Kryetari i PD, Sali Berisha vijon me axhendën e tij të nxirjes së gjithçkaje, duke hedhur akuza pa ‘doganë’ në drejtim të vetë shtetit shqiptar, duke dërguar madje edhe letra me të shkruar në të gjitha kryeqendrat botërore, ndërkohë që dosjet në ngarkim të tij po ‘firojnë’ një nga një!

Nuk është se këto dosje po zhduken nga qarkullimi në mënyrë fizike nga një dorë e padukshme. Fjala është se dosjet në ngarkim të liderit të PD  po lihen deri në pafundësi pa ua hapur kapakët dhe në fund të herës po ‘arkivohen’ një nga një, me kërkesë të prokurorëve të posaçëm ose të thjeshtë, dhe me vendim të gjykatave, të posaçme apo të thjeshta!

Kjo nuk po ndodh me një dosje normale apo që nuk ka pasur apo ka ndonjë peshë në jetën publike të vendit, në kohën kur ajo ka ndodhur, për të vijuar dhe sot e kësaj dite! Janë dosjet më të rënda të periudhës post-komuniste dhe kanë të bëjnë me korrupsionin e përgjakshëm të qeverisjes së Sali Berishës! Janë dosje që deri edhe ‘lidhëset’ e tyre janë të mbuluara me gjak njerëzish të pafajshëm, duke e bërë të domosdoshme zbardhjen e tyre dhe dhënien e drejtësisë.

Por kur bëhet fjalë për Sali Berishën, gjithnjë drejtësia, e vjetra po e po, por edhe drejtësia e re, e ka ‘frenuar’ veten deri në ‘vetësakrifikim’ të punës së saj! Duke treguar qartë se nuk ka këllqe që të merret me hetimin dhe dërgimin në gjykatë të liderit të PD, i cili sa ka qënë kryetar shteti dhe kryeministër i Shqipërisë ia ka nxjerrë ‘ujin e zi’ këtij vendi, duke e vjedhur, dhunuar dhe duke vrarë njerëz të pafajshëm, vetëm sepse kanë qënë kundër tij! E ka të ‘certifikuar’ këtë gjë Berisha, pasi jo më kot është nën hetim për një sërë veprash penale, e mbi të gjitha jo më kot është shpallur ‘non grata’ nga aleati ynë më i madh, SHBA-të!

Për të qënë më konkretë në këto që themi, nuk kishte si të kalonte pa rënë në sy vendimi i këtyre ditëve të fundit i ndërmarrë nga ana e Prokurorisë së Posaçme, që ka pezulluar kallëzimin e Ajshe e Muharrem Haklajt ndaj ish-kryeministrit Berisha dhe 15 personave të tjerë, lidhur me vrasjet e 4 vëllezërve të saj, përkatësisht Halil, Shkëlqim, Fatmir dhe Ylli Haklaj. Pas kryerjes së një sërë veprimesh hetimore, sipas SPAK, dhe marrjes në pyetje të disa personave, prokurorja Kaçkini ka vendosur pezullimin e hetimeve dhe dërgimin e materialeve pranë Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme hetimore e gjetjen e provave. Një “formulë’ e njohur kjo për të hallakatur dhe zvarritur hetimin deri në pafundësi për një dosje të cilën nuk e ke aspak për ‘zemër’ dhe nuk dëshiron ta zbardhësh kurrë ndoshta.

Ka vijuar kështu ping-pongu institucional mes institucioneve, duke e dërguar këtë çështje drejt ‘arkivimit’ të saj, pavarësisht se diskutohet për 4 jetë njerëzish të këputura në lule të rinisë por po të hyhet më thellë janë dhe mbi 200 djem të rinj të Tropojës, të cilët janë nën dhê, vetëm për shkak të inatit të Berishës me vendlindjen e tij, të cilën gati e çoi drejt shuarjes!

Megjithëse ky vendim është kundërshtuar nga familja Haklaj, pasi babai i vëllezërve, Muharrem Haklaj dhe motra Aishe Haklaj, i janë drejtuar Gjykatës së Posaçme me ankimim, duke kërkuar vijimin e hetimeve mbi kallëzimin e depozituar në SPAK në korrik të vitit 2021. Pritet që ankimimi të shqyrtohet nga gjyqtarja Deda. Ndërkohë që në kallëzimin e tyre, ata akuzojnë ish kryeministrin Berisha se ka urdhëruar vrasjet e katër vëllezërve. Krahas Berishës, në kallëzim janë përfshirë edhe 15 persona të tjerë, të cilët kallëzuesit i akuzojnë si pjesë të një grupi të armatosur dhe një organizate kriminale që, sipas tyre, vepronte nën urdhrat e ish kryeministrit.

Por kjo nuk është dosja e parë në ngarkim të Berishës të cilën drejtësia e re po e zvarrit e zvarrit deri në pafundësi, duke i dërguar të gjitha drejt ‘arkivimit’ dhe mbylljes së plotë të tyre! Kështu po zvarritet pafundësisht dosja “Gërdeci’, po përmes këtij ‘ping-pongu’ të dhimbshëm. Anipse nga shpërthimi i punishtës së demontimit të municioneve, nënvizojmë se ka pasur dhe paketime municionesh dhe armësh për tregti që është subjekt më vete ky,  biznes për të cilin akuzohet Shkelzeni, djali i ish kryeministrit Berisha, u vranë 26 njerëz të pafajshëm dhe u plagosën mbi 300 të tjerë, pa përmendur këtu dëmtimin e biznesve dhe faktit se gati u shua një fshat i tërë!

Nuk kemi futur në këtë ‘llogari’ këtu vdekjen misterioze të Kosta Trebickës, i cili u gjet në pllajat e Korçës i vdekur, pas atij aksidenti të pamundur automobilistik në mes të fushës, teksa kishte dalë për ‘gjueti’! Pavarësisht se Trebicka ishte biznesmeni që ishte marrë me paketimin e fishekëve kinezë dhe që kishte akuzuar publikisht deri në SHBA, Shkelzen Berishën për problemet e tij! Apo ish shefin e shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura shqiptare, gjeneral Luan Hoxha, i cili ishte ‘zbërthyer’ në ambasadën amerikane në Tiranë, duke kërkuar mbrojtje pasi i rrezikohej jeta nga familja Berisha, ndërkohë që mori azil politik po në SHBA, ku me sa dihet është zbërthyer me tamam e me të gjitha, duke rrëfyer gjithçka ai di! Këto i lëmë në dorë të Zotit, por edhe të vullnetit të drejtësisë së re për të lexuar ndonjë gjë në funksion të dosjes së “Gërdecit”, nëse kanë ndonjë mendje për t’ia ‘shkundur pluhurin’ ndonjëherë!

Pavarësisht vendimit të Gjykatës së Strasburgut për dosjen e vrasjes së 4 demonstruesve të opozitës nga Garda e Republikës më 21 janar 2011, për të hetuar dhe dërguar para drejtësisë urdhërdhënësit zyrtarë të lartë të kësaj tragjedie, sërish hetimi i kësaj dosjeje po zvarritet pafund! Strasburgu e kishte zbërthyer të plotë dosjen, vetëm emrat kishte ‘lënë’ për SPAK-un tonë që të vendoste, shtuar këtu dhe procedurën e ‘lidhjes’ së kësaj dosje dhe dërgimit të saj në Gjykatën e Posaçme për të dhënë vendimin për urdhërdhënësit e kësaj masakre shtetërore! Asgjë nuk është bërë deri më tani, megjithëse dosja ishte e ‘qëruar’ dhe ‘llokum’ fare në Strasburg!

Drejtësia e re, pavarësisht se deklarohet se i ka pyetur të gjithë ata që ka menduar se dëshmia e tyre do të hynte në punë për zbardhjen e këtyre vrasjeve shtetërore, nuk dimë të ketë mbajtur ndonjë ‘shënim’ për Berishën apo familjarët e tij gjatë dëshmisë, pasi për çudi, për Berishën nuk ‘rrjedhin’ as informacione fare nga Prokuroria e Posaçme, drejt mediave e drejt publikut të gjërë!

Nuk dimë as që organi i akuzës të ketë marrë nën administrim deklaratat publike të Berishës kur mburrej se mund të vriste dhe 300 apo 3000 demonstrues të opozitës më 21 janar, nëse kalonin gardhin e kryeministrisë, apo që kishte urdhëruar vendosjen në tarracën e godinës së kryeministrisë të 5 snajperëve për të qëlluar me plumb kokës kreun e opozitës së atëhershme Edi Rama nëse ai bënte një hap para! S’ka rrjedhur lajmi për dosjen e rëndë në ngarkim të Berishës! As për këtë audio-përgjimin që kanë dërguar familjarët në SPAK ende s’kemi informacion se në cilën dorë ekspertësh ka rënë për ekspertim! Gjithçka është e mbuluar nga misteri, pa ‘rrjedhje’.

Ajo që dimë është se, asnjë prej hetimeve të çështjeve që kanë lidhje me Berishën nuk po ecën përpara për të mbërritur në destinacionin e kërkuar: në gjykatë! Madje janë bllokuar tërësisht dhe janë në prag të ‘arkivimit’! Nuk flasim këtu për dosjen “Partizani’, as për hetimin e pasurisë së familjes së Berishës, pasuri e cila për hir të së vërtetës është e shpërndarë jo vetëm në çdo cep të Shqipërisë, por dhe në të gjitha kryeqendrat e Europës dhe më gjërë, të cilat i dinë të gjithë shqiptarët, por jo ata që duhet t’i dinë, me sa duket! Janë dosje të lehta ‘pupël’ këto, përballë korrupsionit të përgjakshëm të Berishës, përmes të cilit jo vetëm janë zhdukur paratë e shtetit, por janë marrë edhe jetë njerëzish!

Këto dosje të ish kryeministrit të PD janë si ‘kruajtëse dhëmbësh’ përballë atyre që po zvarriten deri në pafundësi, duke e vënë në diskutim mbi të gjitha integritetin e drejtësisë së re, e cila u ngrit mbi parimin, sipas të cilit drejtësia është e barabartë për të gjithë si dhe dhënies fund të pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë në këtë vend! Për këtë qëllim ka marrë mbështetje pa fund kjo drejtësi, nga shqiptarët si dhe ndërkombëtarët! Ka marrë e po merr edhe para pa fund!

Por ajo që po shohim me sy të lirë është se, drejtësia e re është në ‘gjueti’ të emrave të rinj për t’i hetuar dhe akuzuar për korrupsion! Duke kaluar në ‘revistë’ thuajse të gjithë zyrtarët e lartë të shtetit, në qeverisjen aktuale! Me pak ‘telenovelë’ brenda, ato ‘rozë’ bëjnë ‘namin’, janë një ‘ushqim’ tepër i kërkuar nga publiku i gjërë, i cili me këto gjëra argëtohet. Kjo u pa dhe me këto videot ‘artistike’ që po bëjnë namin në rrjetet sociale me shikueshmëri.

Për t’u rikthyer tek hetimet e zyrtarëve aktualë, ajo që themi është se nuk po i pengon askush prokurorët, ‘ujin e zi’ t’i nxjerrin dhe të dërgojnë në burg gjithkënd që ka abuzuar me pushtetin dhe ka vënë dorë në paratë e shqiptarëve. Me dashje apo pa dashje ta ketë bërë, të gjithë para drejtësisë të shkojnë, sipas ligjit! Drejtësia do të ketë mbështetjen tonë të vazhdueshme, pa dallim! Por dhe ndonjë provë duhet ta gjejnë prokurorët tanë, përpara se t’i fusin në paraburgim, se na morën erzin nëpër Evropë, ku kemi dyfishin madje dhe të Rusisë së Putinit nëpër burgje, të padënuar! Nuk është vetëm kosto politike në raport me integrimin në BE paraburgimi me shumicë, është dhe faturë e madhe financiare, sepse, edhe hanë të paraburgosurit! Kanë kosto! Pa llogaritur pastaj, nëse fitojnë lirinë, kush ua paguan paraburgimin atyre, sepse drejtësia jonë kap e fut në burg, nuk mban përgjegjësi! Shqiptarët do të paguajnë, por dhe vetë të paraburgosurit!

Ama, dhe këto dosjet e rënda, pavarësisht se kur kanë ndodhur, sidomos këto dosjet e përgjakshme ku për shkak të korrupsionit janë sakrifikuar jetë njerëzore, drejtësia e re duhet të ecë të paktën me gjysmën e ‘shpejtësisë’, me të cilën po merret me këto dosjet e reja! Nuk themi që të bllokojnë ‘rrjedhjet’ e informacionit drejt publikut si me dosjet e Berishës, është një luftë e humbur kjo dhe apeli nuk vlen në rastin e zyrtarëve të Ramës, të cilëve u janë zbardhur deri dhe komunikime tepër të detajuara për jetët personale! Nuk kërkojmë kaq shumë ne!

Do të dëshironim, dhe për hir të zbatimit të ligjit, të vijohej me këto dosjet e reja, korrupsioni apo çfarëdo lloji qofshin, por pa lënë pas dore të ‘vjetrat’! Sepse duhet ta besojnë dhe vetë prokurorët e posaçëm, se dhe këto të vjetrat, sa më shumë që kalon koha aq më të kërkuara bëhen! Askush nuk i harron familjarët e vet që kanë humbur jetën nga dora e shtetit, sado vonë të shkojë! Po vriten për së dyti!

Nëse vijohet me këto ‘arkivimet’ e dosjeve të Berishës, i bie që të themi se s’janë asgjë këto 34 viktimat e Berishës gjatë qeverisjeve të tij, por shikoni këto komunikimet ‘rozë’ të Vlorës së SHISH të cilat po bëjnë ‘namin’, komunikimet me Agasin themi apo deri dhe këto akuzat që bën Berisha publikisht ndaj saj, se me kë bashkëjetonte” Vlora! Sepse jemi të sigurtë që edhe këto deklarime të Berishës do të jenë pjesë e hetimit të drejtësisë së re! Edhe ‘kasapi’ i Ballkanit, Sllobodan Milosheviçi, megjithëse vrau mijëra njerëz me urdhër të tij, vdiq në Hagë i padënuar, për shkak të zvarritjeve të procesit të hetimit në ngarkim të tij! Nuk përjashtohet mundësia që dhe për Berishën, zvarritja dhe mbyllja e dosjeve deri në ‘arkivim’  të shkojë paralel me jetën e tij biologjike, sado vonë që të shkojë! Këtu do të jemi, do ta verifikojmë!