Përveç kësaj, mjekët e Institutit nuk kanë dhënë ndonjë vlerësim rreth nivelit të sulfurit dhe efekteve potenciale në shëndet.
E madje Instituti si për çudi nuk i dha as vlerat e lejuara të sulfurit në ambiente të tilla, pa filtra dhe pa makina përkatëse për djegien e vajrave.
Mirëpo, kjo nuk përfundon me kaq. Komuna e Prishtinës do të kërkojë një vlerësim shëndetësor të nivelit të lartë të squfurit në motorë pa filtra dhe që përdorin naftë, nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe nga organizata tjera ndërkombëtare.
Raportet sipërfaqësore të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, nxorën në pah një detaj tjetër, i cili i nxjerr punë prokurorisë, për t’u marrë me tenderin e komunës për furnizim me lëndë djegëse, fitues i së cilës ishte kompania “Hib Petrol”, e ku vlera e kontratës ishte më e madhe se një milionë euro.
Në ueb-faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), shihet se kontrata mes komunës dhe kompanisë “Hib Petrol”, është nënshkruar më 8 shkurt të vitit 2012, me një kohëzgjatje prej 36 muajsh, respektivisht deri në shkurt të vitit 2015.
Aty thuhet se vlera e përgjithshme e kontratës është “0.0855 euro premiumi për një litër”. Ndërkaq, sasia e përafërt vjetore e planifikuar të shpenzohet thuhet se është 1 milionë e 289 mijë e 945 litra.
Gjithnjë bazuar në dokumente e të dhëna zyrtare shihet se brenda një viti Kosova importon rreth 500 milionë litra derivate, ku nga kjo sasi rreth 380 milionë janë naftë, rreth 90 milionë benzinë, rreth 30 milionë litra mazut, si dhe 4 deri në 5 milionë litra vajra hidraulike. Askund në të dhëna zyrtare të Doganës nuk shihet se gjatë vitit që lamë pas është importuar vaj i cili përdoret për djegie.
Pa menduar shumë këtu del në pah një abuzim i rëndë i parasë publike nga zyrtarët komunalë, pasi që vaji që është përdorur për ngrohje (importi i të cilit është u ndalur në vendin tonë) në këtë rast në shkollat e komunës së Prishtinë është gati 40 për qind më i lirë sesa nafta “Eurodisel” të cilën e ka paguar komuna me para të taksapaguesve.
Mirëpo, një vaj i tillë është i ndalur që të futet në vendin tonë qysh nga viti 2007.
Prokurimi Publik gjithnjë ka qenë njollë e zezë për Kosovën, ngase përmes tenderëve publik qeveritarët kanë mbushur xhepat e tyre. Dhënia e ryshfetit në këmbim të dhënies së tenderit në vendin tonë thuajse është bërë normalitet. E jep përqindjen e merr punën. Në të kundërtën mbetesh me duar në xhepa. E përqindja varet krejt nga Institucioni që e jep punën. Ajo shkon nga 5 e deri në 25 për qind, kur bëhet fjalë për ofrim shërbimesh.
Bazuar në të dhëna zyrtare deri në fund të muajit shtator të vitit që lamë pas sipas të dhënave zyrtare 1 mijë e 375 persona janë gjendur në llupën e Prokurorisë nën dyshimin se janë të përfshirë në raste që kanë të bëjnë me korrupsion. Ky numër i të dyshuarve është i përfshirë në gjithsej 477 lëndë që prokurorive të niveleve të ndryshme në Kosovë që janë duke u hetuar aktualisht.
Por, ky numër mund të jetë edhe më i madh, ngase shifra prej 1375 personave e cila bëhet me dije nga zyra e prokurorit të shtetit është vetëm deri më 30 shtator të këtij viti dhe jo edhe për dy muajt që lamë pas. Listës së prokurorisë me gjasë do t’i shtohet edhe rasti i fundit i tenderit për furnizimit me derivate për ngrohje të shkollave të Prishtinës.