PRISHTINË, 16 Dhjetor /ATSH/.-Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, zhvilloi sot një bisedë telefonike me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Zëvendës Presidenten e Komisionit Evropian, zonjën Federica Mogherini, para miratimit të konkluzioneve për Kosovën nga Bashkimi Evropian.
Presidentja Jahjaga shkruan në Facebook, se "diskutimi u përqëndrua në formimin e institucioneve të reja në Kosovë dhe angazhimin për të përmbushur reformat e nevojshme për avancimin e axhendës evropiane të vendit".
Presidentja Jahjaga theksoi se "institucionet e reja në Kosovë janë të angazhuara për të përmbushur përgjegjësitë dhe detyrimet që lidhen me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, formimin e Gjykatës Speciale të Kosovës, vazhdimin e dialogut me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe reformat e tjera si MSA-në dhe përmbushjen e kritereve për procesin e liberalizimit të vizave, si pjesë e axhendës më të gjerë evropiane të Kosovës".
Presidentja Jahjaga i bëri ftesë Përfaqësueses së Lartë të BE-së Mogherini të vizitojë Kosovën./b.j/./i.v/








