Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në kuadër të aktiviteteve për Javën e të Zhdukurve, priti në takim një grup të përfaqësuesve të familjarëve të personave të pagjetur dhe kryetarin e komisionit qeveritar, Prenk Gjetaj.
"Zbardhja e fatit të të pagjeturve është një ndër plagët më të rënda që ka Kosova. Shpreh përkushtimin institucional për zgjidhjen sa më të shpejtë të kësaj çështje shumë të ndjeshme", theksoi Jahjaga.
Presidentja Jahjaga i siguroi familjarët se e gëzojnë mbështetjen e plotë të saj dhe nënvizoi se fati i të pagjeturve është gjithmonë në axhendë të takimeve që zhvillon me përfaqësuesit më të lartë të bashkësisë ndërkombëtare si në vend ashtu edhe gjatë vizitave jashtë Kosovës. Ajo theksoi nevojën për më shumë angazhim dhe përpjekjet jo vetëm për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, por edhe për të vënë në vend drejtësinë.
Koordinatori i Këshillit Koordinues të Asociacioneve familjare të të zhdukurve të Kosovës, Bajram Qerkinaj, në emër të familjarëve e falënderoi Presidenten Jahjaga për angazhimin e saj rreth zbulimit të fatit të të pagjeturve dhe njëherësh kërkoi nga ajo që këtë çështje ta ngre në nivelet më të larta të vendimmarrjes me qëllim që sa më parë të zbulohet për fatin e tyre./atsh/