Një shqiptar, pjesë e flotiljes humanitare ‘Sumud’ që shkon për të dhuruar ndihma në Gaza, është arrestuar nga autoritetet izraelite. Shqiptari i arrestuar në ujërat ndërkombëtare është aktivisti Baki Goxhaj.
Ministria e Jashtme në një reagim për Report Tv është shprehur se është në dijeni të rastit dhe se po ndiqet nëpërmjet kanaleve diplomatike për të marrë një informacion të plotë mbi rrethanat si dhe për të garantuar të drejtat e tij të plota.
Reagimi i Ministrisë së Jashtme për Report Tv:
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është vënë në dijeni për rastin e shtetasit shqiptar Baki Goxhaj, i cili ndodhet në bordin e flotiljes “Sumud”.
Përmes kanaleve diplomatike, Ministria është vënë prej momentit të parë në komunikim me autoritetet izraelite kompetente për të siguruar informacion të plotë mbi situatën dhe për të garantuar respektimin e të drejtave të shtetasit shqiptar, përfshirë aksesin konsullor, në përputhje me praktikat dhe konventat ndërkombëtare.
Ministria po e ndjek çështjen me prioritet të plotë dhe mbetet në kontakt të vazhdueshëm me familjarët e zotit Goxhaj, si dhe do të informojë në vijim mbi procedurat e mëtejshme që pritet të ndërmerren.
Lajmi në përditësim...
Reuters ka publikuar video nga momenti i ndalimit të anijes humanitare ‘Sumud’ që ishte nisur për të dërguar ndihma në Gaza. Pjesë e bordit ishte dhe aktivisti shqiptar Baki Goxhaj.
Shqiptari Baki Goxhaj, është arrestuar nga pala izraelite në ujërat ndërkombëtare teksa ndodhej në bordin e anijes humanitare ‘Sumud’ për të dërguar ndihma në Gaza.
Postimi i fundit i Goxhajt në rrjetin social në facebook është rreth 13 orë më parë. Në një video të publikuar nga bordi i anijes, Baki Goxhaj dënon bashkëpunimin e qeverisë së kryeministrit Edi Rama me atë të Benjamin Netanyahut, teksa thotë se izraelitët po kryen masakra të papërshkrueshme ndaj një popullsie të tërë.
Postimi i Baki Goxhajt
Një nga faqet më të ndritura në historinë e Shqipërisë është mbrojta në bllok e hebrenjve kundër nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Çfarë i jep akoma më shumë peshë kësaj ngjarjeje është fakti që kjo ndodhi kur pothuajse të gjitha vendet europiane i mblodhën dhe i dorëzuan hebrenjtë e tyre tek nazistët.
Për mua si musliman shqiptar, kjo është në krye të listës së gjërave që më bëjnë krenar që jam shqiptar. Kjo vepër e mbajtjes së besës dhe njëkohësisht plotësimit të konceptit islam “kush shpëton një jetë është sikur ka shpëtuar gjithë njerëzimin”, do të jetë e pashlyeshme nga kujtesa historike e botës për shekuj me radhë.
Kjo vepër monumentale e paraardhësve tanë e bën Shqipërinë relevante në arenën ndërkombëtare kur vjen fjale për mbrojtjen e popujve të shtypur dhe korrigjimin e padrejtësive historike ndaj tyre. Për më tepër që ne i kemi hequr në kurriz padrejtësitë e shteteve të mëdha me copëtimin që u kanë bërë trojeve shqiptare.
Si popull i ngritur mbi këtë platformë historike, gjendemi sot para një realiteti absurd. Qeveria Rama ka zgjedhur ta injorojë gjithë trashëgiminë tonë historike dhe të bëhet bashkëpunëtore e ngushtë e regjimin famëkeq të Izraelit ndërkohë që ky regjim po kryen masakra të papërshkrueshme mbi një popullsi të tërë.
Komente







