Nga fillimi i janarit 2026, 37 organizata humanitare ndërkombëtare do të ndalohen të hyjnë në Rripin e Gazës. Izraeli i akuzon ato për shkelje të rregullave të reja të qeverisë, sipas së cilave kërkohet një verifikim i organizatave ndërkombëtare që veprojnë në Gazë. Për to do të ndalohet puna humanitare, përfshirë këtu edhe në territoret palestineze që shteti hebre i ka pushtuar ose i kontrollon prej dekadash, përfshirë Gazën. Ato kanë kohë deri në mars për t’u larguar. Organizatat humanitare dhe disa përfaqësi diplomatike po përpiqen të protestojnë, por asgjë nuk tregon se Izraeli është i gatshëm të bëjë hap pas. Frika është se pa një pjesë të konsiderueshme të OJQ-ve, situata humanitare e palestinezëve do të përkeqësohet edhe më shumë.
Mes organizatave të prekura është edhe organizata "Mjekët pa Kufij”. Sipas Ministrisë izraelite të Diasporës kjo organizatë akuzohet se nuk ka sqaruar në mënyrë të mjaftueshme detyrat e anëtarëve të stafit, të cilët Izraeli i ka akuzuar për bashkëpunim me Hamasin dhe grupe të tjera militante.
Reagimi i menjëhershëm ka ardhur edhe nga BE dhe OKB. “Planet e Izraelit për të bllokuar OJQ-të ndërkombëtare në Gaza do të thonë bllokim të ndihmave që shpëtojnë jetë”, ka shkruar në X Hadja Lahbib, komisionere evropiane për bashkëpunim ndërkombëtar. “Pezullimi nga Izraeli i shumë agjencive humanitare nga Gaza është skandaloz”, ka deklaruar Volker Turk, përgjegjësi për të drejtat e njeriut në Kombet e Bashkuara. Edhe Hamas, në një njoftim, e ka quajtur “kriminale” vendimin e Izraelit.
Izraeli hedh poshtë idenë se dëbimi i OJQ-ve mund të ketë pasoja në nivel humanitar. “Fluksi do të vazhdojë përmes kanaleve që respektojnë rregulloret kombëtare, përfshirë agjencitë e OKB-së dhe organizatat humanitare” që janë përshtatur me to. Sipas ministrisë përgjegjëse (këtu, në mënyrë të çuditshme, asaj të Diasporës), 37 organizatat që po dëbohen përbëjnë vetëm 15% të atyre të autorizuara dhe, të gjitha së bashku, përfaqësojnë vetëm 1% të volumit të ndihmave.
“Ky 1%, kundërpërgjigjen ato, llogaritet mbi bazën e numrit të kamionëve që hynin në Gaza para luftës.” Kirurgët e “Mjekëve pa Kufij” që shpëtojnë jetë mes çadrave të Gazës, teknikët e “Oxfam”-it që bëjnë të funksionojnë impiantet e ujit të pijshëm, për shembull, nuk futen në paletat e kamionëve, por bëjnë një punë të paçmueshme. Nëse kjo do të kthehet në një shtysë të mëtejshme drejt tragjedisë humanitare që po zhvillohet në Gaza, mbetet për t’u parë. Aktualisht nyja kryesore është qartësisht politike dhe ka shumë ngjashmëri me ndalimin nga Izraeli të hyrjes së gazetarëve të huaj në Rripin e Gazës. Shteti hebre po tregohet gjithnjë e më pak i gatshëm të pranojë vëzhgues të pavarur që mund të ngrejnë kritika ndaj veprimeve të tij.
Procedura e ri-autorizimit të OJQ-ve ka nisur në mars të vitit të kaluar. Pika më e debatueshme është kërkesa për të dorëzuar të gjitha të dhënat e punonjësve, përfshirë profilet në rrjetet sociale, emailet dhe numrat privatë të telefonit. Në një shtet me aftësitë e interceptimit që ka Izraeli, çdo mendim kundërshtues i shprehur, edhe në të kaluarën, mund të sjellë mosdhënien ose revokimin e autorizimit. Procedura bie në kundërshtim me legjislacionin evropian mbi privatësinë dhe me të drejtën e fjalës së lirë.
Edhe në të kaluarën parime të ngjashme janë treguar burim abuzimesh. Kur Tel Avivi deshi të mbyllte agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA), akuzoi disa prej punonjësve të saj për lidhje me Hamasin. Rastet ishin shumë të pakta krahasuar me dhjetëra mijëra punonjës, pa paraqitur prova dhe pa dhënë të drejtën për t’u mbrojtur. Rezultati megjithatë ishte ai i dëshiruar: UNRWA u mbyll dhe u la hapësirë për një Fondacion shumë më të bindur, të famshmin GHF, Gaza Humanitarian Foundation. GHF u bë e njohur gjatë luftës në Gaza më shumë për vrasjet që ndodhnin në radhët për të marrë pakot ushqimore sesa për efektivitetin në ndihmën ndaj atyre që kishin nevojë. GHF ka mes punonjësve të saj edhe mercenarë amerikanë dhe afrikano-jugorë që kurrë nuk janë treguar të interesuar të shprehen për respektimin ose jo të të drejtave të njeriut nga Tel Avivi.
Ndër rregullat e vendosura për OJQ-të është edhe kontrolli i opinioneve të punonjësve të tyre. Mjafton “një dyshim i arsyeshëm se ata janë shprehur në favor të bojkotit të shtetit hebre ose kanë vënë në dyshim demokracinë e tij apo të drejtën e tij për të ekzistuar” dhe autorizimi mund të refuzohet ose të tërhiqet. Madje ndoshta edhe për një like të vendosur nën një postim vite më parë. Dhe gjithmonë pa të drejtë mbrojtjeje.
Philippe Ribero, drejtues i Mjekëve pa Kufij në territoret palestineze të pushtuara, ka treguar se lidhjet e pretenduara me Hamasin të disa bashkëpunëtorëve nuk janë provuar kurrë nga Izraeli dhe nuk është ofruar mundësia për të kundërshtuar akuzat.
Përveç Oxfam dhe Msf, në listën e zezë janë edhe Komiteti Norvegjez për Refugjatët, Defense for Children International, International Rescue Committee, ActionAid dhe Medico. Më parë ishin dëbuar edhe organizata të tjera të njohura dhe shumë të respektuara si Save the Children.
Në një komunikatë të përbashkët, ministrat e Jashtëm të Britanisë së Madhe, Francës, Kanadasë, Danimarkës, Finlandës, Islandës, Japonisë, Norvegjisë, Suedisë dhe Zvicrës iu kanë bërë apel Izraelit që të rishqyrtojë masën.
Komente








