Ja liroi Apeli i Korçës, Krimet e Rënda i sekuestrojnë 1 mln € Shënbitrasit

 Ja liroi Apeli i Korçës, Krimet e Rënda i sekuestrojnë 1 mln € Shënbitrasit

Roland Shenbitrasi, trafikanti i ekzekutuar në Greqi, dje iu sekuestrua pasuria prej 1 mln €

Jo më larg se dy muaj e gjysëm më parë, Gjykata e Apelit në Korçë ka urdhëruar lirimin e 550 milionë lekëve të vjetra nga llogaritë e babait, vëllait, motrës dhe nipave të Roland Shënbitrasit, të akuzuar për trafik droge në Greqi. Land Shënbitrasi ka qënë pjesë e një grupi kriminal në Greqi, ku trafikonte drogë të llojit kokainë. Si pasojë e këtij biznesi, ai është vrarë nga rivalët e tij për prishje pazaresh. Ekzekutimi i Roland Shënbitrasit nga Pogradeci është bërë në tetor 2017, por eliminimi i tij nuk ka penguar familjarët e viktimës të transferojnë shuma të mëdha parash në Shqipëri.

Nuk dihet se në çfarë rrethanash këto para kanë hyrë në Shqipëri, por Prokuroria e Pogradecit dhe ajo e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Drejtorinë e Pastrimit të Parave, kanë konstatuar prezencën e madhe të shumës financiare, që përllogaritet diku tek 1 milion euro. E gjithë kjo sasi parash është grumbulluar në katër llogari bankare, në emër të Kasëm Shënbitrasit, babait 70-vjeçar dhe pensionist të Roland Shënbitrasit, vëllait të tij Bernard Shënbitrasit, nipit Kristo Shënbitrasit dhe një personi tjetër, Esmerina Shënbitrasi. “Forca e Ligjit” u ka gjetur këtyre personave në total një pasuri prej rreth 1 milion eurosh.

514 milionë lekë të vjetra ishin në emrin e Roland Shënbitrasit, ndërkohë që rreth 170 milionë lekë ishin në emër të Kasëm Shënbitrasit. Struktura ka sekuestruar gjithashtu edhe disa llogari të tjera të të afërmve të familjes së Shëmbitrasit, konkretisht Bernard Shënbitrasit 924 milionë lekë. Në total, shuma e sekuestruar, sipas Policisë, arrin në 111 milionë lekë të reja. Hetimi i dosjes për pasurinë nisi nga Prokuroria e Pogradecit, ndërsa më pas u transferua tek Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila, pas disa letërporosive në Greqi, vendosi sekuestrimin e llogarive bankare. Këto më 5 qershor 2018 ishin liruar me një vendim të Gjykatës së Apelit në Korçë.

Vendimi i apelit Korçë

Pas vrasjes u konstatuan paratë

Jo shumë muaj pas vrasjes së Shënbitrasit në Greqi, mësohet se Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave ka konstatuar transaksione të dyshimta në disa llogari bankare të anëtarëve të familjes së tij. Më konkretisht, bëhet fjalë për katër llogari bankare, ku vetëm në njërën prej tyre, në llogarinë e babait të Rolandit, Kasëm Shënbitrasit, mësohet se janë konstatuar 514 milionë lekë të vjetra. Kasëm Shënbitrasi është në moshën 70-vjeçare dhe është mjaft i dyshimtë burimi i parave që ai zotëron në llogarinë bankare. Ndërkohë, në llogaritë e tjera, të vëllait të Rolandit dhe nipit të tij, më konkretisht Bernard Shënbitrasi dhe Kristo Shëmbitrasi, janë konstatuar shuma të tjera monetare. Nisur nga kjo situatë, Prokuroria e Pogradecit ka kërkuar vendosjen e sekuestros ndaj tri llogarive bankare, kërkesë, e cila është pranuar nga Gjykata e këtij qyteti.

Letërporosia në Greqi e lirimi nga Apeli

Njëherësh, gjatë fazës së hetimit ndaj këtij rasti, Prokuroria mësohet të ketë dërguar një letërporosi në Greqi, duke kërkuar nga autoritet helene informacion rreth Roland Shënmbitrasit, aktivitetin e tij në Greqi dhe nëse është proceduar apo dënuar ndonjëherë nga Drejtësia e këtij shteti. Deri në këtë fazë që janë hetimet, ende nuk ka mbëritur një përgjigje nga Greqia, por familjarët e Roland Shënbitrasit, më konkretisht babai, vëllai dhe nipi i tij, kërkuan në qershor në Gjykatën e Apelit Korçë, heqjen e masës së sekuestros ndaj tri llogarive bankare, ku kanë depozituar pasurinë e tyre, që ata pretendojnë se e kanë fituar në Greqi.

“Paratë janë fituar nga puna në lokale”

Sipas ankimimit të tyre, depozitat bankare janë mëse të ligjshme, të siguruara me punë të ndershme në shtetin grek dhe me aktivitet privat legal, pasi zotërojnë prej shumë vitesh disa biznese në Greqi, si lokale nate dhe restorante në zonat më të njohura të Athinës. Disa dokumentacione të servirura në gjykatë dhe të sjella nga autoritetet greke kanë bindur Gjykatën e Apelit Korçë që të heqë masën e sekuestros ndaj llogarive bankare, që zotërohen nga anëtarët e familjes së Roland Shënbitrasit. Në vendimin e saj, Gjykata e Korçës ka argumentuar se “vepra e pastrimit të parave presupozon pastrimin e produkteve, që janë rrjedhojë e kryerjes së një vepre penale”, duke kritikuar Prokurorinë se nuk ka sjellë asnjë provë për të vërtetuar faktin e dënimit apo të hetimit të viktimës Roland Shënbitrasi në Greqi, por “është nisur vetëm nga dyshime dhe hipoteza se Shënbitrasi është vrarë për prishjen e pazareve të drogës”.

Ekzekutimi për trafikun e drogës

Shënbitrasi ishte një nga eksponentët e rëndësishëm të trafikut të kokainës në lokalet e natës në Greqi dhe njihej me nofkën “Tenxherja”. Roland Shëmbitrasi ishte me origjinë nga Pogradeci, por ka jetuar edhe në Librazhd. Më pas, së bashku me familjen, ka emigruar në Greqi, ku dhe jetonte për disa vite me radhë në Athinë, ku u vra në vitin 2017. Hetuesit grekë janë të bindur se 39-vjeçari Roland Shënbitrasi është ekzekutuar për trafikun e kokainës në lokalet e natës në Athinë. Roni, ashtu siç i flisnin miqtë, ishte bashkëpronar i lokalit të natës “Roy Bar” në lagjen “Glyfada” në kryeqytetin grek, pikërisht ku dhe u ekzekutua. Megjithëse autorët janë ende të paidentifikuar, Shënbitrasi duket se i ka njohur atentatorët e tij. Dëshmitarë, që ndodheshin në ambientet e jashtme të lokalit, i kanë thënë Policisë se, mes viktimës dhe dy vrasësve, pati një debat. Hetuesit grekë deri tani kanë mbledhur dëshmi dhe prova të vlefshme për hetimin, përfshirë këtu edhe pamjet e kamerave të sigurisë.

Biseda para vrasjes

Rreth orës 04:40 të mëngjesit të së dielës, dy autorët u shfaqën në lokal dhe shkuan direkt tek tavolina ku po qëndronte 39-vjeçari shqiptar me miqtë e tij. Njëri prej tyre ju drejtua Shënbitrasit me ton të lartë: “…mua do ma hedhësh…”? 39-vjeçari iu përgjigj ashpër: “…ik, mos të të fus ndonjë…”! Në këtë moment, dy atentatorët nxorrën armët dhe qëlluan me tre plumba Roland Shënbitrasin, duke e lënë të vdekur. Ndërsa mbetën të plagosur shqiptari tjetër Gjergji Kapaj, që ishte në tavolinë dhe dy grekë, klientë të lokalit. Policia greke dyshon se shqiptari është ekzekutuar pasi kishte marrë një sasi droge dhe nuk kishte paguar furnizuesit e tij.

“Tenxherja”

Në qarqet e drogës, apo të “mafias shqiptare” në Athinë, sikurse i quan shtypi grek, Roland Shënbitrasi njihej me nofkën “Tenxherja”. Ai është bashkëpronar edhe i tre lokaleve të tjera, dy prej të cilave janë luksoze dhe ndodhen në lagjen “Kalithea” të Athinës. Në këto lokale nate shkojnë rregullisht këngëtarë të njohur grekë. Në vitin 2012, Shënbitrasi ishte arrestuar nga Policia, pasi kishte punësuar një ekip prej 10 personash, që shpërndanin kokainë me motora tek klientët VIP të 39-vjeçarit. Ai kishte marrë nofkën “Tenxherja” për shkak se njihej për përpunimin që i bënte kokainës. Në fund, ai nxirrte një produkt të pastër për klientët e tij. Për këtë arsye, Roland Shënbitrasi ishte edhe trafikanti më i shtrenjtë në Athinë, pasi 1 gram kokainë e shiste për 100 euro. Ai kishte një klientelë të qendrueshme. Pjesa më e madhe e tyre i përkasin botës së “shoubiz”-it në Athinë dhe janë emra mjaft të njohur. Përveç se janë konsumatorë, shumë prej tyre performojnë në lokalet e natës ku ishte bashkëpronar edhe Shënbitrasi.

Avokati Tarelli: Paratë nga biznese të ligjshme

Avokati i familjes Shënbitrasi në Pogradec, Nevzat Tarelli, u shpreh për gazetën “Shqiptarja.com” se vendimi i gjykatës së Krimeve të Rënda është i padrejtë. Sipas Tarellit, çështja e katër llogarive bankare është zgjidhur njëherë nga Gjykata e Apelit në Korçë, e cila ka vendosur të lirojë sekuestrimin e tyre. Avokati Tarelli u shpreh se shumë shpejt do ta apelojë vendimin e shkallës së parë, duke e mbështetur në prova dhe në fakte. Sipas tij, paratë që disponon familja Shënbitrasi vijnë si rezultat i një biznesi të ligjshëm, që familja disponon në disa zona të Athinës.

Sipas Tarellit, prokuroria është nxituar në vendimarjen e saj dhe shumë shpejt përpara Gjykatës do të vihet një mal me dokumentacione të nxjera nga shteti grek, që vërtetojnë se paratë kanë ardhur nga biznese të ligjshme. Bëhet fjalë për biznese dhe balance, që justifikojnë pasurinë e sekuestruar nga Prokuroria, bilance këto, që janë me një shifër shumë herë më të lartë se shifra e bllokuar në Shqipëri.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë