Kreu i PD Sali Berisha organizoi javën e shkuar një tryezë ku kishte ftuar përfaqësues të partive opozitare, përfaqësues të shoqërisë civile por dhe përfaqësues të disa mediave!
Në këtë tryezë refuzuan të marrin pjesë krerët e partive të reja politike që kanë nga një ose dy deputetë në Kuvend, përkatësisht kreu i partisë “Mundësia” Agron Shehaj, kreu i lëvizjes “Bashkë” Arlind Qori dhe ai i “Shqipëria Bëhet” Adriatik Lapaj! Arsyet e këtij refuzimi ishin të ndryshme, por kishin një pikë të përbashkët, atë që nuk marrin pjesë në një tryezë të organizuar nga Berisha, i cili nuk frymëzon dhe sipas tyre është një nga shkaqet kryesore të rrënimit të aksionit opozitar!
Ndërkohë që në këtë tryezë zinin vend në panelin kryesor figura të tilla si kreu konservator Kujtim Gjuzi, ai i pensionistëve Selami Jenisheri dhe krerë të tjerë të partive të vogla opozitare, të cilat për hir të së vërtetës janë bërë virale më shumë me ‘meme’ sesa me rezultate, pasi nuk kanë vota nën administrim në çdo palë zgjedhje, parlamentare ose vendore qofshin!
Temë kryesore e këtij takimi ishte situata politike në vend, situata ndërkombëtare që cilësohet sipas lidershipit demokrat si shumë e favorshme për opozitën në qëllimin e saj për të kapur ndonjë copë pushteti përmes ndonjë qeverie teknike të cilën e dëshirojnë shumë. Por edhe formatimi i një koalicioni opozitar për protestën e radhës të PD që do të zhvillohet më 24 janar përballë kryeministrisë për të kërkuar largimin e Ramës dhe të PS nga pushteti dhe ‘bashkimin’ e forcave me socialistët për një qeveri teknike, 1 apo 2 vjeçare në rastin më të mirë!
Me një fjalë, Berisha, duke parë se nuk e mund dot Ramën me votë dhe nuk merr pushtet që nga viti 2013, duke humbur në masën 100 përqind të gjitha betejat elektorale përballë PS, kërkon që nëse me votë PD nuk hyn dot kurrë nga ‘dera’ në pushtet, të hyjë të paktën nga ‘dritarja’ përmes një qeverie teknike, që Berisha dhe të tijtë mendojnë se ka ardhur koha për t’u realizuar dhe pse janë pa vota por ama nxitoijnë tëjenë gati të ‘armatosur’ me ‘lugë në brez’ për të ‘qeverisur’ vendin përmes një ‘qeverie teknike’. Pavarësisht se me 86 vota, s’ka asnjë gjasë që mazhoranca të lëshojë pe dhe të thërrasë PD-në në bashkëqeverisje teknike!
Se si shkuan punimet e kësaj tryeze dihet tashmë dhe janë objekt i mediave që nga ato më seriozet e deri tek ato të humorit, për shkak të aktorëve pjesëmarrës, temës së diskutuar në takim, që nuk kishte asnjë lidhje me realitetin duke ‘notuar’ rëndshëm në botën paraleletë Berishës, i cili ndonëse ka përballë një Edi Ramë që zotëron bashkë me aleatin PSD, plot 86 mandate, të mjaftueshme për të bërë çdo ndryshim me shumicë të cilësuar, pa pasur asnjë nevojë për votat e opozitës, e cila ‘laj thaj’, sëbashku mezi arrin në 54 mandate, këmbëngul për ‘qeveri teknike’!
Pati dhe incidente ‘traumatike’ për koalicionin opozitar, si ajo e adhnimit të Jenisherit, aleatit të qendrueshëm të Berishës, i cili akuzoi organizatorët e tryezës se iu mohua e drejta e fjalës, apo ‘rebelimi’ i panelit kundër Berishës se nuk po krijon kushtet për mendimin e lirë dhe por pengohet hapa e rrugës për të rinjtë në PD, çka solli më pas një përballje ‘homerike’ mes numrit një të këshillimit të Berishës me një nga përfaqësuesit e pavarur që e kërkoi një gjë të tillë, e që për shkak të ‘moskuptimit’ mes tyre, fjala e fundit u tha e para e anasjelltas, dhe tashmë janë bërë burim lajmesh virale në rrjetet sociale! Që paralajmëron se një ‘sagë’ e tillë fyerjesh dhe akuzash do të vazhdojë akoma më shumë!
Preludi i kësaj tryeze, ishte bashkimi i forcave dhe sheshimi i mosmarrëveshjeve, për të dalë në një protestë mbarëkombëtare sëbashku më 24 janar të këtij viti, kundër qeverisë së socialistëve. Me premtimin për të rrëzuar Edi Ramën! Por duke parë se janë paralajmëruar dhe disa protesta të tjera të opozitarëve që refuzuan këtë tryezën e Berishës por dhe pjesëmarrjen në protestën e PD më 24 janar, atëherë i bie që Berisha ta ‘rrëzojë’ Edi Ramën, nëse nuk e ‘rrëzojnë’ më parë, Lapaj, Qori apo Shehaj! Edhe ata janë betuar për rrëzimin e Ramës nga pushteti! Madje Lapaj beson aq shumë, sa i vetëm në protestë ka vendosur ‘shishen’ para kryeministrisë, dhe pret ditë e natë pa lëvizur prej aty, që Edi Rama të rrëzohet vetë nga pushteti. Edhe të tjerët të bindur janë, por janë renditur pas Lapajt, në ‘radhën’ për të qeverisur!
Tryeza e Berishës me përfaqësuesit e partive opozitare, duke filluar nga Jenisheri dhe përfunduar tek Gjuzi, përfshirë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, kishte si temë kryesore bashkimin opozitar, për të larguar Ramën nga pushteti! Në deklaratat e bëra nga Berisha në tryezë, kishte dhe koncesione të tilla për aleatët, si ai i diskutimit të reformës zgjedhore dhe asaj elektorale bashkë me ta, pavarësisht se deri më tani kreu i PD kurrë nuk i kanë pyetur në fund të herës apo dhe për faktin se Berisha ka deklaruar se me Ramën kryeministër nuk merr pjesë në këto dy reforma të rëndësishme!
Pra që në krye të herës, tryeza më shumë se sa për bashkimin opozitar, shërbente për shoë dhe për interesa të brendshme të Berishës, në përpjekjen e tij për të qënë i qetë në krye të PD dhe për pasojë në krye të opozitës shqiptare! Pra partia numër 2 në vend, pas PS. Përjetësisht me sa duket, sepse po shohim se Berishës nuk i ka dalë keq qëndrimi në krye të opozitës! Nuk i ka dalë keq si financiarisht ashtu dhe në përballjen me drejtësinë në vend, pasi të kishte qënë ndonjë politikan tjetër, me këto akuza që ka në kurriz, me kohë e vakt do t’a kishte marrë ‘erën’ e burgut, dhe do të kishte ndërruar kostumin e shtatë të burgut deri më tani!
Dhe kur themi se tryeza me partitë opozitare ishte thjeshtë dhe vetëm për nevojat e Berishës dhe konsum brenda PD, kemi parasysh situatën e rëndë nëpër të cilën po kalon aktualisht kjo parti, që prej dëbimit të Bashës nga posti i kryetarit e nga PD dhe gjatë tërë drejtimit të Sali Berishës, i rikthyer nga pensionimi politik në krye të pronës së tij, Partisë Demokratike!
Teksa protestat e opozitës së drejtuar nga Berisha janë ku thërret qameti, parë nga pjesëmarrja e vakët dhe mungesa e entuziasmit që mund të karakterizojë një parti politike që ka qëndruar 12 vite në opozitë e që i ka të garantuara 16 vite të plota jashtë pushtetit, e ku as ‘penicilinat’ e ngjarjeve në Venezuelë apo vende të tjera që promovon Berisha si një mundësi për rrëzimin e kundërshtarit politik Edi Rama, po vihet re një lëvizje e re jashtë lidershipit aktual të PD! Ish deputeti dhe anëtari i kryesisë Ervin Salianji, ka nisur një lëvizje brenda partisë, me qëllimin e vetëm për të ringjallur PD dhe ringritjen e saj në nivelin e një partie opozitare që të pretendojë pushtetin! Të paktën kështu deklaron deri më tani Salianji!
Për hir të së vërtetës në të gjitha takimet e Salianjit me demokratët e ‘padëgjuar’, të cilat janë quajtur “Foltore’ si karshillëk ndaj foltores së Berishës çdo të hënë pasdite para kryeministrisë, kanë mbledhur shumëfish më shumë pjesëmarrës demokratë, sidomos të rinj, krahasuar me ato të kreut të PD. Të cilët tashmë nuk kalojnë të 50 vetët, dhe që këtë të hënë ishin në zgrip, aq sa dhe vetë kreu i PD qëndroi para kryeministrisë vetëm 10 minuta dhe u largua!
Pavarësisht kësaj mbështetjeje nga anëtarësia e PD që është demonstruar gjatë “Foltoreve’ të Salianjit, kjo nuk e ka ndaluar Berishën dhe lidershipin e PD që ta sulmojnë ish deputetin që bëri burg për partinë, duke e cilësuar si shërbëtor të Ramës dhe mbështetës i axhendës së tij kundër opozitës, duke deklaruar se Salianji është vetëpërjashtuar nga kryesia e PD dhe si anëtar, sepse po takohet me demokratët pa leje dhe jashtë forumeve, në takime që quhen nga kupola e partisë më të madhe opozitare si takime private!
Madje nuk mungohet që zyrtarisht të bëhet thirrje ndaj strukturave e degëve të PD nëpër rrethe ku Salianji planifikon takimin e tij, që të refuzojnë pjesëmarrjen në “Foltoren” private sipas tyre të ish deputetit demokrat! Me sa duket ky apel ka bërë efektin e kundërt, duke shërbyer si një shtytje shtesë për rritjen akoma më shumë të pjesëmarrjes në takimet e ish deputetit demokrat, si ka thelluar akoma më tej përçarjen brenda PD, e cila dhe pa këtë ‘traumën’ e fundit, është në pikën më të ulët të mbështetjes popullore, që nga themelimi i saj në vitin 1990!
Tashmë janë të gjithë kundër të gjithëve në PD, e cila është në prag të konflikteve të tjera të reja e të vjetra, sidomos pas përfshirjes në hetimin e pasurisë së Berishës dhe të shpenzimeve për Kuvendin e “Rithemelimit”, teksa janë thirrur nga SPAK Belind Këlliçi dhe sekretari i PD për Diasporën Indrit Hoxha, bazuar në një kallëzim penal të Gazment Bardhit, ish sekretari i përgjithsëm i PD në kohën e Bashës, aktualisht kryetar i grupit parlamentar po të PD, por që drejtohet nga Berisha! Përplasja është e garantuar tashmë!
Por teksa shohim këto konflikte dhe ndarje brenda PD, duke evidentuar edhe faktin e Salianji po grumbullon mbështetës shumëfish nga Berisha, tryeza e partive të opozitës të organizuar nga Berisha, me pjesëmarrjen që nga Jenisheri e deri tek Kujtim Gjuzi, me shumicë kryetarësh pa anëtarësi dhe elektorat, tingëllon ironike ideja e bashkimit opozitar për të rrëzuar Ramën! I bie ‘të prishësh shtëpi e të ndërtosh kasolle’, me një fjalë, pasi po dëbon nga PD në opozitë zyrtarë që kanë sakrifikuar për partinë dhe mbi të gjitha ata që mbledhin vota, po afron krerë partish që nuk kanë asnjë lloj mbështetje! E treguar dhe e vertetuar në çdo palë zgjedhje!
Pavarësisht se Berisha e di si dreqi se ‘vetëpërjashtimi’ i Salianjit i heq shumë vota PD-së, ndonëse edhe vetë Salianji deklaron se mbetet i vendosur për të mos ikur nga PD, madje bën apele për pjesëmarrje të fortë në protestën e opozitës më 24 janar, kreu demokrat Berisha po tregon si gjithnjë se nuk dëshiron asnjë mendim ndryshe në partinë që drejton. Madje nuk dëshiron askënd, edhe pse mbledh vota më shumë se ata që ka afër! Dhe pikërisht për këtë arsye, largimet nga PD tenton t’i kompensojnë me përfshirjen e krerëve të partive opozitare, që vetëm emrin kanë! Në emër të bashkimit i bën këto tryeza dhe ftesa për partitë opozitare, ndërkohë që largon një nga një njerëzit që janë rritur në PD, vetëm pse nuk kanë të njejtin mendim për të!
Prandaj Berisha, sa të jetë në krye të PD ia ka garantuar opozitës qëndrimin në opozitë! Madje për këtë qëllim jeton Berisha me sa duket, teksa për mbajtur veten me gajret deklaron se do të rrëzojë Ramën më 24 janar dhe do të bëjë qeverinë teknike, fill pas protestës dy orëshe para kryeministrisë. Në ‘rokadë’ me Lapajn dhe të tjerët, dhe ata në kërkim të postit të kryeministrit, duke pritur që Rama të rrëzoheët vetë! “Qyl’ me një fjalë, pa kokërr vote! Të shohim si do të justifikojnë mosrrëzimin e Ramës, pas protestave të paralajmëruara!
Komente











