Jakin Marena: ‘Mistreci’ i vogël Albin, ‘vëllai’ i madh Rama dhe shqiptarët në RMV

Jakin Marena: ‘Mistreci’ i vogël Albin, ‘vëllai’ i madh Rama dhe shqiptarët në RMV

Albin Kurti dhe Edi Rama

Raundi i parë i zgjedhjeve Presidenciale në Maqedoninë e Veriut përfunduan. Në balotazh dolën dy kandidatët maqedonas të dy partive politike kundërshtare, VMRO-DPMNE në opozitë dhe koalicioni për Ardhmëri Evropiane të kryesuar nga LSDM në pushtet.

Kryeson kandidatja e partive të opozitës Gordana Siljanovska- Davkova me mbi 40 përqind të votave, e ndjekur nga kandidati i LSDM dhe aleatëve të saj në qeverisje, presidenti aktual i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pandarovski, me afër 20 përqind të votave.

Do jenë pikërisht këta dy kandidatë që do përballen në raundin e dytë të zgjedhjeve, për të ndarë përfundimisht se kush do të jetë presidenti i ardhshëm i Maqedonisë së Veriut për vitet në vijim sipas Kushtetutës së këtij vendi.

Për herë të parë në historinë e Maqedonisë së Veriut, shqiptarët arritën që për të dy kandidatët për postin e Presidentit, Bujar Osmani i BDI të Ali Ahmetit dhe aleatëve të tij dhe një të larguari nga kjo parti, si kandidat i koalicionit tjetër shqiptar ‘Vlen’,  Arben Taravari, nëse do bashkonin votat për një kandidaturë të vetme shqiptare, sot do të ishin në balotazh për të marrë postin e kreut të shtetit me afër 25 përqind të votave. Sikur të ishin bashkë themi.

Nëse shqiptarët nuk do të ndaheshin në dy pjesë, pavarësisht se kandidatët kishin dalë nga e njëjta parti, BDI, atëherë do të kishin bërë historinë. Megjithëse shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk kanë qënë kurrë më mirë se sot, me një kryeministër të tyre Talat Xhaferrin, deri dje kryetar i Parlamentit, me ministër të Jashtëm përfaqësues të tyre e përfaqësues të tjerë në postet më të rëndësishme ministrore e deri në nivel lokal, votat për një kandidat të përbashkët për President, do t’a kishin kaluar në dimension tjetër rëndësinë e shqiptarëve në RMV.

Themi sikur, pasi ne shqiptarët arrijmë me shumë ‘sukses’ që në momentin e fundit të prishin gjithçka, vetë dhe pa shumë ndihmë nga të tjerët. Siç kemi bërë gjithmonë, në tërë historinë tonë, nga fillimi e në vijim, ndaj jemi në këtë situatë, ku tërë hapësira mbarë shqiptare ka në ‘gjirin’ e vet dy shtete shqipfolëse, Shqipërinë dhe Kosovën, ka një pakicë shtetformuese që po rritet me shpejtësi në Maqedoninë e Veriut, ka pjesë të qenësishme të Malin e Zi, po dhe në Greqi e Serbi.

Pra ia kemi bërë vetes gjithmonë të keqen, dhe kanë qënë të mëdhenjtë që kanë vendosur pastaj bazuar dhe në këto ‘cic micet’ tona ndaj njëri tjetrit, për fatet e kufijve tanë ku jemi shpërndarë në 5 shtete si ‘zogjtë e korbit’. Ia kemi bërë vetes gjithnjë, dhe kjo histori nuk po mbaron kurrë sikurse ka përfunduar për kombet e tjera, që kur vjen puna për çështjen kombëtare, ulin ‘armët’ ndaj njëri tjetrit, dhe bashkohen edhe në gabim, për arritjen e qëllimit final që kanë. Kështu bëjnë grekët, kështu bëjnë bullgarët, kështu bëjnë serbët dhe thuajse të gjitha vendet e rajonit. Pra dëgjojnë njëri tjetrin, sipas hierarkisë vëllazërore.

Shqiptarët nuk mundën. E themi këtë duke marrë si referencë dhe ngjarjet më të fundit, zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, ku me investimin e vetë shqiptarëve u nda vota e tyre në dy pjesë, në vend që të bashkoheshin për të qënë ata kandidatura e dytë për kreun e shtetit në zgjedhjet e balotazhit që do të zhvillohen ditët e ardhshme ardhmen. Ndoshta dhe nuk fitonim, por ama do t’i shkonin për herë të parë shumë pranë fitores. Për ta kthyer në ambicie për të ardhmen.

Aktori kryesor në përçarjen e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut është as më pak dhe as më shumë por kryeministri i Kosovës Albin Kurti. I cili ‘përzgjodhi’ dhe ndau nga BDI Arben Taravarin, duke e mbështetur për të dalë kundër Ali Ahmetit. Madje e shtyu drejt aleancës me partinë kryesore në opozitë, pro-ruse dhe jo me vokacion perëndimor, VMRO-DPMNE, vetëm pse në krahun tjetër ishte Ali Ahmeti, ish komandanti i UÇK që luftoi për çlirimin e Kosovës, dhe më pas u vu në krye të UÇK në Maqedoni. Dhe ku përmes luftës arriti të ulë në tavolinë maqedonasit, për arritjen e një paqeje të qëndrueshme për t’i bërë shqiptarët të barabartë mes të barabartëve në këtë shtet multinacional. Falë tij shqiptarët kanë sot gjuhën shqipe zyrtare krahas asaj maqedonase, por dhe drejtues shqiptarë në të gjitha nivelet e qeverisjes.

Albin Kurti i pushtuar nga paranojat e tij për mungesën e lidhjes me luftën e UÇK, e ka dhimbje Albini këtë, si dhe për të qënë ai lider i gjithë shqiptarëve në rajon, anipse e ka futur Kosovën të cilën ka detyrë ta qeverisë, në një cep të politikës evropiane, thuajse të izoluar dhe vetë thuajse non grata pas përplasjes me aleatët tanë, SHBA, BE dhe Britania, futi ‘hundët’ në punët e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Pasi dështoi me shumë ‘sukses’ në Shqipëri gati 4 vite më parë, gjeti vend dhe i përçau e i bëri lëmsh në Maqedoninë e Veriut, vetëm e vetëm për të treguar se ai ka fuqi që të ndikojë tek bashkëkombasin e tij në shtetin fqinj. Për të treguar se mund t’i ndajë, mund t’i aktivizojë dhe pse jo kërkon dhe t’i përdorë ata në të ardhmen për ‘destabilitet-stabilizimin’politik. Pra, i ngre në këmbë në revoltë por dhe i qetëson me një urdhër të tij, me një ‘fishkëlllimë’, sa herë që t’ia lypë nevojë, sa herë që gjendet keq në Kosovë dhe sa herë që ndërkombëtarët ia presin shkurt.

Në vend që t’i bashkonte, ose sëpaku të bënte shërbimin më të shenjtë, të mos ndërhynte fare dhe t’i linte të vendosnin vetë, pa i ‘krehur bishtin’ askujt në radhët e shqiptarëve, në raundin e dytë në zgjedhjet Presidenciale në Maqedoninë e Veriut do të kishim kandidatin e parë shqiptar që do të luftonte për postin e kreut të shtetit. Mund të ishte Bujar Osmani ai kandidat, por mund të ishte dhe një tjetër që mund ta zgjidhin të gjithë shqiptarët sëbashku për t’i dhënë votën dhe për të treguar fuqinë reale politike të bashkëkombasve tanë në Maqedoninë e Veriut.

Ndërhyrja e Albin Kurtit që çoi në ndarjen e votës së shqiptarëve në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut solli një rezultat, që nëse vijohet kështu duke u paraqitur të ndarë, do vijë në Presidencë përfaqësuesja e dalë nga partitë e orientuara pro-Rusisë dhe jo me vokacion perëndimor. E kanë shprehur hapur qëndrimin anti-shqiptar madje që nga kreu i koalicionit Mickovski e deri te partitë aleate të këtij koalicioni. Janë të qartë në qëllimin e tyre, e këtë duhet të shohin shqiptarët në RMV, teksa përgatiten për raundin e dytë të zgjedhjeve.

Jemi thuajse në të njëjtën situatë si vite më parë, kur partitë shqiptare, të gjendura në një luftë politike të ethshme, më në fund arritën që të gjejnë kthjelltësinë dhe të bashkohen për të mbështetur një koalicion pro-perëndimor, që është aktualisht në pushtet. Ku shqiptarët morën më të mirën e mundshme për vite me radhë, që nga posti i kryeministrit e deri te zyrtari më i thjeshtë. Morën dhe mbështetjen e fortë të aleatëve tanë të mëdhenj, të cilët e vlerësuan fort orientimin drejt Perëndimit të klasës politike shqiptare.

Dhe ky bashkëpunim dhe dalje me një zë të vetëm për t’u orientuar drejt një koalicioni pro-perëndimor, u arrit në takimin e Tiranës, iu dha ‘dora’ e fundit në kryeqendrën e shtetit amë por dhe kryeqendër e të gjithë shqiptarëve. Kryeministri Edi Rama, ishte promotori i këtij bashkimi, pavarësisht se gatishmëria e liderëve politikë shqiptarë ua lehtësoi punën të gjithëve për të gjetur rrugën e duhur për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Sikurse u gjet me sukses.

Liderët shqiptarë në atë kohë arritën të dalin mbi interesat personale të ditës, e të bashkoheshin. Megjithëse dhe atëherë liderë politikë të shtetit amë, që dhe sot janë në opozitë, madje Sali Berisha është nën arrest shtëpiak, ndërsa Ilir Meta kryeson një parti, që askush nuk është i sigurtë se me çfarë emri të ndryshuar do të gdhihet të nesërmen, bënë thirrje për të bërë koalicion me partinë e Nikola Gruevskit. I cili sot është në azil politik në Hungari, pas dënimit që i dha gjykata maqedonase për korrupsion.

Edhe sot, njëjta situatë është. Meta po bën fushatën e “Rithemelimit” të Partisë së Lirisë, me librin e Nikola Gruevskit në dorë, po promovon strategjinë e kthimit të Shqipërisë në një Maqedoni të Veriut të kohës së Gruevskit. Por pa gjykatë speciale atje dhe pa SPAK këtu. Dhe Albin Kurti do vijojë të mbështesë të gjithë shqiptarët në Maqedoni që janë kundër Ali Ahmetit, duke kontribuar për të sjellë në pushtet koalicionin pro-rus. E bëri dhe para mandatit të kësaj qeverisjeje, kur diskutoheshin koalicionet, por atëherë ishte thjeshtë kryetar i Vetëvendosjes, tani është kryeministër i Kosovës, pa asnjë peshë politike. Sot fuqinë, e përdor për qëllimet e veta

Ndaj liderët politikë shqiptarë duhet ta vendosin mirë se ku do ta çojnë votën e tyre në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale: Pro Perëndimit apo pro Rusisë. Eshtë jetike zgjedhja, sepse varen fatet e shqiptarëve në RMV, varen nga zgjedhja e duhur dhe e orientuar drejt Perëndimit.

Liderët politikë shqiptarë nuk janë vonë që të bashkohen, larg frymës së përçarjes që ofrojnë Albini nga Prishtina dhe Berisha-Meta nga Tirana. Eshtë koha për të vendosur, dhe ku është më mirë se sa të vijnë në Tiranë, dhe ta diskutojnë me kryeministrin Edi Rama. Njeriun që foli për bashkim 4-5 vite më parë dhe dha kontributin e tij për të mbështetur koalicionin pro-perëndimor. Përkundër akuzave ndaj tij nga ata që nuk i duan shqiptarët në Shkup, të cilët e akuzuan se Tirana po vendos për fatet e Maqedonisë së Veriut. Nuk e donin bashkimin e shqiptarëve. Por Rama mori mbi kurriz dhe sulmet e liderëve me vokacion anti-perëndimor në Tiranë, që donin partinë e Gruevskit në qeverisje dhe Nikolën sërish kryeministër.

Herën e parë që dëgjuan Ramën dhe u bashkuan gjithë liderët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut nuk u doli keq. Përkundrazi, fituan më shumë se sa e ka menduar dhe shqiptari më i thjeshtë në këtë vend. Pse të mos e dëgjojnë sërish zërin e arsyes e të ‘bekohet’ në Tiranë bashkimi i forcave për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Aq më tepër që Tirana zyrtare është cilësuar nga sekretari amerikan i shtetit Blinken si vend lider në rajon, dhe Rama lideri i shkëlqyer i rajonit. Nuk gabojnë amerikanët në përcaktime as në përzgjedhjen e lidershipit.

Fundja e kanë me të provuar shqiptarët në Maqedoninë e Veriut se komunikimi me ‘vëllain e madh’ Edi Rama u ka dalë më për mirë, se sa të dëgjosh ‘vëllain e vogël mistrec’ Albin Kurti. I cili rrezikon se bashkë me Kosovën të zhysë dhe shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Zgjedhja është dy hapa larg, por koha nuk pret. Bashkimi mes vetes i çon shqiptarët drejt prosperitetit, integrimit e zhvillimit. Tirana këtu është, shpërndan vetëm mesazhe bashkimi mes vëllezërve./ JavaNews

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ulvi: 27/04/2024 05:55

    Shikoj komentin e dikujt me gjuhe te papershtatshme qe kalon censuren me kaq lehtesi. Vetem se shan Albinin. Kundershtaritnte Rames. Sa per derdellisjet amorfe te autoeit nuk ia vlen asgje te merresh. Sipas tij nese maqedonasit do qene bashke ca do behej.

    Përgjigju
  • Yte: 26/04/2024 22:15

    Sa loqe ky alpini

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Plagosja e 50-vjeçarit shqiptar në Greqi, zbulohet dëshmia e shitëses: Thirri për ndihmë, i dilte shumë gjak dhe i vura një peshqir!

Plagosja e 50-vjeçarit shqiptar në Greqi, zbulohet dëshmia e shitëses: Thirri për ndihmë, i dilte shumë gjak dhe i vura një peshqir!