Ja si t’i eksploroni online
 54 hartat e rralla

Ja si t’i eksploroni online<br /> 54 hartat e rralla
Behije Luga është shefe e sektorit të Informatikës dhe Teknologjive të Reja në Bibliotekën Kombëtare. Ajo tregon për “Shqiptarja.com” rrugët e aksesit për të gjithë interesuarit, vështirësitë deri më dje për t’i pasur në duar këto harta për shkak të dëmtimeve dhe brishtësisë së këtyre antikuareve, dhe integrimin e këtij koleksioni në portalin e Bibliotekës Europiane dhe atë të Bibliotekës Dixhitale Botërore.

Znj. Luga, çfarë vlerash ka ky koleksion i rrallë hartash dhe si u arrit dixhitalizimi i tyre?
Sot në kuadër të projektit të dixhitalizimit të vlerave të Bibliotekës Kombëtare, promovuam fondin e hartave të antikuarit që përfshijnë shekujt 16-18. Ky koleksion i hartave të rralla numëron rreth 54 njësi bibliotekare. Këto harta të rralla kanë një vlerë të posaçme për trojet shqiptare dhe më gjerë dhe janë një burim informacioni me të dhëna të shumta historike, etnografike, gjuhësore dhe gjeologjike, etj. Ky koleksion i hartave është mjaft i rëndësishëm jo vetëm për Bibliotekën Kombëtare por edhe për mbarë vendin sepse është pjesë e trashëgimisë sonë kulturore dhe më gjerë. Duke qenë se ky koleksion ka vlera të rralla dhe ka mbijetuar që nga lashtësia, ne si bibliotekarë na del detyra ta mirëmbajmë sa më mirë këtë koleksion që të ketë një jetëgjatësi sa më të madhe në mënyrë që t’i shërbejë brezave të ardhshëm.

Si përdorej deri më dje ky koleksion. Kishte liri përdorimi nga studiuesit dhe të interesuarit e tjerë?
Në përdorimin e këtij fondi para se të dixhitalizohej kishte nëj varg vështirësish, sidomos nga vetë materiali. Hartat janë materiale të brishta, ndaj do të duhej që ai përdoruesi që donte t’i përdorte këto harta, të vendosej në një ambient të zgjedhur të bibliotekës, të ishte nën mbikëqyrje dhe kohën e studimit do ta kishte e kufizuar dhe në varësi të orarit të vetë Bibliotekës.
Një objektiv të rëndësishëm në kohën që ne ndërmorëm këtë projekt ishte që kopjet origjinale të këtij koleksioni të ruhen tashmë sa më mirë dhe të mos bien në dorë të lexuesit që të mund të dëmtohen më tej, meqë është një koleksion mjaft i hershëm dhe me materiale mjaft të brishta.
Kështu që këto lloj vështirësish me krijimin e këtij fondi të hartave në formën e dixhitalizuar eliminohen. Ne sot sigurojmë qasje pa kufizim online në koleksionin e hartave të rralla si për studiuesit edhe për çdo përdorues të thjeshtë.

Si mund ta orientojmë lexuesin dhe të interesuarit për ta vizituar online këtë koleksion të rrallë?
Ky koleksion i rrallë hartash mund të eksplorohet nga kushdo, online, përmes internetit në faqen tonë zyrtare ëëë.bksh.al.
Ky proces dixhitalizimi mundëson qasjen në koleksionin e hartave të rralla, dikur “të fshehura” e të vështira për tu përdorur nga studiues e përdorues të rinj. Duke sjellë online këtë koleksion të vlerave të rralla ne pasurojmë edhe përmbajtjen bibliotekës dixhitale albanologjike të bibliotekës kombëtare që është krijuar prej dy vitesh dhe e kemi në faqen tonë zyrtare. Përmes këtij projekti ne pasurojmë edhe eksperiencat e komunitetit të studiuesve përmes rrugëve të reja në përdorimine këtij koleksioni të rrallë dhe shpresojmë të inspirojmë edhe audienca të reja në përdorimin e këtij koleksioni të rrallë të hartave që tashmë është në përdorim për këdo.
Njëkohësisht me përfundimin dhe daljen online të këtij koleksioni të hartave të rralla Biblioteka Kombëtare tashmë këtë koleksion e ka të gatshëm për ta integruar dhe në portalin e Bibliotekave europiane si dhe në portalin e Bibliotekës Dixhitale Botërore, pjesë e së cilës jemi edhe ne vitet e fundit.

(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza