-Në Prishtinë nis konferenca globale ndërfetare-
PRISHTINË, 28 Maj /ATSH-B.Jashari/.- Në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, nisi sot pasdite për të vazhduar deri në 30 maj, konferenca e 4-të ndërkombëtare ndërfetare, në të cilën do të theksohet roli, përvoja dhe kontributi i Kosovës dhe rajonit të Ballkanit në debatin global mbi promovimin e dialogut ndërfetar dhe luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm.
"Për vite me radhë në Kosovë mblidhen përfaqësues të besimeve të ndryshme dhe njerëz që i kanë dedikuar jetën fuqisë së bashkimit shpirtëror, për të treguar vlerën e dialogut ndërfetar dhe ekumenik dhe për të dëshmuar rëndësinë e tolerancës dhe harmonisë ndërfetare", tha Presidentja kosovare, Atifete Jahjaga, në hapjen e konferencës globale ndërfetare në Prishtinë.
Ajo vijoi se, me një traditë shumë më gjatë të tolerancës, harmonisë dhe të bashkëpunimit ndërfetar, madje edhe në periudhat më të rënda të historisë së saj, Kosova ka ndërtuar bazën e mirëkuptimit, tolerancës dhe harmonisë ndër shekuj dhe pikërisht kjo traditë tregon se sa e vështirë është të prishen vlerat që njerëzit bashkërisht i kanë ndërtuar me mund.
"Prandaj sot, kur mblidhemi për të gjetur një rrugë të përbashkët të mirëbesimit dhe paqes gjithnjë rikthehemi në rrënjët tona që bazohen në bashkëjetesën ndërmjet njerëzve të kulturave të ndryshme", u shpreh Jahjaga.
Ajo shtoi se, duke ndërtuar shoqërinë gjithëpërfshirëse, që bazohet në vlerat e tolerancës dhe mirëkuptimit dhe duke ruajtur vlerën më të madhe të mirëbesimit dhe respektimit ndërnjerëzor, ne duhet të ndihmojmë në vazhdimin e promovimit të dialogut ndërmjet nesh, ndërmjet kulturave dhe traditave e besimeve të ndryshme.
"Pikërisht kjo traditë e dialogut është një vlerë e shtuar e shoqërisë së Kosovës, që ka kaluar një histori të rëndë, por që gjithherë i është rikthyer shpirtit të tolerancës dhe harmonisë edhe ndërmjet qytetarëve por edhe ndërmjet besimeve", theksoi Presidentja kosovare.
Jahjaga tha se, tradita e bashkëjetesës fetare, e kultivuar përgjatë historisë së vendit, e gërshetuar edhe në Kushtetutën tonë, si pjesë e rëndësishme e lirive të njeriut, e bën Kosovën një shtet të respektimit të diversitetit dhe të ruajtjes së paqes.
"Megjithëkëtë, në një kohë të sfidave globale të sigurisë, kur njëkohësisht po sfidohet edhe bashkëjetesa, madje edhe fetare, na duhet një përgjigje e përbashkët, gjithëpërfshirëse, për ta ruajtur një vlerë të rëndësishme për njerëzit - mirëkuptimin dhe mirëbesimin ndërmjet tyre", vijoi ajo.
Kjo sfidë, që nuk ka lënë pa e prekur edhe Kosovën, theksoi Jahjaga, shndërrohet në një betejë të rëndësishme për qytetarët tanë, për të rinjtë tanë, që të ritheksojnë edhe njëherë vlerën e shtetit të ri të tyre, se e ardhmja bazohet në besimin te shteti i përbashkët, i cili ndërtohet mbi shumëllojshmërinë e kulturave dhe traditën e bashkëjetesës midis tyre.
"Për të siguruar një gjë të tillë, ne duhet të konfrontohemi me ekstremizmat e çfarëdo lloji dhe me ndikimet që ato mund të kenë mbi të rinjtë tanë. Dhe, prandaj, na duhet angazhim i plotë i yni, i shoqërive tona, në hapjen e perspektivave për të rinjtë tanë, në rritjen e nivelit të arsimimit dhe në kultivimin e kulturës së bashkëjetesës. Dhe religjioni është pikërisht këtu, për ta ndihmuar këtë angazhim për një të ardhme më të mirë për të gjitha vendet tona", u shpreh më tej Jahjaga.
A
jo vijoi se, në përpjekjen tonë për ta garantuar paqen dhe sigurinë, jo vetëm për ne por për gjithë rajonin, po edhe më gjerë, në këtë kohë të përballjeve me këto sfida të rënda, ne po provojmë që me angazhimin tonë të ndërtojmë një arkitekturë të re të bashkëpunimit dhe të mirëbesimit.
"Vlerat e bazuara në tolerancë, harmoni, mirëkuptim e gjithëpërfshirje duhet t'i mbizotërojnë konfrontimet dhe të çelin rrugën e pajtimit mes popujve dhe shteteve, duke garantuar bashkëpunimin dhe hapjen e perspektivës për të ardhmen tonë", theksoi Jahjaga.
Kjo konferencë, vlerësoi ajo, është dëshmia më e mirë e rezultateve të punës sonë të përbashkët, jo vetëm si institucione, por edhe si shoqëri.
Konferenca e sivjetme e nivelit të lartë përfshin prezantimet dhe fjalimet kryesore nga liderë botërorë fetarë, ministra dhe zyrtarë të lartë qeveritarë, ndërmarrës, përfaqësues ndërkombëtarë, si dhe pjesëtarë të shoqërisë civile me synim që të lëvizet nga debati publik drejt krijimit të mjeteve që do t'u shërbejnë brezave të rinj të aktivistëve socialë.
Në mesin e më shumë se 200 pjesëmarrësve në konferencë ka edhe delegatë të rinj të cilët udhëtojnë nga vende të largëta si Afganistani, shtete të Amerikës e Jugut dhe Nigerisë për të shkëmbyer ide për mënyrat e luftimit të ekstremizmit dhe gjuhës së urrejtjes në internet.
Kjo konferencë bashkon të rinjtë nga Kosova, Ballkani dhe komuniteti global për t'u takuar me krerë fetarë, diplomatë, juristë, gazetarë, udhëheqës të organizatave joqeveritare, akademikë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile. Pjesëmarrësit do të shkëmbejnë përvojat dhe idetë e tyre për sfidimin e ekstremizmit në internet.
Konferenca organizohet nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës dhe Instituti Ndërkombëtar për Dialog Ndërfetar (IIID), me mbështetje të Kombeve të Bashkuara, Ambasadës së Mbretërisë së Norvegjisë, Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Këshillit Britanik, Ambasadës britanike, Zyrës së Bashkimit Evropian./m.m/