme për të marrë pjesë në ceremoni.

Raketat dhe dronët nuk ndalen, Lindja e Mesme mbetet ende tokë përplasjesh. Ndërsa sulmet e Izraelit ndaj Teheranit vazhdojnë dhe Forcat e Mbrojtjes së Izraelit godasin në Liban, Irani ka zgjedhur si Udhëheqës të ri Suprem Mojtaba Khamenein, djalin e ajatollahut Ali, të vrarë në orët e para të konfliktit.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka kërkuar eliminimin e tij: "Çdo udhëheqës i emëruar nga regjimi terrorist iranian për të vazhduar planin për të shkatërruar Izraelin, kërcënuar Shtetet e Bashkuara, botën e lirë dhe vendet e rajonit dhe shtypur popullin iranian, do të jetë një objektiv i qartë për eliminim", tha ai.

Sakaq, Turqia pretendoi se një raketë e shkatërruar në ajër nga NATO, ishte nisur drejt territorit turk. Ky pretendim është rrëzuar më pas nga Ankaraja zyrtare ku sqarohet se “Turqia nuk ishte objektivi” por se raketa ishte drejtuar drejt një baze në pjesën greke të Qipros dhe se ka devijuar nga trajektorja.

Pasdaranët deklarojnë se kanë “kontroll të plotë” mbi Ngushticën e Hormuzit, një pikë kyçe për tregtinë botërore të naftës në hyrje të Gjirit Persik.

“Aktualisht, Ngushtica e Hormuzit është nën kontroll të plotë të Marinës së Republikës Islamike”, tha Mohammad Akbarzadeh, një zyrtar i lartë i marinës.

Një ditë më parë, Trump garantoi se marina amerikane mund të shoqërojë cisternat përmes ngushticës, nëse është e nevojshme.

Agjencia me bazë në SHBA, Human Rights Activists News Agency (Hrana), thotë se janë vrarë mbi 1097 qytetarë, mes tyre 180 fëmijë nën 10 vjeç. Mbi 5402 njerëz janë plagosur. ku 100 prej tyre janë fëmijë.

Ndërkohë, Presidenti Donald Trump u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se “gjithçka është shkatërruar në Iran”, ndërsa një komandant ushtarak amerikan deklaroi se janë goditur më shumë se 2.000 objektiva në vend.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kanë lëshuar një paralajmërim urgjent për civilët më shumë se 13 qytete të Libanit, ndërsa vazhdojnë të godasin ndërtesa që, sipas tyre, janë të lidhura me Hezbollahun.

Pentagoni ka identifikuar katër nga gjashtë ushtarët amerikanë që u vranë në luftën kundër Iranit, duke njoftuar se ata humbën jetën në një sulm me dron në Port Shuaiba, në Kuvajt. Ndërkohë, në Kuvajt sulmet kanë shkaktuar vdekjen e një 11-vjeçareje.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:13
Dhjetëra objektiva të Hezbollahut goditen nga ushtria izraelite, sulme edhe në zonën e Bejrutit

1772662545_00036FR73F.jpg

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë kryer një seri të re sulmesh ajrore kundër objektivave të lëvizjes shiite Hezbollah në Liban, duke goditur dhjetëra baza dhe struktura ushtarake të grupit.

Sipas njoftimit të IDF, operacioni ka pasur si objektiv pika lëshimi raketash dhe misilesh që ndodheshin në jug të lumit Litani. Ushtria izraelite tha se ka goditur edhe objekte që përdoreshin për prodhimin e dronëve dhe mjeteve ajrore pa pilot.

Sipas IDF, këto struktura janë përdorur nga Hezbollah për të planifikuar dhe kryer sulme kundër ushtarëve izraelitë dhe civilëve në Izrael.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se Hezbollah ka sulmuar Izraelin në mbështetje të regjimit iranian dhe se do të përballet me pasojat e veprimeve të tij.

Ushtria izraelite theksoi se do të vazhdojë të veprojë për të mbrojtur shtetin dhe qytetarët e Izraelit.

Po ashtu, IDF njoftoi se ka goditur edhe një tjetër objektiv në zonën e Bejrutit, ndërsa detaje të tjera pritet të jepen më vonë.

Ora 22:57
Media amerikane: Ka nisur një ofensivë tokësore nga mijëra kurdë në Iran

1772605369_luftaniran.jpg

Mijëra luftëtarë kurdë kanë nisur një ofensivë tokësore kundër Iranit. Kështu ka deklaruar një zyrtar amerikan për Fox News.

Lajmi është publikuar gjithashtu nga Axios, duke cituar po ashtu burime amerikane, sipas të cilave ofensiva ka nisur në veriperëndim të vendit.

Ora 21:21
Macron: I kërkova Netanyahut të përmbahet nga një ofensivë tokësore në Liban

1772655800_Mac.JPG

Presidenti francez Emmanuel Macron tha se i kërkoi kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu të "përmbahet nga një ofensivë tokësore" në Liban.

"I kërkova kryeministrit izraelit të ruajë integritetin territorial të Libanit dhe të përmbahet nga një ofensivë tokësore", shkroi Macron në rrjetin social ‘X’, pasi forcat tokësore izraelite përparuan në disa qytete dhe fshatra kufitare në Libanin jugor.

Presidenti francez tha se foli gjithashtu me presidentin libanez Joseph Aoun dhe kryeministrin Nawaf Salam, duke theksuar nevojën që grupi militant libanez Hezbollah të "ndërpresë menjëherë sulmet e tij kundër Izraelit".

Ora 20:35
I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për Lindjen e Mesme, Witkoff: Hamasi ishte më i arsyeshëm se Irani në negociata

1772653093_dytiop.JPG

Lëvizja palestineze Hamas ishte treguar "më e arsyeshme" në negociatat me SHBA-në sesa autoritetet iraniane.

Kështu deklaroi i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, në një intervistë në programin e Mark Levin, raportojnë mediat e huaja.

"Mbaj mend t'u thoja disa prej negociatorëve omanë se nuk kisha parë kurrë diçka të tillë në kohën kur negociuam lirimin e pengjeve me Hamasin", tha Witkoff.

"Kur u ulëm në tryezë, ata ishin më të arsyeshëm se këta djem", shtoi ai më tej.

Ëitkoff kujton në veçanti negociatat për lirimin e Edan Alexander, pengut të fundit amerikan të mbajtur.

"Argumenti që u paraqitëm atyre ishte se duke liruar pengun, ata do të ndërtonin kapital politik para Presidentit Trump. Ata na dëgjuan dhe e bënë këtë", kujtoi Witkoff.

Ora 20:22
Shtëpia e Bardhë: Nën udhëheqjen e Trump, regjimi terrorist iranian do të shkatërrohet përfundimisht

1772650727_shtepiaebardhe.webp

Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se regjimi iranian, të cilin e cilësoi si terrorist, do të shkatërrohet përfundimisht nën udhëheqjen e Presidentit Donald Trump.

"Regjimi terrorist iranian po shkatërrohet përfundimisht", tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, gjatë një konference me gazetarët.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë tha gjithashtu se regjimi iranian ishte sponsori kryesor shtetëror në botë i terrorizmit, por sipas saj, kjo epokë ka përfunduar.

"47 vitet në të cilat ai ishte në gjendje të ishte sponsori kryesor shtetëror në botë i terrorizmit kanë mbaruar. Udhëheqësit iranianë po paguajnë me gjakun e tyre për krimet e tyre", shtoi Leavitt.

Ajo tha gjithashtu se si Teherani ka "lehtësuar vrasjen e qytetarëve amerikanë dhe është përpjekur të shkatërrojë qytetërimin perëndimor" në vitet e fundit.

Ora 20:13
Shtëpia e Bardhë: Trump ka biseduar me udhëheqësit kurdë për bazën në Irak, nuk ka plan për të armatosur grupin

1772471690_donaldtrump.jpg

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, “ka biseduar me udhëheqësit kurdë lidhur me bazën tonë në veri të Irakut,” tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, gjatë një konferencë për shtyp me gazetarët.

“A por sa i përket çdo lajmi që sugjeron se Trump ka pranuar të armatosë ndonjë grup, kjo është krejtësisht e rreme,” shtoi ajo.

Ora 20:11
Shtëpia e Bardhë: Teherani nuk do të kontrollojë ngushticën e Hormuzit

1771776996_karolineleavitt.png

“Industria botërore e energjisë do të përfitojë nga këto veprime ndaj Iranit. Ai nuk do të kontrollojë më ngushticën e Hormuzit dhe nuk do të kufizojë më lirinë e rrjedhjes së energjisë,” deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.

Ora 19:57
Shtëpia e Bardhë: Spanja ka pranuar të bashkëpunojë me SHBA-në lidhur me situatën për Iranin! Mediat spanjolle e përgënjeshtrojnë

1772650727_shtepiaebardhe.ëebp

Spanja ka pranuar të bashkëpunojë me ushtrinë e Shteteve të Bashkuara lidhur me situatën për Iranin, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, pas kritikave të Donald Trump ndaj Madridit.

Por, burime qeveritare i kanë mohuar gazetës El País se Spanja do të “bashkëpunojë ushtarakisht” me Shtetet e Bashkuara, siç deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë.

Ora 19:29
Lufta me Iranin i kushton Izraelit 3 miliardë dollarë në javë

1772649132_still210171043173488487still.jpg

Lufta me Iranin po i kushton shtrenjtë Izraelit. Ekonomia e vendit po humbet rreth 9.4 miliardë shekelë në javë, afërsisht 3 miliardë dollarë, nëse kufizimet kombëtare vazhdojnë.

Vlerësimi vjen nga Ministria izraelite e Financave, e cila paralajmëron se masat e sigurisë po godasin rëndë aktivitetin ekonomik.

Komanda e Frontit të Brendshëm e ushtrisë izraelite vendosi që kufizimet të zgjasin deri në mbrëmjen e së shtunës, 7 mars. Masat ndalojnë grumbullimet, aktivitetet arsimore dhe hyrjen në shumicën e vendeve të punës, me përjashtim të shërbimeve thelbësore.

Punonjësit janë të detyruar të punojnë nga shtëpia dhe shkollat mbeten të mbyllura, ndërsa lëvizjet për të shkuar në punë janë të kufizuara.

Drejtori i përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Ilan Rom, i ka kërkuar ushtrisë që të lehtësojë masat dhe të kalojë në një regjim aktiviteti të kufizuar, në mënyrë që ekonomia të nisë të hapet gradualisht që nga nesër.

“Nuk ka debat për nevojën e masave të sigurisë, por mbyllja në shkallë të gjerë e ekonomisë ka kosto shumë të rënda”, tha Rom.

Ai theksoi se ekonomia izraelite ka paguar një çmim të lartë gjatë dy viteve e gjysmë të fundit për shkak të rritjes së kërkesave të sigurisë dhe pasojave të luftës me Hamasin.

Ora 16:54
Lufta mes Iranit dhe Izraelit e SHBA-së, Kina do të çojë të dërguarin e posaçëm në Lindjen e Mesme për ndërmjetësim

1772639833_rstyuui.jfif

Kina do të dërgojë një të dërguar të posaçëm në Lindjen e Mesme për ndërmjetësim, pas shpërthimit të konfliktit mes Iranit dhe Izraelit e SHBA-së.

Mediat e huaja, të cilat citojnë agjencinë kineze të lajmeve Xinhua, bëjnë të ditur se Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, tha se Kina do të dërgojë të dërguarin e saj të posaçëm për çështjet e Lindjes së Mesme në rajon, për të ndërmjetësuar për zgjidhjen e situatës.

Kujtojmë se prej disa ditësh, Irani është përfshirë në një konflit të hapur me Izraelin dhe SHBA-të, pasi këta të fundit sulmuan befasisht liderët politikë të Teheranit duke vrarë 49 prej tyre, mes të cilëve edhe Liderin Suprem Ajatollah Ali Khamenei.

Ora 16:34
Turqia: Nuk ishim objektivi i raketës së Iranit që shkatërroi Nato

1772638762_raketaturqi.jpg

Pasi mbrojtja ajrore e NATO-s, shkatërroi në ajër një raketë iraniane pranë hapësirës ajrore të Turqisë, Ankaraja dha sqarime pas deklaratës së Ministrisë së Mbrotjes e cila konfirmoi sulmin. Turqia “nuk ishte objektivi” i raketës së lëshuar nga Irani dhe e drejtuar drejt hapësirës ajrore të Ankarasë, përpara se të interceptohej nga sistemet e mbrojtjes së NATO-s. Këtë e ka bërë të ditur për AFP një zyrtar turk. “Ne besojmë se ajo ishte drejtuar drejt një baze në pjesën greke të Qipros, por ka devijuar nga trajektorja”, shpjegoi ai.

Ora 16:18
Nëndetësja amerikane fundos anijen iraniane, VIDEO nga sulmi! Të paktën 80 viktima

Një anije luftarake iraniane, IRIS Dena, është fundosur pranë brigjeve të Sri Lanka. Sipas burimeve të marinës dhe Ministrisë së Mbrojtjes së vendit, anija është goditur nga një sulm me nëndetëse dhe më pas është mbytur.

Ky informacion u konfirmua fillimisht nga tre burime ushtarake amerikane, në mënyrë anonime, për agjencinë Reuters. Më pas, shefi i Pentagonit, Pete Hegseth, deklaroi publikisht se anija ishte goditur nga forcat e armatosura amerikane me një nëndetëse.

Ende nuk dihet saktësisht sa persona ndodheshin në bord në momentin e sulmit. Autoritetet e Sri Lankës kanë sqaruar se anija nuk ndodhej brenda ujërave territoriale të vendit. Deri tani janë shpëtuar 32 persona, ndërsa numri i viktimave është të paktën 80.

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Sri Lankës theksoi se forcat vendase nuk kishin konstatuar praninë e anijeve apo avionëve të tjerë në zonë në momentin e fundosjes. “Shpresojmë të shpëtojmë persona të tjerë dhe do të vazhdojmë operacionet derisa të jemi plotësisht të sigurt”, u shpreh ai.

Ndërkohë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kishte deklaruar ditët e fundit se synonte shkatërrimin e plotë të marinës iraniane. Gjatë një deklarate për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, ai tha: “Aviacioni është shkatërruar, marina është shkatërruar, mbrojtja kundërajrore është shkatërruar dhe nuk kanë më shumë raketa.”

Dy ditë më parë, në rrjetin social Truth Social, Trump kishte shkruar se SHBA kishte shkatërruar dhe fundosur 9 anije të Marinës iraniane, disa prej tyre të mëdha dhe të rëndësishme, duke paralajmëruar se edhe anijet e mbetura do të kishin të njëjtin fat./ Corriere della Sera

Ora 15:36
Kërcënimet e Iranit për sulme, bie me rreth 90% qarkullimi i anijeve në Ngushticën e Hormuzit

1772635064_Hormuz.JPG

Trafiku i anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit po vazhdon të zvogëlohet, me shumë anije cisterna gazi dhe nafte që ngurrojnë të kalojnë, pasi i tremben rrezikut të një sulmi të mundshëm iranian.

Sipas mediave të huaja, Claire Jungman, nga kompania e inteligjencës energjetike Vortexa, thotë se mesatarisht 24 anije cisternë në ditë kanë kaluar nëpër këtë rrugë ujore midis janarit dhe momentit të shpërthimit të luftës.

Firma e inteligjencës detare Kpler i ka thënë BBC Verify se lëvizjet e anijeve nëpër ngushticë ranë me rreth 90% midis 2 dhe 3 marsit, krahasuar me mesataren për periudhën 21 deri në 27 shkurt.

Në 24 orët e fundit, BBC Verify ka identifikuar të paktën dy anije mallrash, të dhënat e gjurmimit të të cilave tregojnë se ato udhëtuan nga lindja në perëndim përmes Ngushticës së Hormuzit në Gjirin Persik.

Kohët e fundit, sinjali i gjurmuesve në bord të një numri anijesh, përfshirë një me flamur të Indisë, është zhdukur ose ka treguar shenja bllokimi.

Ora 15:30
Shefi i Pentagonit: Personi që tentoi të vrasë Trumpin para 2 vitesh u vra në sulmet në Iran

1772634782_petehegseth.jpg

Foto: Pete Hegseth

Personi që udhëhoqi një komplot për të vrarë Donald Trump u vra gjatë sulmeve ndaj Iranit, konfirmoi të mërkurën shefi i Pentagonit, Pete Hegseth.

“Udhëheqësi i njësisë që tentoi të vriste Presidentin Trump është gjurmuar dhe është vrarë”, tha Hegseth në një konferencë për shtyp.

Komploti daton që nga viti 2024, kur prokurorët federalë nën administratën e Joe Biden akuzuan shtetasin iranian 51-vjeçar Farhad Shakeri dhe dy të tjerë nga Nju Jorku për drejtimin e një operacioni vrasjeje me pagesë në emër të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike.

Qëllimi, sipas Departamentit të Drejtësisë në atë kohë, ishte hakmarrja për vrasjen nga Trump të gjeneralit iranian Qasem Soleimani në vitin 2020.

Ora 14:59
Zyrtari turk: Turqia nuk ishte shënjestër e raketës iraniane, objektiv baza ushtarake në Qipro

Turqia “nuk ishte shënjestër” e një rakete të lëshuar nga Irani, që shkonte drejt hapësirës ajrore turke, e cila u shkatërrua nga sistemet e mbrojtjes ajrore të NATO-s, tha një zyrtar turk për agjencinë e lajmeve AFP.

“Ne besojmë se synonte një bazë në Qipron Greke, por doli nga drejtimi”, tha zyrtari turk.

Ora 14:27
Rrëzoi raketën iraniane të nisur drejt Turqisë, NATO: Qëndrojmë krah aleatëve tanë

1760107599_flamuriinatos.png

NATO ka dënuar lëshimin e një rakete balistike nga Irani drejt Turqisë, duke deklaruar se qëndron fuqishëm në krah të të gjithë aleatëve të saj. Më herët, Ministria turke e Mbrojtjes kishte bërë të ditur se mbrojtja ajrore e NATO-s kishte rrëzuar raketat balistike iraniane të lëshuara drejt hapësirës ajrore turke. Ministria turke shtoi më pas se Ankaraja do të bisedojë me NATO-n dhe me aleatët e tjerë lidhur me atë që ka ndodhur.

Ora 13:02
NATO rrëzon raketën e lëshuar nga Irani drejt Turqisë, Ministria e Mbrojtjes turke: Kemi të drejtën për tu kundërpërgjigjur

Një raketë balistike e lëshuar nga Irani dhe e drejtuar për në hapësirën ajrore turke pasi fluturoi mbi Sirinë dhe Irakun u shkatërrua nga sistemet e mbrojtjes ajrore dhe raketore të NATO-s në Mesdheun lindor, tha Ministria Turke e Mbrojtjes. Ministria deklaroi në një deklaratë se nuk pati viktima ose të plagosur në incident, duke shtuar se Turqia rezervon të drejtën për t'iu përgjigjur çdo veprimi armiqësor kundër saj, ndërsa paralajmëroi palët të përmbahen nga veprimet që mund të përshkallëzojnë konfliktin.

Ora 12:21
SHBA sulmon anijen iraniane në Sri Lanka, raportohen mbi 140 të zhdukur dhe 32 të plagosur

Të paktën 140 persona janë zhdukur dhe 32 të tjerë janë plagosur pas një sulmi nënujor ndaj një anije iraniane pranë bregdetit të Sri Lankës, raportojnë Marina dhe Ministria e Mbrojtjes vendase.

Ushtria amerikane ka shënjestruar anije iraniane në Lindjen e Mesme. Komandati i forcave amerikane deklaroi të martën se deri më tani janë shkatërruar 17 mjete lundruese iraniane.

Ora 12:15
Shtyhet ceremonia për varrimin e Khameneit, televizioni iranian: Data e re do të njoftohet së shpejti

1772622993_1772347234alikhamenei.jpg

Ceremonia funebre për ajatollahun Ali Khamenei, e planifikuar për sot në Teheran, është shtyrë, njofton televizioni shtetëror. Si shkak për shtyrjen janë cilësuar kërkesat e njerëzve nga provinca të ndryshme për të marrë pjesë në ceremoni.

“Duke marrë parasysh pjesëmarrjen pa precedent të njerëzve në funeral, ceremonia e ndarjes me trupin e Imamit martir të Ummah është shtyrë, dhe data e re do të njoftohet së shpejti,” shpjegoi gazetarja.

Ora 11:00
Goditet naftëmbajtësja pranë brigjeve të Fujairah

Një naftëmbajtëse është goditur pranë brigjee të Fujairah, një prej Emirateve të Bashkuara Arabe. Autoriteti detar britanik thotë se në anije janë gjetur “mbetje të një predhe të panjohur” dhe se të gjithë anëtarët e ekuipazhit janë të sigurt.

Ora 10:49
Të dyshuar për spiunazh e sabotim, Katari arreston 10 anëtarë të Pasdaranëve

Katar ka njoftuar arrestimin e të paktën dhjetë personave, të “dyshuar” se i përkisnin dy “qelizave” të Gardës së Revolucionit Islamik që vepronin në territorin e tij për spiunazh dhe sabotim.

Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve të Katarit, QNA, “operacione të thelluara monitorimi dhe ndjekjeje kanë çuar në kapjen” e këtyre individëve, “shtatë prej të cilëve ishin të ngarkuar me aktivitetet e spiunazhit dhe mbledhjes së informacionit mbi infrastrukturat jetësore ose ushtarake të vendit”.

Të arrestuarit e tjerë “ishin caktuar për operacione sabotimi dhe ishin trajnuar për përdorimin e dronëve”. Autoritetet zbuluan se ata kishin “pozicione dhe koordinata të strukturave dhe komplekseve”, si dhe pajisje komunikimi dhe teknologjike.

“Gjatë hetimeve, të dyshuarit pranuan lidhjet e tyre me Gardën e Revolucionit dhe deklaruan se ishin ngarkuar me kryerjen e misioneve të spiunazhit dhe nënshtrimit të vendit”, thuhet në komunikatën zyrtare.

Ora 10:39
CNN: CIA po punon për të armatosur forcat kurde për një kryengritje në Iran

CIA, agjencia amerikane e inteligjencës, po punon për të armatosur forcat kurde me qëllim të nxitjes së një kryengritjeje të re popullore në Iran, raporton CNN, duke cituar disa burime të cilat janë në dijeni të planit.

Sipas tyre, administrata Trump është aktualisht në kontakt me organizatat opozitare iraniane dhe udhëheqësit kurdë në Irakun fqinje, dhe po vlerëson mundësinë e dërgimit të ndihmës ushtarake.

Ora 10:35
Objekti i dyshimtë mbi Liban, Qipro: Hapësira ajrore nuk është mbyllur

Qeveria e Qipros ka hedhur poshtë raportimet se hapësira ajrore mbi aeroportin e Larnacas ishte mbyllur pas vërejtjes së një objekti të dyshimtë mbi Liban.

Një zëdhënës qeveritar tha se dy fluturimeve iu kërkua të qëndronin në pritje për një periudhë të shkurtër kohe, pasi u vërejt “objekti i mundshëm i dyshimtë”.

“Kapiteni i njërës nga dy fluturimet vendosi të kthehej në Athinë, ndërsa fluturimi i dytë u ul normalisht pak më vonë,” shtoi zëdhënësi. “Hapësira ajrore vazhdon të funksionojë normalisht.”

Ora 10:29
Dështimi i negociatave SHBA-Iran, ministri i Jashtëm iranian akuza Trump: I trajtoi si transaksion prone

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ka akuzuar Donald Trump për “bombardim të tryezës së negociatave nga inati”, në një postim të ri në rrjetet sociale.

“Kur negociatat komplekse bërthamore trajtohen si një transaksion prone dhe kur gënjeshtra të mëdha errësojnë realitetin, pritshmëritë joreale nuk mund të përmbushen,” thotë ai. “Rezultati? Bombardimi i tavolinës së negociatave nga inati.”

Trump “tradhtoi diplomacinë dhe amerikanët që e votuan”, shton Araghchi.

Ora 08:46
Mes vajit e gëzimit në Iran, nis sot ceremonia treditore për vdekjen e Khameneit

Iranianët do t’i japin lamtumirën ajatollahut Ali Khamenei në një ceremoni treditore që nis sot në Teheran, raporton media shtetërore.

Udhëheqësi suprem u vra në valën e parë të sulmeve SHBA-Izrael të shtunën në mëngjes.

Ceremonia do të fillojë në sheshin e lutjeve Imam Khomeini, e njohur si Mosalla në Teheran në orën 22:00 lokale (19:30). Ceremonia do të zgjasë tri ditë, ndërsa detajet për funeralin do të përfundojnë së shpejti.

Reagimet në rrugët e Iranit ndaj vdekjes së udhëheqësit suprem kanë qenë të përziera: disa pjesë të shoqërisë po festojnë, ndërsa të tjerët po vajtojnë.

Nga ana tjetër, djali i Khameneit, Mojtaba është lideri i ri i vendit, edhe pse kjo është raportuar nga mediat dhe ende jo në rrugë zyrtare.

Ora 08:37
U goditën nga droni iranian në Kuvajt, SHBA-të identifikojnë katër prej ushtarëve të vrarë

Pentagoni ka publikuar emrat e katër nga gjashtë ushtarëve amerikanë që u vranë gjatë luftës me Iranin.

Ushtarët e identifikuar janë:

Kapiteni Cody A. Khork, 35 vjeç, nga Winter Haven, Florida

Nënoficeri i Klasës 1 Noah L. Tietjens, 42 vjeç, nga Bellevue, Nebraska

Nënoficeri i Klasës 1 Nicole M. Amor, 39 vjeç, nga White Bear Lake, Minnesota

Specialisti Declan J. Coady, 20 vjeç, nga West Des Moines, Iowa

Pentagoni njoftoi se të katër u vranë nga një dron iranian që goditi vendin ku ata po punonin në Port Shuaiba, Kuvajt, të dielën. Të gjithë ishin rezervistë të Ushtrisë Amerikane, të caktuar në Komandën e 103-të të Mbështetjes në Des Moines, Iowa.

Ora 08:32
Raketa iraniane godet bazën ajrore amerikane në Katar

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Katarit, vendi është sulmuar nga dy raketa balistike iraniane.

Njëra nga këto raketa u kap nga sistemet e mbrojtjes ajrore të Katarit, ndërsa tjetra goditi bazën ajrore amerikane në Al Udaid, e cila është edhe më e madhja në rajon.

Katari raporton se nuk ka pasur viktima.

Ora 08:27
Izraeli sulmon “selitë e sigurisë” në të gjithë Teheranin

Sipas zëdhënësit arab të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), Avichay Adraee, Izraeli ka goditur dhjetëra objektiva ushtarake në të gjithë Teheranin.

Sulmet kishin si shënjestër selitë e Basij-it, një forcë paramilitare e lidhur me Gardën e Revolucionit Islamik, si dhe lëshuesit e raketave, sistemet e mbrojtjes dhe drejtorinë e furnizimit dhe logjistikës të lidhur me forcat tokësore të regjimit.

Adraee shton se IDF do të vazhdojë të “forcojë sulmet” mbi infrastrukturën e regjimit iranian.

Ora 08:17
Ministri izraelit i Mbrojtjes: Eliminoni pasardhësin e Khameneit

Kushdo që emërohet nga regjimi iranian për të zëvendësuar Ali Khamenein në rolin e udhëheqësit “do të jetë pa dyshim një objektiv për eliminim”, tha ministri izraelit i Mbrojtjes.

“Çdo udhëheqës i emëruar nga regjimi terrorist iranian për të vazhduar planin për të shkatërruar Izraelin, kërcënuar Shtetet e Bashkuara, botën e lirë dhe vendet e rajonit dhe shtypur popullin iranian, do të jetë një objektiv i qartë për eliminim”, deklaroi Israel Katz.

“E rëndësishme nuk është se si quhet apo ku fshihet”, shtoi ai. “Ne do të vazhdojmë të veprojmë me gjithë forcën, së bashku me partnerët tanë amerikanë, për të çmontuar kapacitetet e regjimit dhe për të krijuar kushtet që populli iranian ta rrëzojë dhe ta zëvendësojë atë”, përfundoi Katz.