E ka pasur si një idhull. Sot është një modele e famshme, pasi është shpallur më parë “Miss Ëorld 2003” dhe i ati gjithashtu i përket botës së spektaklit: një këngëtar i njohur në Irlandë e më gjerë.
Gjyshja e saj ka diçka për të rrëfyer gjë që përtej faktit se mbetet interesante për një publik vendas që tashmë “habitet” me të fshehtat e gjyshës së një VIP-i, është I vlefshëm e sjell informacione të reja rreth një çështje që mund t’i interesonte më shumë një publiku tjetër, siç është ai shqiptar.
Kjo, pasi historia që ngërthehet në këtë rrëfenjë, ka të bëjë me një kolonel britanik, që dikur kishte stërvitur desantë ajrorë ose “diversantë” shqiptarë për t’i hedhur në Shqipëri, të cilët thuajse të gjithë nuk arriti dot t’i shihte më të ktheheshin nga misioni.
Në fillim habia, keqardhja, pastaj mendimet se pse kishin dështuar misionet dhe kush fshihej pas suksesit të Sigurimit shqiptar?- Pas disa vitesh tashmë ishte mëse e qartë se shkaktari kishte qenë Kim Filbi dhe veprimtaria e tij dhe e shokëve të tij të “Shkollës” së Kembrixhit. Zhgënjimi ishte i madh. Pasi ata e kishin njohur personalisht Filbin dhe…i kishin besuar plotësisht, pasi ai i kishte inspektuar një herë në Maltë dhe e kishin pasur “shef”.
Në fakt shumëçka është zbuluar ndërkohë mbi veprimtarinë e Kim Filbit dhe rolit të tij në dështimet e aksioneve të përbashkëta amerikano-britanike, por rrëfimi i sotën zbulon detaje të tjera të pabotuara më parë për publikun shqiptar, dhe nxjerr në pah një personazh të ri, Kolonelin Davison, i cili siç duket, i mbeti besnik betimit ushtarak dhe nuk rrëfeu kurrë në publik, derisa vdiq, rreth misionit që ai kishte përmbushur në Maltë, në vitet ’50, ndërsa stërviste djemtë shqiptarë, fati i të cilëve duket se kishte qenë i parashkruar.
Në një rrëfim interesant, bashkëshortja e kolonelit Davison, zonja Maeve, rrëfen historikun e angazhimit të saj dhe të të shoqit në misionin sekret, pjesë e “Operation Valuable”, që e lidh atë me Shqipërinë dhe shpreh keqardhjen për mossuksesin e aksioneve të të shoqit, duke treguar sigurisht edhe pika interesante të karrierës dhe jetës së të shoqit në vitet e Luftës së Ftohtë që duket se kishin qenë tejet profesionale e mbresëlënëse.
Ndër të tjera, ajo rrëfen edhe se: Cilat ishin detyrat e saj dhe të bashkëshortit në Maltë? Kur shkuan dhe si mbahej sekret plani i tyre? Çfarë u duhej të bënin dhe ku stërviteshin shqiptarët që kishin marrë në dorëzim.
Kur e kishte marrë vesh i shoqi se të gjithë shqiptarët që ai stëviste me dorën e vet, kapeshin nga Sigurimi etj. Zonja Davison është e sigurtë kur thotë se: “..ky ishte një aktivitet spiunazhi shumë serioz, me shumë të vdekur për kauzën në të cilën besonin”.
Më poshtë pjesë nga përmbajtja (ku janë hequr të gjitha pjesët për të cilat është gjykuar se nuk kanë interes të veçantë nga publiku shqiptar) e intervistës së zonjës Davison, marrë nga gazeta britanike “Daily Mail”, e datës 2 janar 2011.
* * *
Ishte një zbulim që Rosanna Davison bëri ndërsa gërmonte në historitë e familjes së saj gjatë një emisioni popullor të kanalit TV irlandez RTÉ, ku pohoi se gjyshi dhe gjyshja e saj kishin qenë përfshirë në një histori interesante spiunazhi gjatë Luftës së Ftohtë.
Zbulimi ka habitur modelen 26 vjeçare, e cila ndërsa po realizonte shfaqjen “Ëho Do You Think You Are?” – vizitoi gjyshen e saj tashmë në pension, Maeve – nënën e këngëtarit Chris de Burgh – në shtëpinë e saj në kështjellën e “Ëexford's Bargy”, ku u shfaq fare e indinjuar duke i thënë gjyshes së vet: Përse nuk më ke treguar kurrë për këtë histori?!- “Ju nuk më keni pyetur kurrë e dashur“, i është përgjigjur Maeve, duke bërë që shumë teleshikues të hapin gojën.
Për herë të parë, Maeve ka dhënë një intervistë të gjatë – dhe gazeta irlandeze “Mail on Sunday” ka mundur të zbulojë detaje nga historia e saj, që nga ditët që ka kaluar në Maltë ndërsa trajnonte spiunë britanikë për të luftuar komunizmin në Shqipëri, e deri te lojërat polo e argëtimet e shumta me Lordin Mountbatten... Dhe ky ishte një aktivitet spiunazhi shumë serioz, me shumë të vdekur për kauzën në të cilën besonin.
Maeve de Burgh lindi e u rrit në Indi – ku i ati ishte një gjeneral i ushtrisë indiane. Ajo ishte vetëm tetë vjeç kur nëna e saj i vdiq ndërsa po lindte, dhe kur babai e la ushtrinë, Maeve dhe motra e saj më e re lëvizën sërish mbrapsht drejt Irlandës. “Unë isha 15 vjeç kur babai im doli në pension”, thotë Maeve.
“Ne morëm një shtëpi me qera pranë Naas. Ai nuk e kapërdiu kurrë vdekjen e nënës sime” Pasi mbaroi shkollën, Maeve zuri vend pune në Londër në Ministrinë e Informacionit. “Paguhesha 310 stërlina për të bërë ndonjë çaj apo për të mbledhur tufa revistash si PUNCH apo ‘Illustrated London Neës’, të cilat i nisnim drejt Polonisë”, thotë Maeve.
Ajo shpjegon se shefat e saj shpresonin se jeta me gjithë shkëlqimin e vet në dukje në Perëndim, do të mund t’i bindte njerëzit në Poloni t’i rezistonin marshimit të komunizmit në Lindje. “Kjo nuk funksionioi fare në fakt”, kujton ajo. “Jeta ishte e vështirë dhe unë e ndaja dhomën time me një zonjushë nga Argjentina.
Një ditë ajo më fton në një mbrëmje çaji, dhe koloneli Davison ishte aty. Ngjante shumë simpatik dhe elegant. Ai sapo ishte promovuar me gradën e nënkolonelit për punën e tij matanë linjave armike në Burma”.
Puna e Kolonelit Charles Davison kishte qënë e rrezikshme dhe vlerësohej si shumë e suksesshme. Davison kishte parashutuar në Burman e pushtuar nga japonezët gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke sabotuar regjimin me hedhjet në erë të linjave të furnizimit.
Ai kishte qënë pjesë e njësive të operacioneve speciale të quajtura “V Force”. Regjistrat ushtarakë e shfaqnin kolonelin Davison – i cili vdiq gjashtë vite më parë – të listuar si vullnetar për t’u riangazhuar në aksione të tilla sërish në vitin 1950, porse ai u angazhua në profesione të tjera në këtë periudhë, duke e braktisur zanatin e tij. Është e tepërt të thuash se Davison ishte një figurë elegante dhe intriguese ..”Ne u martuam gjashtë muaj më vonë”, thotë ajo.
Çifti lëvizi drejt Argjentinës, ku Davison edhe ishte rritur dhe ku kishin lindur edhe dy djemtë e tij, Christopher dhe Richard. Por një lidhje e fortë me njerkën e Maeve, kombinuar me industrinë në rënie të fermave në Argjentinë, bëri që familja të vinte sërish në Europë.
“Ne vendosëm t’a provonim fatin tonë në Europë, por nuk kishim para”, tha Maeve. “Por të gjeje një punë edhe në Europë ishte bërë e vështirë dhe kështu që pritëm derisa ushtria i ofroi atij një vend – dmth. neve gjithashtu në të vërtetë – një vend në Malta”, thotë Maeve.
“Unë mendova se ishte diçka interesante. Ata na trajnuan të përdornim kode –kodet në fakt ishin të pazbërthyeshme, deri sa të zotëroje një libër kodesh. Konsistonte në linja dhe figura, nga të cilat shtoje ose pjesëtoje numra sipas instruksioneve që ishin dhënë”. Maeve dhe i shoqi i saj po trajnoheshin të ndihmonin ata të ktheheshin në atdhe, në këmbim të të bërit spiunë.
Ata ishin pjesë e “Operation Valuable”, njërës ndër më të parat përpjekje gjatë Luftës së Ftohtë për të rrëzuar një regjim komunist në Europë, pra në Shqipëri, duke trajnuar desantë të maskuar.
Ata shkuan drejt Maltës në vitin 1951 dhe u vendosën në Rabat...
Davisonit i ishte dhënë titulli zyrtar “Njësia trajnuese dhe dislokuese”, megjithëse posti realisht ishte një detyrë e “Intelligence Service”, e përqëndruar në trajnimin e të rinjve shqiptarë vullnetarë, të cilët mendoheshin se do të çlironin vendin e tyre nga dara komuniste.
Përveç kodeve, Davison i mësonte ata djem se si të vepronin me armët dhe eksplozivët, si dhe si të mbijetonin në beteja e aftësi të tjera luftarake.
“Djemtë e rinj trajnoheshin në Maltë për të operuar prapa linjave të mbrojtjes komuniste në Shqipëri dhe kësisoj t’ia vështirësonin jetën autoriteteve të regjimit komunist”, tha Maeve. “Unë bëja goxha punë që kishte të bënte me sekretarira, duke përfshirë kodimin dhe çkodimin e mesazheve nga Shqipëria për në Londër e anasjelltas. Koloneli Davison trajnonte rekrutët e rinj në vënien e eksplozivëve në një fortesë të mirëmbrojtur”.
Ajo çka nuk iu tha Davisonëve para se të arrinin në Maltë, gjithsesi ishte fakti se disa grupe të mëparshme të dërguara për desantim në Shqipëri, ishin kapur dhe ekzekutuar nga Sigurimi shqiptar.
Kështjella në të cilën ata stërviteshin ishte mes maleve, dhe çifti duhej të udhëtonte përditë nga shtëpia drejt bazës – duke u kujdesur të mbante sekret natyrën e misionit që kishin marrë përsipër. U bë e vështirë për ta të bënin miq në Maltë, pasi nuk mund t’u përgjigjeshin dot pyetjeve që bënin shpesh ata për punën e tyre, dhe kështu që preferonin të izoloheshin për të shmangur kontaktet me fqinjët kureshtarë.
Kolegët e Davisonit në ushtrinë britanike e dinin që ai ishte ngarkuar me misone dislokimesh, duke e menduar se bënte pjesë në një brigadë normale spastruese. Çifti madje i dërgoi fëmijët disa herë të rrinin në Angli, kur e shihte se ata bëheshin më shumë kuriozë se ç’duhej.
Pas një jete të shënuar nga momente të këndshme dhe ndonjë incident okazional, misioni i Davisonëve në fakt përfundoi me një tragjedi. Në mënyrë thuajse të plotë, të gjithë agjentët që ata trajnuan, hasën në të njëjtin fat sikurse shokët e tyre paraardhës: ata u zbuluan nga autoritetet shqiptare dhe u ekzekutuan.
“Natën në të cilën agjentët u nisën për në Shqipëri, ne kaluam gjithë natën në kështjellë duke dëgjuar mesazhet e koduara për të marrë vesh lajmin që ata kishin zbarkuar të sigurtë”, tha Maeve. “Ne kërcyem nga gëzimi kur dëgjuam se ata kishin zbarkuar të sigurtë, por mëngjesin tjetër mësuam se thuajse të gjithë ishin arrestuar dhe ekzekutuar.
Vetëm njëri prej tyre arriti të kthehej duke u hedhur maleve, e duke vuajtur nga ftohti vrastar. “Humbja e jetëve nuk mund të vazhdonte në atë mënyrë, kështu që operacioni u anulua – megjithëse askush nuk po kuptonte se si arrinte Sigurimi shqiptar t’a merrte informacionin aq shpejt”.
Ishte një mister, i cili u zbulua vetëm kur u shfaq disa vite më vonë, në mënyrë surprizuese dhe shokuese “pesëshja e Kembrixhit” –një qark britanikësh me lidhje shoqërore superiore, të cilët kishin rënë nën ndikimin komunist gjatë kohës së studimeve në Universitetin e Kembrixhit dhe më vonë u bënë spiunë sovjetikë.
Saga e Pesëshes së Kembrixhit s’do të thoshte shumëçka për Maeve dhe të shoqin, kur oficerët e shërbimit inteligjent britanik, Guy Burgess dhe Donald Maclean, u shfaqën në Moskë duke fituar një publicitet të madh në mesvitet ‘50.
Por kjo ndryshoi në vitin 1963, kur Kim Philby, një anëtar veteran i shërbimeve inteligjente britanike, rrëfeu se kishte qënë një agjent i dyfishtë dhe u vetëdorëzua tek rusët. Emri në fjalë ra si një gong në vesh të Maeve: ajo e kishte njohur personalisht Filbin si një shef të shërbimeve të inteligjencës gjatë ditëve të qëndrimit të saj në Mesdhe, një periudhë kur misioni tyre ra nën komandën e tij.
Kur ai u zbulua si spiun, Davisonët kuptuan se kishte pasur shumë gjasa që Filbi të kish qenë njeriu që u kish kaluar informacionet shefave të tij komunistë mbi veprimet e agjentëve të stërvitur shqiptarë.
Maeve i hipi gjaku në kokë, duke menduar mbi të gjitha idealet e atyre djemve të rinj që vdiqën për shkak të tradhëtisë së tij. “Unë isha shumë e irrituar”, tha ajo. “Ishte një humbje kaq e madhe jetësh”.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 12.02.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)