Mesazhi i Krishtlindjes “Urbi et Orbi” i Papës, si çdo vit, bën thirrje për paqe në botën e ndarë, por Papa Leone XIV e bën këtë me delikatesë përmes vargjeve të Yehuda Amichai, ndoshta poetit më të madh izraelit, i cili deri në fund mbeti mbështetës i paqes me palestinezët: "Jo paqja e një armëpushimi, / as vizioni i ujkut dhe i qengjit, / por përkundrazi / si në zemër kur eksitimi mbaron / dhe mund të flitet vetëm për një lodhje të madhe. / (…) Le të vijë / si lulet e egra, / papritur, sepse fusha / ka nevojë për të: paqe e egër."

Në Krishtlindjen e tij të parë si Peshkop i Romës, Papa shfaqet në mesditë nga Lozha e Bekimeve me mesazhin tradicional që çdo vit rikujton plagët e botës, nga Lindja e Mesme deri te “populli i martirizuar ukrainas”, e më gjerë në gjithë Evropën, që të mbetet “mikpritëse” dhe “besnike ndaj rrënjëve të saj të krishtera dhe historisë së saj”. Duke u bërë njeri, thotë ai, “Jezusi merr mbi vete brishtësinë tonë, identifikohet me secilin prej nesh: me ata që nuk kanë më asgjë dhe kanë humbur gjithçka, si banorët e Gazës; me ata që janë të pushtuar nga uria dhe varfëria, si populli jemenas; me ata që janë në arrati nga vendi i tyre për të kërkuar një të ardhme diku tjetër, si shumë refugjatë dhe emigrantë që kalojnë Mesdheun apo përshkojnë Kontinentin Amerikan; me ata që kanë humbur punën dhe me ata që ende e kërkojnë, si shumë të rinj që e kanë të vështirë të gjejnë një punë; me ata që shfrytëzohen, si shumë punëtorë të nënpaguar; me ata që janë në burg dhe shpesh jetojnë në kushte çnjerëzore”.

Duke cituar Shën Augustinin: “Zoti, që na ka krijuar pa ne, nuk mund të na shpëtojë pa ne”, Papa i frymëzuar nga tradita augustiniane, u drejtohet të gjithëve duke treguar se “përgjegjësia” personale është e vetmja rrugëdalje: “Kush nuk do, nuk shpëtohet, është i humbur, dhe kush nuk e do vëllain që e sheh, nuk mund ta dojë Zotin që nuk e sheh. Motra dhe vëllezër, ja rruga e paqes: përgjegjësia. Nëse secili prej nesh, në çdo nivel, në vend që të akuzojë të tjerët, do të pranonte para së gjithash mungesat e veta, do t’i kërkonte falje Zotit dhe në të njëjtën kohë do të vihej në vendin e atij që vuan, do të shprehte solidaritet me më të dobëtin dhe të shtypurin, atëherë bota do të ndryshonte”.

Ne të gjithë “mundemi dhe duhet të bëjmë pjesën tonë për të larguar urrejtjen, dhunën, përplasjen dhe për të ushtruar dialogun, paqen, pajtimin”.

Të gjithë skenat e dhimbjes, nga Lindja e Mesme te Palestina

Lista e dhimbjeve, si çdo vit, është shumë e gjatë. “Në këtë ditë feste, dëshiroj të dërgoj një përshëndetje të ngrohtë dhe atësore për të gjithë të krishterët, në mënyrë të veçantë për ata që jetojnë në Lindjen e Mesme, të cilët pata mundësinë t’i takoja së fundmi në udhëtimin tim të parë apostolik”, fillon Papa Leone: “Kam dëgjuar frikërat e tyre dhe e njoh mirë ndjenjën e tyre të pafuqisë përballë dinamikave të pushtetit që i tejkalojnë. Fëmija që lind sot në Betlehem është i njëjti Jezus që thotë: ‘Gjeni paqe në mua. Në botë do të keni mundime, por bëhuni të guximshëm: unë e kam mundur botën!’. Prej Tij kërkojmë drejtësi, paqe dhe stabilitet për Libanin, Palestinën, Izraelin, Sirinë, duke u mbështetur në këto fjalë hyjnore: ‘Ushtrimi i drejtësisë do të sjellë paqe. Nderimi i drejtësisë do të sjellë qetësi dhe siguri përgjithmonë’”, shton ai duke cituar Isainë. Dhe më tej: “Princit të Paqes ia besojmë të gjithë kontinentin europian, duke i kërkuar të vazhdojë të frymëzojë një frymë komunitare e bashkëpunuese, besnike ndaj rrënjëve të saj të krishtera dhe historisë së saj, solidare dhe mikpritëse ndaj atyre që janë në nevojë”.

Leone XIV fton të lutemi “në mënyrë të veçantë” për “popullin e martirizuar ukrainas” dhe thekson: “Të ndalet gjëmimi i armëve dhe palët e përfshira, me mbështetjen e përpjekjes së bashkësisë ndërkombëtare, të gjejnë guximin për të dialoguar në mënyrë të sinqertë, të drejtpërdrejtë dhe me respekt”. Papa lutet për “paqen dhe ngushëllimin për viktimat e të gjitha luftërave që po zhvillohen në botë, veçanërisht atyre të harruara; si edhe për të gjithë ata që vuajnë për shkak të padrejtësisë, paqëndrueshmërisë politike, përndjekjes fetare dhe terrorizmit”. Ndër ta, “kujtoj në mënyrë të veçantë vëllezërit dhe motrat e Sudanit, Sudanit të Jugut, Malit, Burkina Fasos dhe Republikës Demokratike të Kongos”, shton ai: “Në këto ditë të fundit të Jubileut të Shpresës, t’i lutemi Zotit që u bë njeri për popullin e dashur të Haitit, që të pushojë çdo formë dhune në vend dhe të mund të ecë përpara në rrugën e paqes dhe pajtimit”.

Papa u drejtohet gjithashtu “atyre që në Amerikën Latine mbajnë përgjegjësi politike”“përballë sfidave të shumta, t’i hapin rrugë dialogut për të mirën e përbashkët dhe jo pengesave ideologjike e të njëanshme”. Ai lutet që “Princi i Paqes të ndriçojë Mianmarin me dritën e një të ardhmeje pajtimi: t’u rikthejë shpresën brezave të rinj, të udhëheqë gjithë popullin birman në shtigjet e paqes dhe të qëndrojë pranë atyre që jetojnë pa strehë, pa siguri apo pa besim për të nesërmen”. Po ashtu, “Atij i kërkojmë që të rikthehet miqësia e vjetër mes Tajlandës dhe Kamboxhias dhe që palët e përfshira të vazhdojnë të punojnë për pajtim e paqe”. Papa Leone mendon edhe “për popullsitë e Azisë Jugore dhe Oqeanisë, të goditura rëndë nga fatkeqësitë natyrore të fundit dhe shkatërruese, që kanë prekur rëndë të tëra komunitete”, dhe shton: “Përballë këtyre sprovave, i ftoj të gjithë të rinovojmë me bindje angazhimin tonë të përbashkët për të ndihmuar ata që vuajnë”. Në fund të fundit, kjo vlen për të gjithë: “Në këtë ditë të shenjtë, ta hapim zemrën tonë për vëllezërit dhe motrat që janë në nevojë dhe në dhimbje”.

Pas mesazhit “Urbi et Orbi”, Papa përcolli urimet: “Gëzuar Krishtlindjen! Paqa e Krishtit mbretëroftë në zemrat dhe familjet tuaja”, në rreth dhjetë gjuhë, përfshirë arabishten dhe kinezishten, krahas italishtes, frëngjishtes, anglishtes, gjermanishtes, spanjishtes, portugalishtes, polonishtes dhe në fund latinishtes./Corriere Della Sera