Ish-deputeti i PD Bardh Spahia, sipas raporteve të policëve që kanë qënë në shërbim ruajtje në KZAZ nr.13 në Shkodër, ka qënë në krye të protestuesve dhe ka kundërshtuar disa herë forcat e policisë në këtë qytet. Sot “Shqiptarja.com” zbardh të plotë dosjen e prokurorisë, ku jepet një tablo më e qartë se çfarë ka ndodhur në 18 qershor në ambjentet e KZAZ në Shkodër. Ngjarje kjo, që më pas solli arrestimin e ish-deputetit Bardh Spahia dhe disa personave të tjerë në Shkodër. Momentalisht, Spahia është liruar edhe nga arresti shtëpiak, ndërkohë çështja penale kundër tij vijon të jetë e hapur në prokurorinë e Shkodrës nën akuzën e “Kundërshtimit të forcave të policisë”.

Në dosjen e prokurorisë thuhet se: “…më datë 18 qershor 2019, rreth orës 20:00, në oborrin e kësaj shkolle kanë shkuar rreth 40 apo 50 persona, me qëllim që të hynin brenda në ambjentet e shkollës “Shenjaze Juka”, ku ishin vendosur materialet zgjedhore të KZAZ. Efektivët e policies, të dislokuar aty me shërbim për të ruajtur këtë KZAZ, kanë formuar një kordon policor, duke ju bërë thirje personave që të ndalonin veprimet e tyre të kundraligjshme, pasi atyre personave, duke mos qënë nxënës, nuk u lejohej hyrja në ambjentet e shkollës. Personat nuk i janë bindur urdhërit të ligjshëm të punonjësve të policisë për t’u larguar nga ambjentet e shkollës, por përkundrazi kanë filluar të konfrontohen me forcat e policisë, t’i kundërshtojnë ato, duke i shtyrë, sharë, ofenduar me pretekstin se kanë të drejtë të djegin KZAZ nr.3. Duke vepruar në këtë mënyrë të ashpër dhe duke kundërshtuar me forcë punonjësit e policisë, kanë arritë të çajnë kordonin dhe të hyjnë në ambjentet e brendshme të shkollës. Forcat e policisë u kanë bërë thirje personave që të mos futeshin në ambjentet e brendshme të shkollës, por ata nuk i janë bindur urdhërit të punonjësve të policisë.

Nisur nga fakti se kishte shumë persona tek KZAZ nr.3, e vendosur tek shkolla “Shenjaze Juka”, të cilët po tentonin të hynin brenda me forcë, po në këtë date, rreth orës 20:00, forcat e policisë në Shkodër kanë kërkuar ndihmën e forcave të posaçme “Shqiponja”. Këto forca kanë mbëritur në këtë KZAZ dhe janë pozicionuar për të mbrojtur shkollën dhe materialet që ndodheshin brenda në të. Aty kanë qënë një grup i madh personash; një pjesë e tyre ishte në korridorin e brendshëm të shkollës dhe po konfrontoheshin duke u shtyrë me punonjësit e policisë. Forcat e posaçme të policisë “Shqiponja”, në bashkëpunim me punonjësit e tjerë të policies, kanë arritur të nxirnin njerëzit nga godina e shkollës në oborrin e shkollës, por dhe aty këta persona kanë kundërshtuar. Nga grupi i atyre që kryenin veprime aktive dhe që kanë kundërshtuar punonjësit e policies, është arritur të identifikohet e të njihen disa shtetas. Në orën 20:20, në oborrin e shkollës kanë ardhur dhe shumë persona të tjerë, numri i tyre është shtuar dhe të gjithë personat, duke kundërshtuar me forcë punonjësit e policies, janë futur në oborrin e shkollës. Punonjësit e policisë kanë konstatuar faktin se grupi i personave kryesohej nga ish-deputeti i Kuvendit të Shqipërisë Bardh Spahia, nga kryetari i PD në Shkodër Xhevdet Amuli, si dhe nga kryetari i ish-komunës Velipojë Nikoll Marku. Me kalimin e kohës, grumbullimi i njerëzve në ambjentet e shkollës është bërë më aktiv, duke shtuar intensitetin e veprimeve të tyre kriminale ndaj punonjësve të policies, që ishin rreshtuar me detyrë shërbimi në ambjentet e shkollës, ku ndodhej KZAZ nr.3. Njerëzit e grumbulluar kanë sulmuar me sende të forta policinë dhe u janë afruar mureve dhe dritareve të godinës së shkollës, duke hapur me forcë qepenin e shkollës. Nga përdorimi i forces, qepeni ka dalë nga shinat. Më pas turma, duke goditur e kundërshtuar me forcë punonjësit e policisë, ka hyrë në ambjentet e brendshme të shkollës. Disa nga personat që ishin jashtë janë afruar tek dritaret e shkollës, aty ku ishte vendosur dhe një ambjent i KZAZ, kanë thyer xhamat e dritareve, kanë hedhur brenda shishe me benzinë dhe u kanë vënë flakën ambjenteve të brendshme të klasës, ku ndodheshin materialet zgjedhore. Punonjësit e policisë kanë identifikuar disa nga personat, që ishin më aktivë në veprimet e tyre, duke i kundërshtuar dhe goditur ata, por kla patur dhe persona të tjerë, të cilët ka qënë e pamundur për t’i identifikuar.

Në deklarimet e marra si persona që kanë dijeni për veprën penale, policët kanë përshkruar të njëjtën situatë në raportet e shërbimit pranë shkollës “Shenjaze Juka”. Kjo shkollë është e rrethuar me mure rreth e përqark saj, me derë hyrëse në këndin verilindor. Dera hyrëse e shkollës ishte me qepena dhe ka rezultuar se qepeni lindor i saj është dëmtuar, i dalë nga shinat në të dy anët dhe i ngritur nga bazamenti në formë trekëndore, me 20 cm nga boshti i saj. Ndërkohë, tri dritare që gjenden në perëndim të kolonës perëndimore të derës së shkollës kishin xhama të thyer, ndërsa kasat prej duralumini me ngjyrë të bardhë ishin me lagështirë. Mbi sipërfaqen e dyshemesë janë gjendur copa pllakash dhe është evidentuar lagështirë. Dritarja e parë ishte e nxirë me blozë. Mbi kolonën perëndimore të derës së shkollës është vendosur një kamer sigurie. Nga personat e identifikuar më pas si njëri nga individët që kanë kundërshtuar me forcë punonjësit e policisë dhe nuk iu është bindur urdhërave të tyre, ka qënë dhe i dyshuari Bardh Spahia. Nisur nga këto rrethana, më 19 qershor 2019, oficerët e policisë gjyqësore kanë kryer ndalimin e Bardh Spahisë. Veç Spahisë janë identifikuar dhe arrestuar Çesk Toma, Alfred Nikolli, Aleks Ndoj, Adi Garuci, Gentjan Bytyqi, Arlando Thepi.