Protesta e qytetarëve, e cila filloi për mbrojtjen e Flamingove, Pelikanit Kaqurel dhe zogjve të tjerë në Zvërnec dhe po vijon me axhenda të tjera, nga ato politike për rrëzimin e Ramës dhe futjen në burg bashkë me Berishën e deri te ato anti-investim të huaj, anti-kapitalizëm në tërësi, anti-Trump, anti-SHBA, anti-semite dhe islamike, vijon të refuzojë çdo negociatë me qeverinë!

Ka një konglomerat axhendash, idesh dhe grupimesh që mblidhen në bulevardin qëndror të kryeqytetit, për hir të së vërtetës duhet pranuar se janë të qeta por janë dhe në të drejtën e tyre për t’u tubuar, por që për gati dy javë me radhë po vijojnë pa ndërprerje! E mbi të gjitha po vijojnë deri më tani bashkë, me gjithë fërkimet e sporadike mes grupimeve të caktuara, duke filluar nga ato të partive të vogla të Qorit, Lapaj e Shehut, e deri tek përplasjet me protestuesit e PD, të cilët e ngritën një ‘oktavë’ më lart zërin, teksa dërguan në protestë Stresin bashkë me të atin e grupin që i shoqëronte, me dy gishtat lart! Si qytetarë ishin në protestë sipas pretendimit të tyre! Pavarësisht se kishte kontestime për ta. Fundja kontestime kishin dhe për një të ri që kishte nxjerrë në shëtitje qenin, derisa e dëbuan! Me këta të PD s’para ‘kruhen’ shumë për fatin e tyre!

Teksa lufta hibride vijon me kapacitet të plotë, me përfshirjen dhe të vetë qeverisë iraniane, teksa vijojnë replikat e kryeministrit Rama jo vetëm me iranianët por me të gjithë ata që po tentojnë të dëmtojnë imazhin e Shqipërisë në botë, duke dëmtuar turizmin në radhë të parë si dhe investimet e mëdha të huaja në vend, përfshirë dhe ato në Sazan e Zvërnec, me pjesëmarrjen dhe të  vajzës e dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump, teksa tentojnë të dëmtojnë procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, protesta në Tiranë s’ndalet por vijon me një ‘pult komandimi’ sekret!

Pavarësisht interesimit të mediave, pavarësisht kërkesës së pjesës më të madhe të protestuesve, të cilët kërkojnë deri dhe krijimin e një Kuvendi kombëtar për të ndërmarrë hapat e mëtejshëm deri në një rezultat përfundimtar, sipas tyre qëllimi është rrëzimi i qeverisë e i kësaj klase politike dhe marrja në dorë nga vetë rinia të fateve të vendit, bërthama e organizimit vijon të jetë pa emër! Askush nuk merr përsipër të dalë në publik, duke e zhytur akoma më shumë në mister axhendën reale dhe qëllimin final të këtij grupimi që qëndron në ilegalitet, teksa janë nxitur dhe teoritë konspirative! Të cilat nuk po i përmendim! Publikohen lista me emra në fakt ditë pas dite si pjesë e grupit nismëtar, duke përfshirë dhe nga Kosova, që nga Ron Gjonovci e deri tek Shkëlzen Gashi e këshilltari i Kurtit, Elvis Hoxha, por gjithshka përgënjeshtrohet brenda disa minutave!

Teksa kërkohet nga qytetarët në bulevard transparencë për të gjitha vendimet e qeverisë, anulimin e të gjitha vendimeve të ndërmarra deri më tani dhe zhbërjen e tërë sistemit politik, në ditën e 14-të të protestës qytetare, protesta nuk ka asnjë lloj transparence se nga kush drejtohet. Nuk shtyhemi thjeshtë nga kurioziteti për të ditur emrin e liderit apo pjesëtarëve të grupit që bën lidershipin e kësaj proteste! Për hir të së vërtetës pak a shumë emrat dihen, që nga bankierë, gazetarë me qendër në Tiranë apo diku jashtë vendit, ndonjë këshilltar nga përtej Atlantikut apo ndonjë ish zyrtar i lartë nga Vendet e Ulta të Evropit, pa përjashtuar të ‘deleguarit’ e Albinit, që sillen si fantazma nëpër bulevardin qëndror të kryeqytetit, për ‘ti vënë punët në vijë’ siç i ka vënë Albini në Kosovë, këtu e tre vite pa qeveri e institucione dhe izolim ndërkombëtar, e deri tek influencerë, për habi nuk ka hallexhinj të Zvërnecit në grupimin kryesor drejtues, por ama shqiptarët duhet të dinë se kujt ti besojnë ‘vakancën’ që kërkojnë, që referuar kutit të protestuesve do të krijohet pas largimit të politikës së vjetër dhe sistemit aktual politik!

Sepse shqiptarët kanë arritur në atë farë pike reflektimi dhe qytetarie, ka të shkolluar dhe këtu në Shqipëri e jashtë vendit, të cilët nuk bëjnë influencerin por që kontribuojnë me mënyrën e tyre për të ardhmen e këtij vendi pa qënë në protestë, pra kanë arritur në atë shkallë ndërgjegjësimi shqiptarët sa për të kuptuar se asgjë nuk bëhet sipas parimit ‘e ndryshojmë njëherë, pastaj shohim e bëjmë, dhe atëherë do të zbardhet lidershipi që do të marrë në dorë fatet e vendit’! Shqiptarët kanë kalamaj, kanë prindër dhe familjarë të tjerë, të cilët nuk mund ta çojnë as nëpër mend që t’i lënë kaq lirë dhe badihava në dorë të një grupi misterioz që po lëviz fijet e protestës, në një rast hipotetik! Qofshin dhe më të mirët e botës, apo me qëllimin më të mirë dhe më brilant për shqiptarët e Shqipërinë, por që nuk mund të flasin asesi në emër të shqiptarëve! Të paktën të votohen njëherë, dhe shalqiri blihet me provë!

Është shumë për të besuar kështu verbërisht, në mënyrë indirekte dhe pa i parë gjërat me sy e pa i peshuar të gjithë elementët që vërtitën sot e kësaj dite në lojën politike! Qoftë dhe armiku më i egër i Ramës, Berishës dhe tërë klasës politike, kërkon një çikë garanci, dhe si garanci kërkon që lideri apo grupi drejtues i protestës të jetë si ‘kolateral’ politik i lënë në ‘bankën e sigurisë politike’, për të qënë pika ku nesër të drejtohen, nëse diçka nuk shkon sipas parashikimit!

Mungesa e një lidershipi, paqartësia e kërkesave dhe mbi të gjitha tendenca për të dalë jashtë kontrollit përmes thirrjeve anti Trump, anti-amerikane, anti-semite, anti-kapitalizëm me metoda marksiste, kërcënimet ndaj çdo mendimi ndryshe apo kundër protestës, e pasuar kjo me linçimin e kërcënimet non stop të kritikëve të caktuar dhe familjarëve të tyre në rrjetet sociale, si dhe përvetësimi i axhendës së protestës nga ana e iranianëve, të majtëve radikale e deri të fqinjëve tanë konkurrentë në turizëm, ka rritur mosbesimin ndaj tyre dhe axhendës që përfaqësojnë! Pasi në Shqipëri, në të vetmin vend të rajonit që ka stabilitet e siguri, vitin e ardhshëm zhvillohet samiti i NATO-s, me pjesëmarrjen dhe të vetë presidentit amerikan, Donald Trump!

Një situatë e tillë pa rrugë dhe pa krye e kësaj proteste, me sa duket ka ftilluar dhe axhendat politike në vendet anëtare të BE dhe mbi të gjitha në SHBA, që ta shohim më me seriozitet këtë situatë për të arritur në konkluzionin se Shqipëria është shumë e vogël dhe nuk e ka takatin për ta mbajtur një përplasjeje të linjave politike mes vendeve dhe për të qënë ‘sheshi i betejës’ ku mund të përplasen axhendat e të majtës ekstreme anti-Trump nga SHBA e Evropa! Sepse ne nuk na llogarit kush për hir të së vërtetës! Madje dhe kryeministri Edi Rama, teksa është shprehur në festën e 35 vjetorit të themelimit të PS se reagimet ndërkombëtare për protestat që kundërshtojnë investimin në Zvërnec, janë një luftë politike e ideologjike që nuk i takon Shqipërisë.

Duke përmendur deklaratën e senatorit demokrat amerikan, bëhet fjalë për Sanders i cili shquhet si një përfaqësues i ekstremit të majtë brenda demokratëve amerikanë, Rama tha se interesi i senatorit është lufta ndaj presidentit Trump dhe jo Zvërneci, apo dëmtimi i mjedisit. Pasi sipas Ramës, nëse ndonjë senator amerikan do të ishte i interesuar për mbrojtjen e natyrës apo të drejtës së pronës, do të kishte reaguar më parë për protestat që kundërshtojnë resortin që do të ndërtohet në Rrjoll, duke nënvizuar se ‘tani kanë çfarë kanë të tjerët me Presidentin e SHBA, nuk mund ta importojnë në Shqipëri dhe mbi të gjitha nuk mund të përdorin shqiptarët si mish për top. Nuk mund t'i përdorin shqiptarët që shqiptarët t’i dalin kundër vetes, t’i dalin kundër të ardhmes, t’i dalin kundër rrugëve të rritjes mirëqenies”.

Njëherësh, kryeministri Rama reagoi dhe këtë të shtunë, teksa nënvizoi se “fakti është se po bie pak e nga pak histeria ndërkombëtare e rrjeteve sociale, e cila nuk ka asnjë lidhje me natyrën e Shqipërisë, me Zvërnecin a me flamingot e Nartës, por ushqehet nga kundërshtira ideologjike të sojsoshme, ku padyshim kundërshtia ndaj Presidentit amerikan është kryesorja fare - se ndryshe dyshoj shumë që një ndërkombëtar i vetëm do të merrej me një projekt zhvillimi turistik në Shqipëri. E s’ka si ndodh ndryshe, do bjerë pak e nga pak, sepse Shqipëria është një shesh shumë i vogël për përsheshin global anti-Trump”!

Pra bëhet fjalë për axhenda ideologjike të luftës politike në vende të tjera, qofshin këto dhe vendet aleate tonat, por që ishte një luftë e cila nuk na takon ne, nuk është e jona! Dhe për më tepër, shoqatat mjedisore, me sa dimë ne nuk protestojnë nëpër kryeqtetet larg lagunave dhe baltës që përmbajnë ato, por pikërisht në vendngjarje! Dhe nëse nuk përtojnë apo nuk kanë frikë se bëhen me baltë, le të shkojnë në Zvërnec apo në Rrjoll, të protestojnë paqësisht për atë që kanë në mendje, të vendosin dhe lule e të bëjnë shëtitje bregut të detit në Lagunë apo në zonën e Rrjollit, por me kushin që të mos dhunojnë policinë, të mos linçojnë forcat e rendit, pronarët apo bizneset! Këtu në Tiranë, për hir të së vërtetës, nuk është ‘lufta jonë’ kjo përpjekje e tyre kundër investimeve të huaja dhe nuk bëjmë mëkat nëse deklarohemi se jemi kundër! Prandaj jemi në demokraci! Nëse duan ta ngrenë nivelin në luftë politike, të zgjedhin grupin nismëtar, të bëjnë partinë dhe të zgjedhin liderin! Fundja ‘kryeministrin’ Pilinci aty e kanë, të gatshëm që të marrë detyrën! Është vetëshpallur kryeministër ai, lëviz me truporoja, e në cep të trotuarit rri çdo natë!

Ndërkohë shqiptarët në shumicë janë pozicionuar fort pro SHBA e pro BE, pavarësisht se kush është në krye tek aleatët tanë të mëdhenj! Pasi Amerika dhe Evropa, si me drejtues të majtë ashtu dhe të djathtë, të njejtën gjë ka bërë: Ka qënë në mbrojtje të shqiptarëve, me pikë kulminante bombardimin e Beogradit, çlirimin e Kosovës dhe mbështetjen e shtetit më të ri shqiptar në Evropë, Kosovën! E nisën republikanët e Bushit plak në SHBA me ‘vijën e kuqe’ për serbët, e vijuan demokratët me Klinton me bombardimin  e çlirimin e Kosovës dhe e përmbyllën me republikanët me Bushin e ri, që mbështeti zyrtarisht shpalljen e pavarësisë! Kështu dhe Evropa!

Aleatët tanë veprojnë me qetësi e pa ngutje, në lidhje me qëndrimin ndaj protestës amalgamë në Tiranë, e cila është në ditën e 14-të, teksa nuk shohin askënd që të dalë e të marrë përgjegjësinë e organizimit të saj! Dhe mesazhet amerikane e evropiane jepen me sinjale, veprime dhe deklarata, pa përmendur protestën! Kështu ndodhi me dhënien e vizës për Berishën, anipse nuk i është hequr ‘non grata’, e cila nuk do t’i hiqet kurrë me sa shihet! Mori thjeshtë një vizë të shkurtër dhe të përkohshme për një vizitë mjekësore, ka ndonjë ftohje apo do të bëhet ndonjë vizitë më e thelluar për majasallin ose dhe për trutë, pak rëndësi ka!

Viza për Berishën ngjan më atë ‘liridaljen’ që merrnin ushtarët në kohën e karantinës, disaditore dhe më pas riktheheshin sërish në territorin e repartit, duke mbajtur veshur uniformën ushtarake! Dhe Berisha do të mbajë sërish të veshur ‘kostumin’ e non gratës nga SHBA e Britania, pa e hequr kurrë deri sa të shkojë tek i Plotfuqishim! Ndoshta, protestat anti-Trump e prodhuan dhe këtë sinjal, me Berishën në ‘liridalje’! Po ashtu dhe gjermanët, teksa shefi i diplomacisë deklaroi mbështetjen pa ekuivok për Shqipërinë në BE! Pikërisht në të njejtën ditë u dhanë këto sinjale të qarta, të cilët duhen lexuar nga ata që qëndrojnë në prapaskenë të protestës e po na marrin erzin!

Pasi është një luks i tepërt që bota demokratike të lejojë krijimin e një vatre të re konflikti në Shqipëri e Ballkan, për disa flamingo që pretendohet se rrezikohen dhe që janë harruar që ditën e dytë të protestës, apo për një zemërim qytetar që mendohet se është krijuar ndaj qeverisë dhe opozitës e deri te axhendat e konkurencës rajonale për turizëm, luftës hibridë iraniane, përplasjes së majtistëve e goditjet ndaj Trump e familjes së tij! E thënë më thjeshtë, kjo protestë, megjithëse elementët e bukur që ka pasur brenda saj por edhe linçimin e fortë ndaj kritikëve dhe çdo zëri kundër, nuk ka bindur jo vetëm shqiptarët por as partnerët tanë ndërkombëtarë, që nga SHBA e deri te vendet e anëtare të BE e Britania e Madhe, madje as ‘sponsorët’! Përkundrazi!

Për më tepër që artikulimi në këtë protestë, ata që janë artikuluar, ka lënë shumë për të dëshiruar, pasi fillohet me futjen në burg apriori të liderëve të politikës pa pyetur gjykatat e drejtësinë, për të cilat kjo protestë ka kërkuar që të shkrihen, e deri kërcënimet me vdekje të liderëve aktualë politikë, shkrirjen e politikës aktuale në tërësi, pa pasur në axhendë deri më tani asnjë emër apo grup emrash që do të marrin në dorë fatet e vendit! Thuhet se do ta marrë populli në dorë qeverisjen, është utopi! Eshtë një film i parë që herët nga shqiptarët dhe aleatët tanë të mëdhenj! Kështu ka qënë dhe Partia Komuniste, në ilegalitet në kohën e Luftës së Dytë Botërore! Populli njihte vetën Spiro Moisiun si drejtues të luftës, aleatët me atë komunikonin, ndërsa Enver Hoxha as që njihej. Ishte komisar politik! PKSH ishte në ilegalitet, por që luajti fijet në prapaskenë teksa vrau e dëboi të gjithë rivalët politikë. Dhe në zgjedhjet e 1945-sës pala fituese u përfaqësua nga Fronti Demokratik, jo nga PKSH! Deri në vitin 1948 kështu vijoi, komunistët në ilegalitet!

Shqiptarët u ‘dogjën’ nga drejtimi me ‘pult sekret’ i komunistëve, pa i njohur ata, dhe vuajtën nën izolim e diktaturë për 45 vite me radhë! Po ashtu dhe aleatët u ‘dogjën’ me shqiptarët! Eshtë shumë e vështirë që historia të përsëritet dy herë njëlloj! Ndaj dyshojmë që ‘valvulat’ e shkarkimit u ‘liruan’ dhe për Berishën! I cili deklaroi se u hoq non grata, megjithëse rezulton ende në faqen zyrtare të DASH si i tillë familjarisht! Dhe një gjë e tillë nuk është aspak e mirë as për protestën dhe as për PD-në dhe opozitën, të cilët janë të detyuar të kenë si të ardhmen e tyre, Sali Berishën, deri sa të vdesë! Me afat trashëgimie tek familjarët dhe pas vdekjes!

Ndërkohë që këtë javë pritet të vijë ambasadori i ri amerikan, gjeneralit në pension Eric Wendti emëruar nga Trump, pikërisht nga Presidenti, betejën ndaj të cilit palët ideologjike e kanë zhvendosur në Tiranë, duke përdorur protestën për Zvërnecin si ‘kavie’ të eksperimetit të tyre, për qëllime politike! Mbetet mister se çfarë përmban ‘valixhja diplomatike’ që sjell me vete ambasadori i ri amerikan! Por e sigurtë është se ai nuk ka kurrfarë axhende anti-Trump! Përkundrazi, është në mbrojtje të vendit të vet dhe të Presidentit të vet!