Nuk dua të paragjykoj asgjë në lidhje me koincidencën misterioze në mes të protestës kombëtare të thirrur nga ana e “revolucionarëve’ në Tiranë më 12 shtator dhe tubimit në Prishtinë të thirrur po më 12 shtator nga shoqatat mbarëkombëtare të UÇK-së, në mbrojtje të ish krerëve të luftës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi! Pra në mbrojtje të luftës çlirimtare!
Ish komandantët e UÇK po gjykohen në gjykatën speciale në Hagë dhe më 16 shtator pritet që të jepet vendimi përfundimtar, vendim i cili po pritet me mjaft interes në Kosovë por dhe në tërë hapësirën mbarëshqiptare, pasi verdikti në Hagë do të përcaktojë pozicionin e kësaj gjykate ndaj Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe nuk është aspak një gjykim individësh!
Qofshim të gabuar, por koincidenca e zgjedhjes pikërisht të kësaj data nga ana e protestuesve në kryeqytetin e Shqipërisë, që kanë mbi 100 ditë që po ‘xhirojnë’ në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ në Tiranë, me pikë kulmore tubimin para kryeministrisë, pikërisht në të njejtën ditë me tubimin e thirrur në Prishtinë në mbrojtje të luftës së UÇK, në vigjilje të vendimit të Hagës për ish komandantët, na ka habitur! Madje na duket sikur një ‘dorë’ misterioze i ka mbivendosur jo rastësisht këto dy tubime në të njëjtën datë, në Tiranë dhe Prishtinë, a thua ka ‘garë’ mes tyre!
Organizatorët e protestës në Tiranë, ata që janë bërë publikë sëpaku dhe jo ata që qëndrojnë në prapaskenë, kanë bërë me dije se është është ngritur një grup pune për të organizuar tubimin e madh më 12 shtator, ku pritet të mbahet një protestë kombëtare e do të vijë edhe diaspora. Sipas tyre, nga Anglia, protestuesit shqiptarë kanë njoftuar nisjen e një autokolone me automjete drejt Shqipërisë, e cila do të përshkojë disa vende europiane për të mbërritur në kryeqytet.
Nuk është përshkruar tamam internerari i udhëtimit të autokolonës së makinave që pretendohet se do të vijnë nga diaspora me flamuj të shpalosur në pjesën e përparme të makinave, por referuar asaj që ka ndodhur në protestën e paralajmëruar në korrik të këtij viti, vetëm afër 40 makina arritën në pikat kufitare me Malin e Zi. Llogaria me vendet në një makinë, bëhet shumë lehtë!
Asokohe u paraqit si justifikim fakti se kishin frikë nga bllokimi nga pala shqiptare, ndaj pjesa më e madhe kishte marrë drejtimin nga Serbia për të kaluar në Kosovë! Pavarësisht se policia serbe s’lejon të kalojë as miza me ‘logon kuqezi’, asokohe autokolona u ‘fry’ në Kosovë dhe kjo u pranua dhe nga vetë diaspora por dhe nga vetë këta ‘gardistët’ e Albinit! Pra, aktivistët e Vetëvendosjes së Kurtit kishin mbushur sheshin qëndror të Tiranës, duke kërkuar para kryeministrisë dorëheqjen e Edi Ramës! Një kërkesë e pashpjegueshme kjo në asnjë literaturë politike, nëse dikush e shfleton me vëmendje! Jo mbështetësit e Albinit, ata s’dinë të lexojnë!
Nuk besojmë se, ‘lumi do të kalojë dy herë në të njëjtat brigje’ për të justifikuar mbushjen e autokolonës së munguar të diasporës me ‘pasdaranët’ e Albin Kurtit. Por çfarë nuk ndodh në hapësirën mbarëshqiptare dhe çfarë nuk shpikim ne shqiptarët për t’ia futur njëri tjetrit, sado me rëndësi koimbëtare të jenë ngjarjet, si në rastin e tubimit në Prishtinë në prag të vendimit të Hagës për Thaçin e ish komandantët e tjerë, që kanë 6 vite në dhomat e paraburgimit!
E themi këtë sepse shoqata e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe shoqatat e tjera të UÇK kanë caktuar datën 12 shtator për tubimin në mbrojtje të ish komandatëve që po gjykohen në Hagë, teksa kanë ftuar qytetarët në tërë hapësirën mbarëshqiptare që të marrin pjesë masivisht në këtë tubim në Prishtinë, në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK. Në Prishtinë po përgatiten edhe për të pritur çlirimtarët, pasi shpresojnë që gjykata e Hagës do ta japë një vendim pozitiv e pafajsi më 16 shtator për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, por dhe për vetë luftën çlirimtare.
Parë këto koincidenca mes tubimit kombëtar në Tiranë kundër Ramës dhe atij mbarëkombëtar në Prishtinë në mbrojtje të Thaçit, Krasniqit, Veselit e Selimit, të dyja këto organizime më 12 shtator, mbetet mister se cila ka qënë vërtetë arsyeja që këta ‘revolucionarët’ e Tiranës e kanë thirrur protestën kombëtare pikërisht në këtë datë, kur në Kosovë data 12 shtator ishte planifikuar shumë e shumë kohë më parë!
Për më tepër që jemi shumë të sigurtë që ‘pasdaranët’ e Albinit nuk do të jenë në tubimin që do të organizohet në mbrojtje të UÇK, në Prishtinë, për të cilin kanë konfirmuar pjesëmarrjen të gjitha partitë politike, me përjashtim të partisë më të madhe në pushtet, Vetëvendosjes! Po ashtu është e sigurtë që këta aktivistë të Albinit, përfshirë dhe ata të diasporës së Kosovës, do të jenë në Tiranë më 12 shtator në protestën e ‘revolucionarëve’ që kërkojnë rrëzimin e Ramës! Është edhe financim i tyre dhe i islamit politik!
Për ta është më i rëndësishëm kaosi në Shqipëri, për t’a bërë njësoj me Kosovën që është tash e 2 vite pa institucione dhe e izoluar për faj të Kurtit, se sa tubimi në mbrojtje të UÇK, i cili duhej të mblidhte pjesëmarrës jo vetëm nga e gjithë Kosova por dhe nga Shqipëria dhe të gjitha trojet shqiptare në rajon! Madje dhe duke qënë në krye të thirrjeve për pjesëmarrje. Jo të çahej më dysh pjeesëmarrja, mes Tiranës dhe Prishtinës.
Por ajo që na pezmaton fort është se kur koincidencat bëhen rutinë, nuk kemi të bëjmë më me rastësi por me një strategji mirëfilli antikombëtare në dëm të interesave të shqiptarëve kudo që ndodhen, në tërë rajonin! E themi këtë sepse një gjë e tillë ka ndodhur dhe më parë, ku përmes organizimeve paralele janë sfumuar e ‘shurdhuar’ ngjarje të mëdha në të dy anët e kufirit!
Rikthejmë në memorien e shqiptarëve një kohë kritike për Kosovën e viteve ’90-të, gjatë së cilës Kuvendi i saj shpalli pavarësinë dhe sovranitetin nga ish-Jugosllavia. Në këtë periudhë, Kosova pati përpjekje për vetëvendosje e formimin e institucioneve të pavarura shtetërore, megjithëse këto akte nuk u njohën nga autoritetet jugosllave e as nga komuniteti ndërkombëtar në atë kohë.
Por, pavarësisht kësaj, më 2 korrik 1990, Kuvendi i Kosovës shpalli Deklaratën Kushtetuese, duke afirmuar pavarësinë e Kosovës dhe duke vendosur themelet e një shteti të ri të pavarur. Kjo deklaratë përfaqësonte një akt të rëndësishëm të vendosmërisë politike për qytetarët e Kosovës dhe synonte krijimin e një shteti demokratik dhe të pavarur për popullsinë shqiptare të Kosovës.
Ndërsa më 7 shtator 1990, u miratua Kushtetuta e Kaçanikut, e cila njihet si një moment historik dhe themel për pavarësinë, e cila e përcaktoi Kosovën republikë të pavarur dhe sovrane, brenda ish-Jugosllavisë, duke shtruar rrugën për krijimin e institucioneve shtetërore e të vetëqeverisjes.
Por çfarë ndodhi në Shqipëri? Pikërisht më 2 korrik të vitit 1990 mijëra qytetarë shqiptarë hynë në ambasadat e huaja në Tiranë. Ata kërkonin të largoheshin për në vendet e tjera për një jetë më të mirë, duke tronditur nga themelet shtetin e fundit komunist në Evropë. Brenda 6 ditëve ata u pajisën me pasaporta për jashtë dhe u nisën për në vendet ku dëshironin. Edhe sot, pas 36 vitesh, ngjarja është e mbuluar nga shumë dritë-hije. Pse pikërisht në të njejtën datë, cila ishte ajo ‘dorë’ misterioze që i kurdisi të dyja këto ngjarje mbarëshqiptare në të njejtën ditë, në të njejtën orë, për të sfumuar njëra tjetrën?! Duke lënë në hije përpjekjet e Kosovës për Republikë!
Por nuk mbarojnë këtu koincidencat! Pikërisht në vitin 1997, teksa UÇK kishte nisur aksionet e para të luftës për çlirim nga okupatori serb dhe kur ndërkombëtarët kishin nisur kontaktet me ish lufëtëtarët për liri, shteti shqiptar u shkatërrua nga themelet, ranë të gjitha insticionet, miliona armë ranë në duart e qytetarëve përmes hapjes së depove të ushtrisë dhe vendi ishte në prag të luftës civile! Në vend që forcat ndërkombëtare të organizoheshin në Kosovë për të mbrojtur shqiptarët matanë kufirit nga genocidi serb, këto forca u instaluan në Shqipëri për të mbrojtur shqiptarët nga shqiptarët, që ishin përfshirë në çmendurinë e tyre pa cak kundër njëri tjetrit!
Po ashtu, si për koincidencë, në kulmin e organizimit të UÇK-së në Kosovë, më 12 shtator 1998 vritet ish lideri i dhjetorit Azem Hajdari, vrasje e cila u shfrytëzua nga Berisha për të realizuar grushtin e dështuar të shtetit më 14 shtator e për të pushtuar kryeministrinë dhe RTSH! Vetëm një telefonatë nga përtej Atlantikut bëri që kreu i opozitës edhe atëherë, Berisha, të tërhiqte trupat paramilitare nga kryeministria si dhe të staciononte tanket e rrëmbyera para selisë së PD!
Për më tepër që, pikërisht në ditën e bombardimeve të NATO-s mbi Beograd, Berisha e opozita e atëhershme kishte planifikuar një protestë të madhe kombëtare për rrëzimin e qeverisë së socialistëve, asokohe të drejtuar nga Pandeli Majko, pasi Fatos Nano kishte dhënë dorëheqjen pas grushtit të dështuar të shtetit, gati një vit më parë!
Pra, janë bërë shumë koincidenca lëvizjesh në të dy anët e kufirit duke sfumuar me dashje apo pa dashje njëra tjetrën! E themi këtë sepse 16 shtator është ndoshta ngjarja më e rëndësishme për kombin shqiptar, sepse në Hagë po gjykohet lufta e lavdishme e UÇK për çlirimin e vendit nga okupatori serb dhe jo disa emra të përveçëm, pra ish komandantët e kësaj lufte!
Aty ndahet fati i historisë për Kosovën por dhe për mbarë shqiptarinë, dhe një tubim paralel në Tiranë, për të rritur numrin e pjesëmarrësve në ‘xhiro’ dhe me këta idiotët e Albinit që janë kundër UÇK dhe duan një justifikim për të ikur nga tubimi në Prishtinë por dhe për të sulmuar Ramën, apo këta të islamit politik nga Kosova dhe RMV, do të rezononte rëndshëm tubimin në Prishtinë! Për më tepër që do t’i jepte një ‘dorë’ dhe Albinit për të justifikuar mospjesmarrjen në tubimin në mbrojtje të UÇK-së në Prishtinë, pasi bën sikur është i ’zënë’ me mbështetjen ndaj “revolucionit” për të “mbrojtur Shqipërinë nga Edi Rama”! Punë Albini kjo!
Shpresojmë që ‘qendra e rëndesës’ më 12 shtator të jetë në Prishtinë në mbrojtje të UÇK-së dhe këta ‘pasdaranët’ e Kurtit t’i kenë realizuar pushimet e verës e të marrin pjesë dhe pa leje në këtë tubim në kryeqytetin e Kosovës, pra në sheshin “Skënderbej”! Duke menduar, themi, njëherë të vetme me kokën e tyre, për ta vënë Kosovën në qendër të vëmendjes së opinionit dhe të mediave ndërkombëtare, për një qëllim madhor, mbështetjen e UÇK që po gjykohet në Hagë! Jo se ka dhënë ndonjë impakt në këto protestat kombëtare të “Flamingove” në Tiranë, pjesëmarrja e aktivistëve të Albinit apo dhe ata pak ‘kokrra’ që vijnë me makina nga diaspora, të kuptohemi!
Por ajo që po themi është se, ‘revolucionarët’ e Tiranës, do të kishin fituar shumë pikë, sikur njëherë të vetme të vepronin në shërbim të axhendave shqiptare, pra të shkonin në Prishtinë dhe të bashkonin forcat me ta, në shërbim të një kauze mbarëkombëtare! Ata protestues që kanë mbetur themi! Do ishte në nderin e tyre që të na surprizonin, pasi është e dukshme se për kombin shqiptar ka më rëndësi mbrojtja e luftës së UÇK për çlirimin e shqiptarëve nga okupimi serb, se sa ‘Flamingët’, paçka se nuk ka mbetur më asnjë ‘pigment rozë’, në këto protestat e fundit! Megjithatë, të presim, do të heqin dorë nga ‘xhiroja’ e darkës për hir të Kosovës apo jo! Mbetet për t’u parë!









Komente
Komento