Kreu i Kadastrës Artan Lame ka vendosur të bëjë një pastrim të shumicës së zyrave rajonale të Kadastrës. Ditën e sotme ka shpallur thirrjen për aplikime për drejtues të rinj të zyrave rajonale të Kadastrës, duke nënzivuar se në shumë raste zyrat nuk janë në lartësinë e duhur veçanërisht në raport me shërbimet ndaj qytetarëve.
Lame deklaron se kryesisht do të zëvendësohen drejtuesit e komanduar apo drejtues që nuk justifikuan punën duke nisur nga Shkodra, Lezha, Kruja, Durrësi, Tirana, Korça, Saranda e Fieri.
“Me gjithë dëshirën time për ta shmangur Kadastrën Shqiptare nga përdorimi politik, me ç’duket ky qenka mision i pamundur. Por gjatë kësaj fushate kjo akuzë arriti në kufijtë e absurdit, duke e akuzuar Kadastrën thjesht e qartë përse po kryen misionin e saj: Pse jep leje legalzimizi, pse kryen shërbime kadastrale, pse jep çertifikata toke. Nga ana tjetër, pikërisht fakti i thirrjes denoncuese për institucionin, flet për suksesin e tij në kryerjen e detyrës për të cilën është krijuar. Megjithatë do dëshiroja t’ia lija organeve kompetente ndjekjen e këtyre akuzave surreale. Jam i bindur që tani që na dëgjojnë janë qindramijë qytetaarë që shprehen të kënaqur me shërbimet tona (kadastra ofron rreth 1,1 milion shërbime në vit), por janë edhe mijëra qytetarë të tjerë që rrudhin buzët të pakënaqur. E pranoj publikisht se zyrat tona në shumë raste nuk janë në lartësinë e duhur, veçanërisht në aspektin e shërbimeve ndaj qytetarëve. Ka zvarritje të ankesave të tyre, ka mungesë profesionalizmi në trajtimin e tyre, ka tyrajtim të qytetarëve si bezdisje, ka mungesë vullneti për t’u përfshirë në problematikat e vështira, e shumë të tjera.
Ka specialistë që nuk duan e nuk duan ta kuptojnë që shmangja e një qytetari sot, nuk zgjidh asgjë. Ka drejtues dhe këtu ju drejtohem në veçanti atyre, që nuk duan të kuptojnë që vendosja e tyre në ato poste nuk është bërë se kanë çliruar Shqipërinë, por se është besuar se do të dijnë të shërbejnë dhe organizojnë punën në drejtoritë që ju janë besuar. Në këto kushte dëshiroj të shpall sot hapjen e thirrjes për drejtues të rinj në një pjesë të madhe të zyrave rajonale të Kadastrës. Jam i bindur se gjithë llafollogët e fejsbukut do ulen të dekurajojnë këdo që do dëshirojë të përfshihet në këtë thirrje. Mos u çudisni, e kanë bërë gjithmonë. Mos u tutni! Ti djalë a vajzë që ke mbaruar universitetin për inxhinjeri, juridik apo ekonomik; Ti specialisti që ke vite që punon në administratë dhe mendon se ka ardhur koha të avancosh në karrierë; Ti kandidati për deputet, që e dije se nuk do fitoje për shkak të numrit në listë, por që je i bindur në kapacitetin tend; Ti eksperti i fushës, që mendon se e di se si gjejnë zgjidhje problemet e stërkomplikuara të pronës në Shqipëri, por nuk ke patur rast të provosh veten; Mos u tutni, ejani dhe aplikoni", tha Lame.
Spastrime sipas Lames do të ketë në shumicën e drejtorive në vend, ndërsa lista e plotë do të publikohet në vazhdim.
“Shpall sot thirrjen për drejtues të rinj, në pjesën më të madhe në zyrave rajonale. Thirrjet për për të zëvendësuar Drejtuesit e komanduar apo drejtues që nuk justifikuan punën nga Shkodra, Lezha, Kruja, Durrës drejtoria e Tiranës, Korce Sarandë fier. Lista e plotë do e shikoni të hënë tjetër ku do jetë dhe shpallja zyrtare në site. Sfidë me këdo, le të vijë njëri këtu nesër dhe pasnesër fillon, punë ccdo inxhinier, fillimisht me kontratë”, shtoi Lame.
Pas kësaj Lame tha se do të vijojë një thirrje e dytë, për specialistë të niveleve të tjera.
"Do të vijojmë një thirrje e dytë, për specialistë të niveleve të tjera. Kadastrës Shqiptare tashmë i janë ngarkuar disa funksione të reja që dikur i kanë patur institucione të tjera. Arsyeja ishte e thjeshtë: u pa që ky institucion me gjithë vështirësitë e ngritjes, por jepte rezultate. Por këto funksione të reja do të kenë nevojë për shumë specialist të tjerë për të cilët më pas do të bëjmë thirrje. Por le të përqëndrohemi sot tek thirrja për drejtues të rinj. Si shërbëtor i vjetër i shtetit, ju them se nuk bëhen legalizimet me ushtarë partie, nuk i shërbehet 1 milion qytetarëve me qoka partie, por me punë dhe specialistë. Pastaj, nëse rezultati çon ujë në plotësimin e Premtimit të Partisë Socialiste dhe të programit të qeverisë Socialiste, kjo nuk është njollë, por medalje e merituar. Bujrum të gjithëve dhe… ja sheshi ja mejdani", tha Lame.