PERMBAJTJA E FLETEVE TE VOTIMIT
1. Fletët e votimit për zgjedhjet përgatiten nga KQZ-ja. Fletët e votimit duhet të jenë prej letre, me ngjyrë, trashësi ose elemente konfigurimi të tilla që të mos lejojnë leximin e votës në pjesën e pasme të saj, si dhe të përmbajnë elemente sigurie, sipas përcaktimeve me akt normativ të KQZ-së. Fleta e votimit përmban element teknik në formën e kodeve që identifikojnë zonën zgjedhore, qendrën e votimit, si dhe elemente të tjera identifikuese që nuk lexohen me sy të lirë.
2. Fletët e votimit prodhohen në blloqe pa kundërfletë. Numri i serisë së bllokut të fletëve të votimit shënohet në dokumentin që shoqëron bllokun e ambalazhuar, sipas përcaktimeve të KQZ-së.
3. Emrat e subjekteve zgjedhore vendosen në fletën e votimit, sipas rendit të përcaktuar në mënyrë të rastësishme nga shorti. Përbri emrit të partisë vendoset sigla, shkronja nistore dhe emri i kryetarit të partisë. Çdo subjekti që renditet në fletën e votimit i korrespondon hapësira përkatëse për shënimin e votës nga zgjedhësi.
4. Partitë pjesëtare në një koalicion zgjedhor shënohen të renditura njëra pas tjetrës në pjesën e fletës së votimit që i përket koalicionit zgjedhor. Për secilën nga partitë politike të koalicionit shënohen emri i partisë, sigla, shkronjat nistore dhe emri i kryetarit të partisë. Çdo partie politike anëtare të koalicionit i korrespondon hapësira përkatëse për shënimin e votës nga zgjedhësi. Radha e renditjes së tyre përcaktohet në mënyrë të rastësishme nëpërmjet shortit.
5. KQZ-ja organizon hedhjen e shortit për detyrimet që rrjedhin nga ky nen, menjëherë sapo të ketë përfunduar regjistrimi i listës shumemërore në KQZ apo, sipas rastit, në KZAZ. Rregullat për hedhjen e shortit përcaktohen me akt normativ të KQZ-së.
Neni 24
Vendimmarrja në KQZ
1. Konsiderohen të miratuara, kur votojnë “pro” jo më pak se 5 anëtarë të KQZ-së, vendimet lidhur me:
a) shpërndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore, sipas neneve 162, 163 dhe 166, pika 3 të këtij Kodi;
b) pranimin e ankimit kundër vendimit për miratimin e tabelës përmbledhëse për rezultatin e zgjedhjeve të zonës zgjedhore, sipas nenit 123 të këtij Kodi dhe vendimet lidhur me ankimet kundër vendimeve të KZAZ-ve për rezultatin e zgjedhjeve për qeverisjen vendore;
c) kërkesat për deklarimin e pavlefshëm të zgjedhjeve në një ose disa qendra votimi, sipas nenit 160 të këtij Kodi;
ç) shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në zonën zgjedhore apo në të gjithë vendin dhe përsëritjen e tyre;
d) aktet me karakter normativ dhe që kanë për qëllim rregullimin e çështjeve që lidhen me zgjedhjet;
dh) propozimin për shkarkimin e anëtarit të KQZ-së, sipas pikës 2 të nenit 18 të këtij Kodi; e) miratimin e strukturës organike të KQZ-së, si dhe rregulloren e funksionimit të KQZ-së;
ë) caktimin e mandateve për çdo zonë zgjedhore, sipas nenit 76 të Kodit;
f) caktimin e zonave të administrimit zgjedhor, sipas nenit 27 të Kodit. Vendimet e tjera miratohen me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të KQZ-së.
2. Vendimet e KQZ-së nënshkruhen nga të gjithë anëtarët që kanë marrë pjesë në votim. Secili prej anëtarëve të KQZ-së, përbri nënshkrimit të tij, shënon me shkrim mënyrën e tij të votimit, sipas rastit “pro” ose “kundër”. Anëtarët në pakicë duhet të paraqesin mendimin e tyre të pakicës ose atë alternativ jo më vonë se 24 orë nga marrja e vendimit. Mendimi i pakicës i bashkëngjitet vendimit përkatës.
3. Çdo vendim i KQZ-së zbardhet brenda 24 orëve nga marrja e tij. Jo më pak se dy ekzemplarë origjinalë të vendimit ose, sipas rastit, edhe të udhëzimit të KQZ-së, mbahen në arkivin e KQZ-së. Vendimet publikohen menjëherë në faqen zyrtare të KQZ-së.
4. Sekretari i Përgjithshëm i KQZ-së, gjatë periudhës zgjedhore, jep, kundrejt kërkesës të çdo subjekti zgjedhor, pa pagesë, brenda 24 orëve nga paraqitja e kërkesës, kopje të vërtetuara të vendimeve të KQZ-së. Jashtë periudhës zgjedhore, si dhe për çdo person tjetër të interesuar kopjet e akteve të KQZ-së jepen kundrejt një pagese, sipas akteve përkatëse në fuqi.
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)