Jahjaga: Kosova nis rrugëtimin e pakthyeshëm për anëtarësimin në BE

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, përshëndeti miratimin sot në Kuvend të ratifikimit të MSA-së mes Kosoës dhe Bashkimit Evropian.

"Ishte nder dhe privilegj që të jem sot dëshmitare e ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, këtij momenti të rëndësishëm për Kosovën dhe për të ardhmen e saj evropiane. Sot u bashkuam, pavarësisht dallimeve tona e orientimit tonë politik, të përgjegjshëm për peshën historike të këtij momenti. E hodhëm bashkërisht këtë hap jetik për qytetarët e Republikës së Kosovës, për forcimin e perspektivës evropiane të shtetit tonë dhe nisëm rrugën e pakthyeshme për ta bërë Kosovën anëtare të Bashkimit Evropian", thekson Jahjaha në një postim në rrjetin social Facebook.

Presidentja Jahjaga tha se "ky rrugëtim vazhdon të jetë plot sakrifica dhe ne duhet të jemi të vëmendshëm për listën e gjatë të prioriteteve që na presin për ta bërë Republikën e Kosovës vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ne ende jemi duke e konsoliduar shtetësinë e Kosovës, ende jemi duke e forcuar sovranitetin tonë, ende jemi duke u përballur me sfidat e tranzicionit të cilat po vërehen më së shumti në mangësitë në sundimin e rendit dhe ligjit, sistemin tonë arsimor dhe atë të shëndetësisë".

"Përtej simbolikës së fuqishme të orientimit proevropian, ratifikimi i MSA-së duhet të shihet si fillim i një përkushtimi institucional dhe shoqëror për reforma të thella, të cilat do të forcojnë demokracinë tonë të brendshme dhe do ta përmirësojnë nivelin e qeverisjes dhe standardin e jetesës për secilin qytetar. Kjo ditë dikur na dukej e paimagjinueshme dhe paarritshme. Kjo ditë erdhi. Kjo ditë është për gjeneratën e re të Republikës së Kosovës, për të gjitha mundësitë që atyre do t'iu ofrohen për të pasur një të ardhme të sigurt. Ky ratifikim është një garanci për të gjithë ata prindër që shpeshherë janë ndier të pasigurt për të ardhmen e fëmijëve të tyre në këto vite tranzicioni dhe shtetndërtimi. Bashkë, me shumë sakrificë dhe shumë mund, po i arrijmë të gjitha, një nga një", përfundon Jahjaga.

  • Sondazhi i ditës:

    Kredimarrësit e këqinj s’do marrin më kredi, si e vlerësoni rregulloren e BSH?



×

Lajmi i fundit

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, “kalbja mediatike” e Tiranës infektoi Prishtinën