Partia Demokratike është pronë e Sali Berishës! Këtë nuk e luan as ‘topi’, sado të mundohen brenda dhe jashtë PD që ta artikulojnë ndryshe një fakt të tillë! E kanë të pamundur t’i mbushin mendjen dikujt apo të shtiren ndryshe, por dhe nëse e bëjnë këtë gjë, e kanë shumë gabim!

Berisha e ka treguar që në ditën ‘zero’ më 1991 përpjekjen për ta ‘privatizuar’ PD-në, e ka treguar para 13 vitesh ku dha dorëheqjen pas humbjes turpëruese përballë të majtëve të drejtuar nga Edi Rama dhe emëroi Lulzim Bashën si kryetar ‘me letra’ të PD se e ka në pronësi këtë parti, e ka treguar pas përjashtimit nga grupi e PD kur u shpall ‘non grata’ nga SHBA teksa hyri në zgjedhje pa sigël dhe mundi PD-në zyrtare, për ta mundur dhe në gjykatë kur mori vulën e logon e partisë, se PD e ka ‘pronë të paluajtshme’. E rimori ‘pronën’ dhe zyrtarisht, e tani e tutje gjithkujt i mbetet vetëm të thotë: Berisha, ta gëzojë pronën PD, familjarisht!

Dhe këto kalkulimet më të fundit në PD, me shpallje dhe eleminim të kandidatëve për kryetar partie, në zgjedhjet e qershorit përballë liderit historik, tregojnë me ‘zë dhe figurë’ se Berisha bën çfarë të dojë me partinë që drejton! E bën hapur madje, duke ditur se ka përballë zemërimin e madh të demokratëve por dhe heshtjen e shumicës prej tyre, të cilët janë në pritje të rrjedhjes së ngjarjeve, vetëm pasi Berisha të ndahet nga kjo jetë dhe të shkojë në krahët e të Plotfuqishmit!

Janë lodhur të gjithë me sjelljen e Berishës, me përdorimin që i bën pa asnjë rezervë kësaj partie për interesat e tij personale përballë drejtësisë e cila ka ngritur një sërë akuzash, por janë të gjithë po në pritje që të shohin si do të rrjedhin ngjarjet pas largimit të tij, larg qoftë, nga kjo dynja! Jo se nuk e kuptojnë se çfarë po ndodh në PD, si është katandisur PD në atë farë feje sa jo vetëm nuk pretendon më për pushtet, por ka vënë në rrezik dhe vetë mbijetesën, si parti politike!

Të gjithë e dinë se PD është e Berishës, me dëshirë apo nga zori, kjo ha diskutime! Pasi Berisha, ndonëse e ka të tijën në shumicë këtë parti, nuk lejon askënd madje as ta mendojë se mund të garojë përballë tij, qoftë dhe për të humbur, për postin e kryetarit! E do të nënshtruar PD-në deri në atë shkallë, sa mos të dëgjojë asnjë zë kundër! Eshtë si puna e atij plakut të lodhur, të martuar me grua të re, që megjithëse e ka të gatshme në krevat, nga mungesa e takatit apo dhe nga forca e zakonit për t’u treguar dominues, kërkon me patjetër ta dhunojë apo më keq akoma ta pë***nojë!

Kërkon vetëm bindje, dhe kjo dëshirë e tij është shtuar deri në bezdi, me shtimin e viteve mbi supe, sa tashmë në moshën 82 vjeçare, Berishën e bezdis jo vetë Salianji që ka mbështetje më shumë së të tjerët, por dhe Alesia Balliu e Evi Kokalari e deri Meremja, e cila rastësisht u bë prezente në media! Qoftë dhe përmes ‘meme’-ve! Pavarësisht se tashmë është ‘zgjuar’ dhe ka bënë një ankimim në gjykatë, si dhe në PD, për përjashtimin nga gara për kreun e PD, në vend që të ishte përjashtuar Berisha humbës i zgjedhjeve, sipas nenit “Basha’ të statutit të kësaj partie!

Pra Berisha po garon për kreun e PD me veten! Nuk e dimë se si do të jetë fleta e votimit, si do të formulohet pyetja për votuesin demokrat, për të hedhur votën, pasi në fletë do të jetë vetëm emri i tij, prai Sali Berishës! E mbi të gjitha nuk e dimë se nga kush ka frikë Berisha, teksa ka kërkuar ndihmë dhe nga KQZ për ta pajisur me 70 kuti votimi dhe mbi 100 dhoma të fshehta! Çfarë do të fshehin të shkretët demokratë, pasi kanë vetëm një alternativë për të votuar, të përjetshmin Sali Berisha! Dhe këtë frikë të Berishës, nuk merr përsipër askush ta shpjegojë! As vetë Berisha!

Megjithëse, ditë më parë kreu i PD dhe kandidati i vetëm për postin e kryetarit në zgjedhjet e qershorit, vetë ai, Sali Berisha, ka deklaruar se zgjedhjet në PD këtë radhë janë më të ndershmet në botë, janë një model që duhet ndjekur, ruajna Zot, dhe nga të tjerët! Dhe e hedh ‘topin’ në ‘fushën’ e mazhorancës, teksa deklaron se Edi Rama s’ka lejuar zgjedhje që nga viti 2009 e këtej, kur janë zhvilluar për herë të fundit! Pra i bie që nga koha ku u rizgjodh për të sjellë PS-në në pushtet, të cilën e shpalli fituese më 2013 dhe vijon të qeverisë, vite qeverisjeje që askush nuk parashikon t’ua shohë fundin! Duke e dërguar Ramën drejt rekordeve ët reja të fitoreve rresht!

Pasi për të qënë korrektë me veten, panelistët që bëjnë sikur nuk kuptojnë, demokreatët por dhe publikun, ajo që mund të themi është se partia, në parim, është një bashkim vullnetesh, e cila organizohet, zgjedh kryetarin që do t’i dërgojë në fitore në zgjedhjet e radhës! Nëse nuk garanton fitoren, ai largohet, e kanë të fiksuar si nen në statut të gjitha partitë politike, dhe PS e PD! Nëse vijon të fitojë në të gjitha zgjedhjet e radhës, atëherë nuk ka pse rikonfirmohet në krye të partisë fituese kryetari fitues, pasi ai është certifikuar nga vota e qytetarëve shqiptarë! Më konkretisht, Rama ka fituar 4 palë zgjedhje parlamentare dhe po aq vendore, do të fitojë dhe garën e pestë, si në vendore ashtu dhe ato për kuvendin e ri më 2029, e nuk ka si kandidon me një tjetër kandidat brenda PS, për të qënë kryeministër! Eshtë logjikë absurde një kërkesë e tillë!

Kryetari zgjidhet për të garantuar fitoren e partisë që drejton, dhe kur e garanton fitoren, qeveris vendin si kryeministër! Humbësi ikën kur humb. Jo Berisha, të kuptohemi, se ai nuk lëviz më nga drejtimi i PD, sa të jetë gjallë! Është në realitetin e tij paralel! S’ka kurrë faj, ia ‘vjedhin votat’ sa herë humb! Prandaj duhet të marrin fund këto krahasimet, të paktën nga panelistët, se Berisha është në ‘habitatin’ e vet kur akuzon Ramën e PS-në për mungesë demokracie të brendshme, mungesë konkurrence gje gjëra të tjerë, që vetëm Berishës i ndodhin!

Por në fund të herës, duke parë këtë përpjekje të Berishës për të përjashtuar këdo nga gara me të, për postin e kryetarit të PD, gjithkush mund të bëjë pyetje, më të thjeshtën e mundshme: Pse Sali Berisha nuk do askënd përballë në garë dhe për më tepër këmbëngul se kjo është një garë e ndershme dhe më e përparuara në planet, krahasuar me partitë e tjera?!

Teksa mundohemi të ‘intervenojmë’ në mendjen e çakorduar të Berishës, tashmë në pleqërinë e tij të thellë, është në moshën 82 vjeçare e nuk duhet ta harrojmë këtë, ritheksojmë se askush nuk ia kërcënon postin e kryetarit të PD dhe për pasojë as fitoren në përballjen e qershorit! Dhe sikur të kishte kandidatë përballë! Fitorja do të ishte e thellë, mbi 90 përqind, megjithëse jo aq sa dëshiron Flamur Noka. Por mjaftueshëm për të treguar se e meriton drejtimin e PD!

Berisha, më shumë se sa për garën, ka frikë për atë që mund të ndodhë me ‘pronën’ e tij, PD-në pas largimit nga jeta, larg qoftë, pasi i urojmë jetë sa më të gjatë! Por e themi këtë sepse nëse do të kishte Salianjin apo këdo kandidat tjetër përballë në këtë garën e qershori, që me sa duket do të jetë e fundit e tij për postin e kryetarit të PD, pasi nuk do ta vërë më në diskutim këtë post as formalisht, atëherë secilit kandidat në një rast të mbramë të mbetjes së partisë pa kryetar, do t’i lindë e drejta e pretendimit për të pasuar Berishën në krye të PD! Për më tepër në të gjitha rastet, ai që është përballur i fundit, sado rezultat të thellë humbës të ketë marrë, është në listë i pari dhe më i favorizuar nga anëtarësia për të qënë pretendent për të drejtuar! Ka vënë ‘shishen’ në radhë për kreun e PD, me një fjalë, dhe kjo me sa duket e ka trembur Berishën!

Berisha e di këtë zhvillim, di dhe forcën që kanë fëmijët e tij madhorë, që dhe sot e kësaj dite fshihen pas të atit, në një moment kur të mbeten vetëm, pa të! Prandaj ka menduar që ta fshijë këtë historinë e kandidaturave përballë tij, për postin e kryetarit, në zgjedhjet që zhvillohen në qershor! Për të mos lënë asnjë ‘gjurmë’ pretendenti në trashëgiminë e PD për familjen e tij biologjike! Eshtë një lloj testamenti i pastër, pa asnjë ‘njollë’ që u lë fëmijëve, për këtë ‘pronë’, që gjeneron epërsi, para dhe e bën faktor relevant politik cilindo familjar që ngjitet në ‘fron’!

Prandaj ka bërë gjithë këto ‘pirueta’ Berisha, që nga përjashtimin i kandidatëve për postin e kryetarit, pastrimi i listave nga mbështetësit e këtyre kandidatëve dhe futja e PD në një skenar të tillë dhunimi të paprecedentë për një parti politike. Thjeshtë e vetëm për të mos lënë asnjë ‘litar jashtë’ që do të rrezikonte trashëgiminë e PD, tek familjarët e tij! Dhe kjo është e sigurtë! Pavarësisht kostos që sjell për vetë PD, e cila është rrënuar! Por Berisha si ‘skile’ e vjetër politike e di mirë se është më mirë të kesh një pronë sado e rrënuar, por qëe është e jotja, se sa një PD, pronë e shndritshme, por që familja e tij është jashtë kupolës drejtuese të saj! Llogaria është e qartë, e ftohtë dhe funksionale, ndaj e garantoi PD-në në ‘testament’ për familjen!