SIRI - Avionët izraelitë kanë sulmuar një qendër kërkimore ushtarake në kufirin siriano - libanez. Lajmin për sulmin e qendrës kërkimore e dha ushtria siriane me anë të një deklarate në televizionin shtetëror. Gjithmonë sipas medias siriane qendra që ndodhej në Jermana, në veriperëndim të Damaskut, u dëmtua gjatë sulmit dhe nga ky sulm kanë mbetur të vrarë dy persona dhe plagosur pesë vetë.

Ndërkohë autoritetet izraelite nuk kanë bërë asnjë koment mbi lajmin e fundit, që qarkullon në mediat ndërkombëtare, për sulmin e avionëve ushtarakë. Gjithashtu dhe Departamenti amerikan nuk është prononcuar lidhur me këtë ngjarje.

Rusia ka shprehur shqetësimin mbi këtë sulm në Siri, duke thënë se ky veprim është një shkelje e papranueshme e Kartës së OKB.

Kohet e fundit, Izraeli ka shprehur frikën se raketat dhe armët kimike në Siri do të bien në duart e militantëve, siç është Hezbollahu në Liban. Agjencia e lajmeve Associated Press ka cituar një zyrtar amerikan se në shënjestër ishin vënë disa kamionë që transportonin raketa kundra-ajrorë SA17 të prodhuar në Rusi.

Nëse raportimet do të vërtetohen atëherë parashikohet një incident i madh diplomatik, pasi Irani do të trajtojë çdo goditje kundër Sirisë si një sulm ndaj tij dhe kërcënimi i ndonjë lufte të mundshme mund të të përhapet në të gjithë rajonin.


(ad.ti/l.ç/shqiptarja.com)