Jakin Marena: Berisha halleshumë, ‘aksidenti’ Bardhi dhe Meta si lider i koalicionit

Jakin Marena: Berisha halleshumë, ‘aksidenti’ Bardhi dhe Meta si lider i koalicionit

Emërimi i Gazment Bardhit dhe Agron Gjekmarkajt si nënkryetarë të Foltores nga ana e Sali Berishës po tentohet të ‘shitet’ si një ngjarje e madhe për tërë opozitën dhe si një veprim i ‘epërm’ drejt bashkimit të të gjitha copave të PD në një të vetme.

Për më tepër dhe ‘sistemimi’ i ndjekësve të Bardhit në kryesinë e “Foltores’ apo poste të tjera të këtij grupimi politik, po tentohet të paraqitet si një ‘rikthim në shtëpi’ i të gjithë atyre që dolën kundër Berishës dy vite më parë, madje e mbrojtën PD zyrtare dhe Lulzim Bashën dhe me shkop në dorë si në rastin e Ervin Salianjit.

Po të ishte kështu në realiteti, dhe ata që nuk i japin votën opozitës do ta shihnin një shenjë të mirë, pasi dhe fitorja përballë një kundërshtari më të fortë shijon më shumë, ka më shumë vlerë dhe për pasojë me një opozitë të bashkuar e serioze, dhe qeverisja do të ishte akoma më e mirë.

Për fatin e keq, rezultati që parashikohet në të ardhmen, pas këtij ‘bashkimi’ pritet të jetë një katastrofë e vërtetë, dhe jemi të bindur se nuk do të shtojë asnjë kokërr vote për këtë grupim politik apo për opozitën në përgjithësi. Përkundrazi, do të shënojë një rënie të frikshme. Këtë po parashikojnë dhe sondazhet serioze të zhvilluara deri më tani.

Pse e themi këtë, dhe pse besimi ynë në këtë lëvizje më të fundit të bërë nga ana e Berishës dhe lidershipit të Foltores është një investim jorentabël?

Po i marrim me radhë. Në krye të herës emërimi i Bardhit dhe Gjekmarkajt si nënkryetarë të Foltores, apo Salianjit dhe të tjerëve në kryesinë e këtij grupimi politik, është kundër të gjitha ligjesive partiake të një partie politike.

E themi këtë sepse në një parti politike ngjitjet apo zbritjet në karrierë, organizimi i strukturave apo forumet drejtuese, bëhen me zgjedhje dhe nuk emërohen. Element bazë për funksionimin e një partie politike është vota. Pikërisht ajo që për të cilën publikisht dy vite me radhë Berisha ka lëvizur lart e poshtë për të mposhtur rivalin politik brenda PD, Lulzim Basha. Që nga aplikimi i ‘primareve’ për të zgjedhur kandidatin për kryetar bashkie e deri tek forumet dhe strukturat drejtuese. Por paska qënë tërësisht një lëvizje ‘kallp’, pavarësisht se të gjithë e dinin se Berisha nuk zhgënjen kurrë në sjelljen e tij, për të bërë si do vetë me partinë apo çfarë i bie në dorë.

Berisha zyrtarisht dhe publikisht pranoi se nuk e njeh fare mekanizmin e votës. Jo vetëm që ata që janë votuar, janë votuar me orientim nga lart dhe atë që ka dashur Berisha për 33 vite me radhë, por tani tregoi se është mërzitur dhe me atë gjasme mekanizëm vote dhe i ka rënë shkurt duke kaluar direkt në emërime. Dhe jo një apo dy kooptime në kryesinë e grupimit politik që drejton, por emërimin e dy nënkryetarëve të Foltores dhe tërë grupit te Bardhit, sipas listës në krye dhe struktura të tjera. Përjashtuar Jorida Tabakun, që refuzoi Berishën në këto emërime.

Nuk di si do të justifikohet para elektoratit që e ka mbështetur, ka mbështetur vetëm Berishën për hir të së vërtetës, në lidhje me ‘vdekjen’ e mekanizmit të votës në grupimin e tij. Nuk e di se si do ta akuzojë kundërshtarin e tij politik brenda opozitës, Lulzim Basha, tashmë që Berisha e ka shkelur me këmbë dhe vetë zyrtarisht votimin tek ata që drejton.

Mbetet sërish mister se si do përballet me kreun e mazhorancës Edi Rama, të cilin e ka akuzuar se ka zhdukur mekanizmin e votës në PS. Madje Berisha ka deklaruar se do të bëjë ankimim për këtë, për të sjellë në ‘shina’ sipas tij, partinë më të madhe që qeveris e vetme në mandatin e tretë. Pasi dhe njeriu më apolitik apo i pashkollë do i përmendë Bardhin dhe të tijtë në këtë rast.

Jo se e ka problem Berisha të ndryshojë tre herë në ditë qëndrimet e tij, pasi Foltorja pronë e tij është, por problemi është se reflektohet poshtë tek anëtarësia e grupimit politik që drejton, tek elektorati i djathtë që me kohë e vakt e ka braktisur. Por dhe shfaq lëkundje serioiziteti, më e pakta që mund të themi, përballë publikut.

Nuk mund të të besojë askush pas këtyre ‘piruetave’ politike, ku herë përdor si kauzë rikthimin e mekanizmit të votës e herë e shkelmon atë për ta zëvendësuar me emërimet në parti. Hajde e bindi demokratët apo elektoratin shqiptar që të të besojnë që nesër, në një të nesërme shumë të largët të kuptohemi, nuk do të veprohet dhe me ndërtimin e shtetit në këtë mënyrë.

Në fund të herës, me këtë lëvizje çfarë përfitoi opozita. Thjeshtë Bardhi dhe të tijtë kaluan nga PD zyrtare e Bashës, në një fazë të ndërmjetme ‘as mish dhe as peshk’, për t’u pozicionuar përfundimisht te Foltorja e Berishës. Eshtë një lëvizje brenda një ene të përbashkët dhe pak rëndësi ka se në cilin cep apo qendër të saj mund të lëvizësh. Kapaciteti i ‘enës’ politike të opozitës është i njejtë, është aq i vogël sa mazhorancën socialiste të drejtuar nga Edi Rama nuk e kërcënon në asnjë cep të saj. Lëvizja tek Foltorja përmes Bardhit, është rreth vetes me një fjalë.

Andej nga anët tona këtë lëvizjen e Bardhit dhe të tijve nga Basha tek Berisha e quajnë as më pak e as më shumë por si një lëvizje ‘kunj më kunj’. Pavarësisht se është një lëvizje brenda vetë opozitës, dhe nuk shton as një votë për të. Eshtë një qarkullim i brendshëm që nuk thith asgjë nga jashtë Foltores dhe opozitës.

Por lëvizja ‘kunj më kunj’ ka dhe rreziqe për vetë ata që lëvizin, e kuptojnë mirë shqiptarët se për çfarë e kemi fjalën, ku ngushëllimi i vetëm është se dhe nëse ndodh ‘hataja’, s’ka ‘tradhëti’ të madhe në këtë mes, pasi gjithçka është brenda familjes, familjes opozitare themi.

Ana tjetër e medaljes është se Bardhi në vetëvete është një ‘aksident’ politik brenda PD. Nuk ka as këllqe, as ide dhe as program, vjen ‘copë një’ pa asnjë përkrahje, falë dhe këtyre lëvizjeve sa në njërën anë në tjetrën, çka ka lënë rrugës dhe ata që mund ta kenë ndjekur. E njëjta gjë dhe për mbështetësit e tij, të cilët nuk shtojnë asnjë votë për Foltoren. Megjithëse të gjithë bashkë kanë kapur ekranet televizive duke bërë dhe sherr me panelistët, me ata që u kanë mbajtur anën. Pasi me veprimet e trasha që kanë bërë Bardhi me shokë i kanë lënë pa tekst dhe ata panelistë që i përkrahin, që kanë ngritur për vite të tëra një formulë ligjërimi që u ka dhënë akses publik por dhe ndonjë lek. Se dhe do jetojë robi. Me këto ‘pirueta’ që po bën Bardhi dhe tijtë, dhe pas tyre Berisha, ua kanë hequr bukën e gojës mbështetësve të tyre në media. Pasi kanë prekur fundin dhe nuk kanë çfarë të thonë, nuk gjejnë asnjë element për të mbrojtur këtë pjesë të opozitës, prej gomarllëqeve që vijojnë të bëjnë sapo të zbardhi dita dhe të mbyllet nata.

Sa për justifikimin se për Bardhin dhe të tijtë, duke u emëruar nënkryetarë të Foltores apo në kryesinë e saj, është një ‘rikthim në shtëpi’, ajo që mund të themi është se shqiptarët e dinë çfarë është shtëpia. Dhe kanë koncept tjetër për shtëpinë, pasi e mendojnë me çati ose sëpaku me soletë. Foltorja nuk është ‘shtëpi’ për askënd, parë në anën juridike, është pa leje, në të zezë, është një ngrehinë e përkohëshme, s’ka simbole apo i ka të vjedhura të paktën zyrtarisht nga PD zyrtare.

Në një vend normal, duhej të kishte pasur ndonjë proces gjyqësor për vjedhje simbolesh partiake.
Por me sa duket drejtësia nuk është marrë me Foltoren, pasi gati tërë lidershipi i këtij grupimi politik, të zgjedhur më parë përmes votës së orientuar apo të emëruar tashmë së fundmi, kanë halle të mëdha. Kanë halle me vetë drejtësinë dhe kjo duket qartë, ndaj bëjnë gjithçka për një mandat deputeti, nëse do të kenë fatin të hyjnë si kandidatë në zgjedhjet e 2025 apo nëse vë ‘dorën në zemër’ Ilir Meta dhe i fut nën siglën e Partisë së Lirisë. Pra u siguron siguron ‘çati’.

Por tek puna e ‘çatisë’ ka dhe një çikë llogari. Kemi parë tërë këto ditë që Meta i ka mëshuar fort protestës së tij të ‘2 marsit’, kur ishte President, dhe me sa duket po përgatit terrenin për pazarin e ardhshëm. E themi këtë sepse këmbëngulja në madhështinë e protestës së 2 marsit nga Meta është një parantezë për kushtin që mund t’i vendosë në të ardhmen Berishës, që nëse do që të garojë kandidatët e tij, sipas darkordësisë, atëherë ndarja e vendeve në listën prioritare të çdo qarku do të jetë 50 me 50 përqind. Dhe mbi të gjitha pretendon se kreu i koalicionit, çfarëdo emri t’i vendoset, do të jetë ai, kreu i protestës së 2 marsit, vetë Ilir Meta. Pra futjen nën siglën e PL në këmbim të marrjes së gjysmës së deputetëve dhe lidershipit të koalicionit mes Foltores dhe Partisë së Lirisë, shtuar dhe partitë e tjera që do të hyjnë në zgjedhje me këtë koalicion.

Eshtë një llogari e pastër, e ftohtë e Metës kjo me sa duket, i cili shquhet për kalkulime politike, me përfitime për vete dhe partinë që drejton. Aq më tepër që ka përballë një Berishë halleshumë, nën arrest shtëpiak për korrupsion pasiv për “Partizanin’ dhe disa dosje të tjera të rënda që janë hapur apo janë duke u hapur. Ka një Berishë zyrtarisht ‘non grata’ dhe pa asnjë shans për të marrë mbështetje ndërkombëtare që të pretendojë për të ardhur në pushtet. Por dhe këta të emëruar nuk janë pa gjë, janë shumëpërdorimësh për shkak të halleve të shumta që kanë, që nga Bardhi që rrezikon nga rihapja e hetimit për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan, dy ditë para zgjedhjeve dhe nuk dihet çfarë drejtimi merr, e deri tek Salianji që është në Apel këto ditë për skandalin e përgjimeve “Babale”, ku një shkallë më poshtë gjykata e ka dënuar me 1 vit burg.

Për këtë arsye themi se lëvizja e Berishës ka qënë aq shumë e dëshpëruar, deri në atë shkallë sa të detyrohet që të emërojë Bardhin e të tijtë si nënkryetarë të Foltores dhe anëtarë kryesie, dhe që nesër të jetë i detyruar të pranojë ‘sanksionet’ e Metës, për të marrë drejtimin e koalicionit dhe gjysmën e deputetëve që do dalin nga zgjedhjet e vitit 2025, në këmbim të mbetjes në skenën politike, dhe ashtu në të ‘zezë’ të Foltores. Përmes regjistrimit në zgjedhje nën ‘çatinë’ e PL.

Berishës i volit vetëm një grupim që ta ketë njëfarë mbrojtjeje përballë drejtësisë, ta përdorë për të bërë mitingje nga maja e ballkonit të shtëpisë ku është izoluar nën arrest shtëpiak. Nuk i intereson kush bëhet dyshi apo treshi tek Foltorja, vendin e liderit s’ia heq njeri. Ta shtyjë sa ta shtyjë, derisa të mbyllë ndonjë punë me drejtësinë. Sipas mendjes së tij kuptohet. Ndërs për të pretenduar ardhjen në pushtet, tashmë dhe ai ka nisur as të mos ëndërrojë, jo më të ketë besim.

Ndërkohë që PS dhe lideri i saj Edi Rama kanë nisur riorganizimin e partisë, anëtarësime te reja dhe përgatitjen e fushatës së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025, tek Foltorja po merren me mbrojtjen e Berishës nën arrest shtëpia, me zhurmimin në Parlament që s’kanë sjellë asgjë për opozitën, vetëm sa kanë shkurtuar kohën për mazhorancën në miratimin e ligjeve. Madje Rama në takimet e tij për rigjenerizimin e PS por kërkon thellimin e fitores më 2025 përtej rezultatit të 2021, për një mazhorancë të qëndrueshme, në mbështetje të reformave për procesin e anëtarësimit në BE. Dhe këto reforma kërkojnë 84 vota, shumicë të cilësuar me një fjalë. Por dhe për të arritur dhe objektivin që ka vënë, për vizionin “Shqipëria 2030”.

Pra nuk bëhet fjalë për përgatitje të opozitës për zgjedhje, nuk vjen ‘era’ zgjedhje tek grupimi më i madh i opozitës, Foltorja, anipse na ndajnë vetëm një vit nga zhvillimi i tyre. Ndërkohë që vetë Berisha, e më pas dhe të tijtë që dalin në media, ua presin dhe ato pak krahë që u kanë mbetur demokratëve të këtij grupimi politik, me deklarata të tipit “Rama nuk mundet me vota”, “Rama nuk bën zgjedhje”, “Ta rrëzojmë këtë regjim”, “Qeveri teknike mundësisht me kryenministër nga ne” dhe gjëra të tjera të këtij lloji. Se si do t’i realizojë këto Berisha, kur as ai dhe as ata që e mbështesin nuk kanë takat për këtë punë, vetëm një zot e di. Thjeshtë i thonë. Por për hir të së vërtetës janë qëndrime kapitulluese, dhe në funksion të alibisë për humbjen më 2025.

Në fund të herës, nëse Berisha, Bardhi dhe të tijtë po përpiqen që të përballojnë hallet që kanë me drejtësinë apo të përfitojnë një copë mandati deputeti, qoftë dhe nën hyqmin e Ilir Metës që do t’ua ‘masë kokën me pe’, ata që janë pa shpresë janë demokratët. Të cilët ose do të zgjedhin të shkojnë tek Basha, ose do të bojkotojnë pjesëmarrjen në zgjedhje, ose ata më të thekurit do të qëndrojnë me Berishën, duke e dhënë votën për të nën siglën e PL. E vërteta është se demokratët e Foltores janë si ata nizamët që presin thirrjen për luftë dhe dy ditë para se të nisen, u thonë të jenë gati të shkojnë pa armë dhe pa asgjë në luftë. Pa as një motiv me një fjalë. Dhe ky është një rrënim për Foltoren por dhe vetë opozitën./ JavaNews

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë