Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti sot në takim kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj për të diskutuar rreth përfshirjes dhe kategorizimit të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të Zonës Operative të Dukagjinit.
Takimi u zhvillua pas letrës që Haradinaj, njëherësh ish komandant i Zonës Operative të Dukagjinit të UÇK-së, i ka drejtuar Komisionit për Verifikimin e Statusit të Veteranit dhe Presidentes Jahjaga e Kryeministrit, Isa Mustafa.
Presidentja Jahjaga theksoi nevojën që të gjitha palët dhe institucionet të punojnë bashkërisht në respektimin e ligjit, kritereve dhe specifikave të zonave për të siguruar një proces gjithëpërfshirës që njeh dhe vlerëson meritat e secilit qytetar të Kosovës të angazhuar në përpjekjet tona për liri.//atsh/