Ushtria izraelite njoftoi të dielën se ka vrarë në një sulm ajror në jug të Gazës komandantin e Hamasit, Samir Mahmoud Hassan Abu Younis, i cili drejtonte Brigadën Rafah prej vetëm dy muajsh.

Sipas ushtrisë izraelite, Abu Younis kishte luajtur rol kryesor në planifikimin e sulmit të 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit dhe ishte përfshirë në sulme kundër civilëve dhe ushtarëve izraelitë.

Edhe Brigadat Al-Qassam të Hamasit e përshkruan atë si një nga komandantët kryesorë të përfshirë në planifikimin dhe mbikëqyrjen e sulmit të 7 tetorit.

Abu Younis kishte marrë drejtimin e Brigadës Rafah pas vrasjes së paraardhësit të tij, Nael Abu Obeid, më 15 shtator.

Vrasja ndodh ndërsa në Gaza vijon armëpushimi i brishtë, në fuqi që prej tetorit 2025. Ndërkohë, plani i paqes i presidentit amerikan Donald Trump mbetet i bllokuar për shkak të mosmarrëveshjeve për çarmatimin e Hamasit dhe tërheqjen e trupave izraelite nga Gaza.