Shqiptari Baki Goxhaj, është arrestuar nga pala izraelite në ujërat ndërkombëtare teksa ndodhej në bordin e anijes humanitare ‘Sumud’ për të dërguar ndihma në Gaza.
Postimi i fundit i Goxhajt në rrjetin social në facebook është rreth 13 orë më parë. Në një video të publikuar nga bordi i anijes, Baki Goxhaj dënon bashkëpunimin e qeverisë së kryeministrit Edi Rama me atë të Benjamin Netanyahut, teksa thotë se izraelitët po kryen masakra të papërshkrueshme ndaj një popullsie të tërë.
Postimi i Baki Goxhajt
Një nga faqet më të ndritura në historinë e Shqipërisë është mbrojta në bllok e hebrenjve kundër nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Çfarë i jep akoma më shumë peshë kësaj ngjarjeje është fakti që kjo ndodhi kur pothuajse të gjitha vendet europiane i mblodhën dhe i dorëzuan hebrenjtë e tyre tek nazistët.
Për mua si musliman shqiptar, kjo është në krye të listës së gjërave që më bëjnë krenar që jam shqiptar. Kjo vepër e mbajtjes së besës dhe njëkohësisht plotësimit të konceptit islam “kush shpëton një jetë është sikur ka shpëtuar gjithë njerëzimin”, do të jetë e pashlyeshme nga kujtesa historike e botës për shekuj me radhë.
Kjo vepër monumentale e paraardhësve tanë e bën Shqipërinë relevante në arenën ndërkombëtare kur vjen fjale për mbrojtjen e popujve të shtypur dhe korrigjimin e padrejtësive historike ndaj tyre. Për më tepër që ne i kemi hequr në kurriz padrejtësitë e shteteve të mëdha me copëtimin që u kanë bërë trojeve shqiptare.
Si popull i ngritur mbi këtë platformë historike, gjendemi sot para një realiteti absurd. Qeveria Rama ka zgjedhur ta injorojë gjithë trashëgiminë tonë historike dhe të bëhet bashkëpunëtore e ngushtë e regjimin famëkeq të Izraelit ndërkohë që ky regjim po kryen masakra të papërshkrueshme mbi një popullsi të tërë.
Lajmi kryesor:
Po dërgonte ndihma në Gaza, aktivisti shqiptar arrestohet nga izraelitët në bordin e flotiljes 'Sumud'! Ministria e Jashtme për Report Tv: Po merremi me rastin







