TIRANË - Kryeministri Edi Rama mikpriti sot në takim Presidenten e Republikës së Kosovës, zonjën Ahtifete Jahjaga dhe delegacionin që e shoqëronte, të cilët ndodhen për një vizitë zyrtare në vendin tonë.

Presidentja Jahjaga i shprehu falenderimet Kryeministrit Rama dhe qeverisë shqiptare për mbështetjen e pakursyer të dëshmuar ndaj Kosovës, në të gjitha aspektet dhe në mënyrë të veçantë për kontributin dhe përkrahjen në procesin e njohjes së pavarësisë Kosovës.

Presidentja Jahjaga dhe Kryeministri Rama vlerësuan ecurinë e bashkëpunimit shumë të mirë që ekziston mes vendeve, falë zbatimit me sukses të një sërë marrëveshjeve në fusha me interes reciprok.

Bashkëbiseduesit u dakordësuan për intensifikimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi strategjik, në ekonomi, shëndetësi, arsim, shkëmbimet tregtare, etj.

 Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)