PRISHTINË - Më17 korrik 2014 do të mblidhet Parlamenti i ri i Kosovës i dalë pas zgjedhjeve të parakohshme të zhvilluara më 8 qershor, data është bërë publike nga Presidentja Jahjaga përmes rrjetit social “Facebook”.

Presidentja e Kosovës ka vendosur sot për datën që do të zhvillohet seanca e parë konstituive e Kuvendit të Kosovës.

Caktimi i datës nga ana e Presidentes Jahjaga ka ardhur pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për certifikimin e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme të përgjithshme në Kosovë.
 
“Procesi i zgjedhjeve të parakohshme të përgjithshme në vend ka përfunduar me certifikimin zyrtar të rezultatit, duke i hapur rrugën konstituimit të Kuvendit të ri të Kosovës.”-shkruan Atifete Jahjaga.

Në lidhje me mandatarin e ri të qeverisë Jahjaga shprehet se të gjitha veprimet e saj do të jenë të mbështetura në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në ligjet në fuqi, duke shtuar se pas konstituimit të Kuvendit, do të dërgojë në Kuvend edhe propozimin për mandatarin e ri për kryeministër.

jahjaga fb(Statusi i Atifete Jahjagës për konstituimin e Parlamentit të Kosovës)

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)