Sot në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës (TIA) firma koncesionare që administron aeroportin Nënë Tereza thirri një konferencë shtypi me gazetarët për të sqaruar qendrimin e saj në lidhje me grabitjen e furgonit të blinduar, që ndodhi javën e kaluar në pistën e aeroportit.

Ashtu sikurse ndodh shpesh, për fat të keq, gazetarët shqiptarë konsiderohen nga ana e TIA-s si mbajtës të thjeshtë mikrofonash dhe atyre nuk u jepet mundësia të bëjnë asnjë pyetje. Ja pyetjet që do të kishim dashur të bënim dhe për të cilat shpresojmë se TIA do të dojë t’u përgjigjet:

1) Sa janë kamerat e sigurisë të instaluara në aeroport dhe sa funksionojnë sot?

2) Pse porta e BP që u përdor nga grabitësit nuk ishte e mbikëqyrur nga rojet private të kompanisë ICTS?

3) Ku ndodhej patrulla e ICTS më e afërt me portën?

4) Si ka mundësi që porta hyrëse në aeroport, e përdorur nga grabitësit, mbeti e hapur për katër minuta (gjatë grabitjes) dhe asnjë prej punonjësve të sigurisë nuk e konstatoi një gjë të tillë?

5) Cfarë lloj mbylljeje kishte porta dhe si ishte e mundur që ajo u hap brenda 27 sekondave nga grabitësit?

6) E kujt ishte fuoristrada e bardhë, e cila duket nga një video e telekamerës të hase përballë makinën e grabitësve, po pa bërë asnjë veprim?

7) Pas raportit të Aviacionit Civil të datës 20 prill, që denonconte difekte të rënda në sistemin e sigurisë dhe të kontrollit të bagazheve nga ana e kompanisë private ICTS, cfarë masash konkrete morën TIA dhe ICTS për të garantuar sigurinë e pasagjerëve për të shmangur raste të futjes në bordin e avionëve të bombave e thikave apo për të shmangur raste të carjes së rrjetës rrethuese të aeroportit pa u vënë re nga njeriu, sikurse u konstatua nga inspektorët?

8) A është e vërtetë që kompania private ICTS, së cilës TIA i ka besuar sigurinë e aeroportit, merr 3 deri në 5 euro nga cdo pasagjer që kalon në të (që i takon rreth 9 milionë euro në vit), por ka vetëm 140 punonjës në shërbim? (c.b.)


Redaksia Shqiptarja.com