Në kushtet kur asnjëra palë nuk ka deklaruar prishjen e marrëveshjes, Traktati i Miqësisë mbetet në fuqi deri në vitin 2023. “Kjo marrëveshje lidhjet për një periudhë prej 20 vitesh dhe t’i nënshtrohet ratifikimit në bazë të procedurave kushtetuese të secilës palë, por do të hyjë në fuqi ditën e shkëmbimit të instrumenteve të ratifikimit. Fuqia e kësaj marrëveshjeje do të ripërtërihet automatikisht për një periudhë prej pesë vitesh, me përjashtim kur njëra nga palët kontraktuese i komunikon me shkrim palës tjetër vendimin e vet për ta denoncuar, të paktën një vit para përfundimit të periudhës përkatëse. Bërë në Tiranë më 21 mars 1996, të dy kopje të njëllojta, në gjuhën shqipe dhe greke, të cilat kanë të njëjtën fuqi”, thuhet në nenin 20 të Traktatit.
Ndërkaq, disa ditë më parë, drejtoresha e Drejtorisë së Rajonit dhe Fqinjëve në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elida Petoshati, tha se Traktati i Miqësisë mes Shqipërisë dhe Greqisë ka përfunduar në 31 janar 2018, çka do të thoshte se Tirana dhe Athina ishin në gjendje lufte. Petoshati shtoi se rinovimi dhe pasurimi i këtij traktati është pjesë e paketës së bisedimeve mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Reagimi i Tritan Shehut
Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, ka reaguar duke hedhur poshtë pretendimin e zonjës Elida Petoshati për përfundimin e Traktatit të Miqësisë mes Shqipërisë dhe Greqisë. “Thuhet se Drejtoresha e Rajonit ka deklaruar që më 31 Janar 2018 ka skaduar Traktati i Miqësisë së Shqipërisë me Greqinë. Deri tashti nuk ka asnjë përgënjeshtrim zyrtar nga kjo ministri për këtë të pavërtetë. Në këto kushte dëshiroj të informoj publikun se kemi të bëjmë me një deklarim spekulativ, për të cilën ajo ministri duhet të shprehet. Traktati i Miqësisë me Greqinë është firmosur me 21 Mars 1996. Ky Traktat ka hyre ne fuqi me 5 shkurt 1998. Koha veprimit të tij është 20 vite. Më tej ai automatikisht zgjatet çdo 5 vite, në qoftë se deri një vit para kadencës palët nuk kanë bërë kërkesë për ta shfuqizuar, gjë që deri tashti nuk rezulton e tillë”, ka pohuar Shehu.
Afati
Neni 20 parashikon që ky traktat shtyhet automatikisht me pesë vite të tjera, me kushtin që njëra palë të mos i deklarojë me shkrim palës tjetër prishjen e miqësisë, të paktën një vit para përfundimit të afatit.
Pretendimi
Disa ditë më parë, drejtoresha e Drejtorisë së Rajonit dhe Fqinjëve në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elida Petoshati, tha se Traktati i Miqësisë mes Shqipërisë dhe Greqisë ka përfunduar në 31 janar 2018.
Disa nene të Traktatit të Miqësisë mes Shqipërisë dhe Greqisë
Neni 1
Republika e Shqipërisë dhe Republika e Greqisë zhvillojnë marrëdhëniet e tyre në bazë të besimit, të bashkëpunimit dhe të respektit të ndërsjellë. Ato shpallin përkushtimin e tyre ndaj parimit të paprekshmërisë së kufijve ekzistues, të njohur ndërkombëtarisht, në përputhje me Aktin Final të Helsinkit dhe Kartën e Parisit dhe se vija kufitare midis dy vendeve do të jetë vijë kufitare paqe dhe miqësie. Ato deklarojnë respektimin nga ana e tyre të parimeve të sovranitetit dhe të dinjitetit, si të respektimit të lirive themelore dhe të drejtave njerëzore dhe minoritare.
Neni 3
Të dyja palët kontraktuese ripohojnë kundërshtimin e tyre të përbashkët ndaj përdorimit të dhunës dhe kërcënimit për përdorim dhunë në marrëdhëniet ndërkombëtare, si dhe përkushtimin e tyre ndaj parimit të zgjidhjes së problemave ndërkombëtare me mjete paqësore. Veprimet e tyre synojnë përdorimin mjeteve paqësore që parashikon e Drejta Ndërkombëtare, Karta e Kombeve të Bashkuara dhe tekstet e përbashkëta të OSBE, si dhe të mekanizmave përkatëse të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të mundshme. Në kuadrin evropian, ato janë të vendosura në mënyrë të patundur të vazhdojnë të japin ndihmesën e tyre për funksionimin rezultativ të organeve dhe metodave, të pranuara nga të gjithë, për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve dhe parandalimin e përplasjeve.
Neni 4
Në rast se njëra palë mendon se një gjendje sendesh, që ka lindur, ka mundësi të dëmtojë interesat e veta thelbësore që lidhen me sigurinë, ka të drejtë t’i drejtohet palës tjetër për të filluar menjëherë konsultimet për këtë problem.
Neni 5
Të dyja palët inkurajojnë shkëmbimet në fushën ushtarake si dhe kontaktet dhe konsultimet e herëpashershme midis instancave ushtarake në nivele që do të bien dakord.
Neni 6
Të dyja palët angazhohen të zgjerojnë dhe të thellojnë bashkëpunimin e tyre në fushën ekonomike, industriale, bankare, turistike, teknologjike, shkencore dhe ekologjike, si dhe në ato ujore, të energjisë, transporteve dhe komunikacioneve.
Neni 8
Të dyja palët mbështesin thellimin e marrëdhënieve midis Bashkimit Evropian dhe Republikës së Shqipërisë. Republika e Greqisë do të mbështesë integrimin e Shqipërisë në të gjitha strukturat politike, ekonomike dhe ushtarake të Evropës.
Neni 13
Të dy palët, duke njohur rëndësinë e mbrojtjes dhe të respektimit të të Drejtave Njerëzore dhe Minoritare, janë dakord të zbatojnë dispozitat e teksteve të OSBE që përmenden në Dimensionin Njerëzor, për sidomos në Tekstet e Takimeve të Kopenhagës (1990), të Gjenevës (1991) dhe të Moskës (1991).
Neni 14
Çdo palë kontraktuese do t’u garantojë shtetasve të palës tjetër, që qëndrojnë dhe punojnë në mënyrë të ligjshme në territorin e vet, të drejtat e tyre të punës në përputhje me legjislacionin e saj të brendshëm dhe me detyrimet e saj ndërkombëtare.
Neni 15
Secila nga palët kontraktuese do të përballojë mundësinë e heqjes, brenda kuadrit të saj ligjor, të pengesave që vështirësojnë gëzimin e pasurive që kanë shtetasit e njërës palë në territorin e palës tjetër.
Neni 16
Të dyja palët marrin përsipër në mënyrë të ndërsjellë detyrimin për ruajtjen rezultative të kufijve të tyre. Palët bashkëpunojnë në luftën kundër krimit të organizuar, emigracionit klandestin, trafikut ilegal të narkotikëve dhe të armëve, kontrabandës, terrorizimit ndërkombëtar dhe eksportimit të paligjshëm të veprave të artit, të gjetjeve arkeologjike dhe të objekteve të kultit.
Neni 17
Me qëllim që të garantohet zbatimi i kësaj marrëveshjeje dhe të bashkërenditen masat për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, si dhe të shkëmbehen pikëpamje për të gjitha çështjet e jetës ndërkombëtare që u interesojnë, të dy vendet zhvillojnë konsultime të rregullta dhe në rast nevoje, edhe të jashtëzakonshme, duke përfshirë edhe konsultime siç parashikohet në Protokollin e Konsultimeve të Ministrive të Jashtme, nënshkruar midis dy vendeve.
Neni 18
Të dyja palët favorizojnë zhvillimin e shumanshëm të bashkëpunimit dhe të shkëmbimeve midis institucioneve, sindikatave punëtore, shoqatave dhe personave të të dy vendeve.
Neni 19
Kjo marrëveshje nuk cenon të drejtat dhe detyrimet që janë marrë përsipër në kuadrin e Bashkimit Evropian që rrjedhin nga marrëveshjet dhe konventat në fuqi, që kanë përfunduar Republika e Shqipërisë dhe Republika e Greqisë me shtete të tjera ose nga pjesëmarrja e tyre në organizmat ndërkombëtare.
Neni 20
Kjo marrëveshje lidhjet për një periudhë prej 20 vitesh dhe t’i nënshtrohet ratifikimit në bazë të procedurave kushtetuese të secilës palë, por do të hyjë në fuqi ditën e shkëmbimit të instrumenteve të ratifikimit. Fuqia e kësaj marrëveshjeje do të ripërtërihet automatikisht për një periudhë prej pesë vitesh, me përjashtim kur njëra nga palët kontraktuese i komunikon me shkrim palës tjetër vendimin e vet për ta denoncuar, të paktën një vit para përfundimit të periudhës përkatëse. Bërë në Tiranë më 21 mars 1996, të dy kopje të njëllojta, në gjuhën shqipe dhe greke, të cilat kanë të njëjtën fuqi.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com