I ftuar në emisionin e mëngjesit “Rreze Dielli” në Report TV me moderatore Androniki Kolka, ishte astrologu i njohur Jorgo Pulla, i cili bëri një parashikim të yjeve për muajin Dhjetor. Sipas astrologut Pulla duket se do të jetë një muaj mjaft dinamik, i cila na jep mundësinë që të stabilizojmë çështjet ekonomike financiare, të zgjidhim problematika, por dhe të reflektojmë se ku kemi gabuar. “Por kujdes, jo çdo gjë që shkëlqen është flori, frenoni vendimet e nxituara!” thekson Pulla. Për disa është muaj stabilizues në çështjet ekonomike financiare, për disa të tjerë mund të ketë disa vështirësi. Përgjatë këtij muaji kemi ndikimin e Mërkurit në retrogradë që qëndron deri më datë 15 dhjetor, dhe gjithashtu kemi ndikimin e Marsit, ndikime të cilat do të na japin mundësinë që ne të zgjedhim mes asaj që është aftagjatë dhe asaj që është e rregullt dhe e drejtë. Jorgo Pulla paralajmëron shenjat e zodiakut të jenë të vëmendshme dhe të kujdesshme në vendime, pasi ndikimet planetare të muajit Dhjetor do të kenë rëndësi dhe vazhdimësi deri në Prill të 2025. Por si parashikohet muaji dhjetor në veçanti për 12-të shenjat e zodiakut?
Dashi
Për Dashin, do të ketë angazhim dhe relaksim në këtë muaj. Do të këtë një ndikim shumë të madh në çështjet ekonomiko-financiare. Pas datës 15 dhjetor kjo shenjë do të ketë mundësi të arta, ku do të zgjidhë shumë çështje të pambaruara. Në fushën e dashurisë gjithashtu ka shumë shance të arta, ku Dashi mund të gjejë dashurinë e vërtetë. Kujdes, duhet pasur pak vëmendje në lidhje me shpenzimet!
Demi
Kjo shenjë duhet të reagojë vetëm kur është i/e bindur që është momenti i duhur dhe jo më parë. Do të ketë shumë mundësi të reja në lidhje me udhëtimet, çështjet financiare apo bisedat e punës. Pas datës 15 dhjetor, ata që kanë mbaruar një kontratë pune, janë gati t’a rikonfirmojnë. Disa para të pamarra do të merren tani. Në çështjet e dashurisë, lidhjet afatgjata janë me Gaforre dhe me Ujor.
Binjakët
Duhet të mbyllni çështjet e pazgjidhura në marrëdhënie dhe partneritete. Ka një ndikim shumë të madh për Binjakët, në çështjet e lëna pezull, në punë, apo çështje familjare. Në datën 7 dhjetor do të kenë një trekëndësh shumë të favorshëm, i cili do u hapë shumë porta të mbyllura më parë. Në çështjet shpirtërore, Hëna e plotë u jep mundësi të reja për të krijuar lidhje afatgjata, veçanërisht me Bricjap, Ujor që shkojnë deri në martesë.
Gaforret
Ka disa momente të bukura në fushën e karrierës, sikurse dhe udhëtime që mund të bëhen jashtë. Do të merrni një lajm shumë të mirë, mbase një dokument ose pasaportë. Gaforret do marrin drejtësi nga një çështje që u është bërë me të padrejtë. Është mirë që pas datës 15 dhjetor të mbyllin të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me trashëgiminë apo taksat. Do kenë mundësi që të zgjidhin të gjitha çështjet apo dilemat në fushën e dashurisë.
Luani
Kjo shenjë ka një favor shumë të madh në marrëdhëniet e punës. Edhe pse ju është bërë një hile, ata e ‘kapin’ në kohë dhe e zgjidhin situatën. Favorizohen shumë marrëdhëniet me partnerët, nëse Luani bën biznes me ortakët. Në çështjet shpirtërore, Luanët janë pak fajtorë, pasi kanë lënë pas dore një marrëdhënie. Kjo periudhë është periudha e rregullimit dhe stabilizimit të familjes së tyre. Shumë shpejt do kenë një gëzim në familje dhe mbase një pasardhës.
Virgjëresha
Kushtojini vëmendje komunikimit në punë! Keni mundësi të arta në çështjet e punës, të cilat do të konkretizohen pas datës 17 dhjetor. Klima në punë do të përmirësohet dhe me kolegët, duket se çdo gjë do të jetë perfekte. Mos neglizhoni disa shance që do ju dalin përpara që do jenë të arta, bëhet fjalë për një ofertë të mirë pune. Në çështjet shpirtërore, të palidhurit kanë një mundësi të artë që do të konkretizohet duke e çuar deri në altar, veçanërisht me Ujor, Shigjetar dhe Dash.
Peshorja
Dhjetori fillon i mbarë për ju, pasi çështjet ekonomiko-financiare ju nxjerrin faqebardhë. Çështjet që kanë të bëjnë me punën apo me dokumentacionet zgjidhen më së miri duke ju favorizuar. Në fushën shpirtërore, lidhjet afatgjata që kanë të bëjnë me Ujor, Peshk, Dem, janë shumë të favorshme dhe konkretizohen në lidhje serioze.
Akrepi
Janë më të respektuarit e zodiakut në fushën e karrierës së tyre. Lodhen shumë si shenjë, por nuk e japin veten, edhe pse tani kanë një mundësi të artë. Duhet të shmangin vendimet e rëndësishme që mund të marrin në këtë muaj. Duhet të kenë shumë kujdes që të jenë me këmbë në tokë. Në fushën e dashurisë Akrepi është shumë i favorizuar. Ata që ndodhen në Amerikë do kenë një bashkim familjar. Lidhjet me Gaforre dhe Peshore janë ideale.
Shigjetari
Duhet të mbyllin çështje që kanë të bëjnë me të shkuarën të gjithë ata të kësaj shenje. Në çështje shpirtërore duhet të jenë të kujdesshëm, sepse janë fajtorë për raporte të nxituara, sidomos me Dem, Bricjap dhe Virgjëreshë. Në këtë periudhë kanë një ndikim fantastik, duke hapur shumë porta.
Bricjapi
Kanë mundësi për zhvillime financiare të mëdha. Kanë një ndikim shumë të madh në çështje që kanë të bëjnë me ekonominë. Jupiteri dhe Marsi ju jep një mundësi plus për problematikat që kanë pasur në të shkuarën. Po prisni një takim shumë të rëndësishëm pune që do ishte mirë që t’a mbanit sekret. Në anën shpirtërore, lidhjet afatgjata janë të favorizuara.
Ujori
Ata të kësaj shenje do mbyllin çështje të rëndësishme që i kanë patur të hapura. Marsi në retrogradë edhe pse ushtron presion, ju favorizon pasi ju ndikon që të lëvizni dhe të ecni përpara. Në çështjet shpirtërore, lidhjet afatgjata që kanë të bëjnë më Gaforre, Peshore apo Ujor janë ideale.
Peshqit
Mërkuri vazhdon në retrogradë deri në 15 dhjetor. Mos i merrni gjërat personalisht dhe mos u nevrikosni kot si shenjë! Nëse do merrni një vendim, është mirë që t’a merrni pas datës 12 dhjetor, veçanërisht në çështje që kanë të bëjnë më punën, me ligjet apo personin e ligjit. Marsi në Luan shton ndikimin për të zgjidhur sa më mirë gjërat. Do keni kujdes, sepse disa raste momentale në dashuri, nuk do jenë për vazhdimësi. Në fushën familjare ndikimet janë tepër favorizuese.