'Jam i prekur nga largimi i Skukës dhe Bitrit', drejtori sportiv i Partizanit: Adili dhe Limaj nuk vijnë te Partizani

Drejtori sportiv i Partizanit, Elton Marini foli për mediat në prag të ndeshjes që "Demat" luajnë kundër Teutës, e vlefshme për javën e 18-të të Superligës. Të enjte në 16:00 në kompleksin e kuq, Partizani pret durrsakët që kanë ndërruar organikën. Marini ceku disa tema, teksa me interes ishte shitja rekord e Xhuliano Skukës për 1.3 milionë euro te Metz në Francë, apo largimi i Bitrit.

"Mendoj që nuk jemi dobësuar, pasi edhe vetë trajneri e përmendi që ne kemi një projekt të caktuar, i japim besim lojtarëve tanë aktual, kështu që fjala dobësim nuk më duket me shumë vend. Eshtë e drejtë të themi që na janë larguar dy lojtarë shumë të mirë, të cilët kanë kontribuar gjatë për këtë skuadër, por siç e kam deklaruar edhe në konferencën e mëparshme klubi nuk mund t'i rezistojë këtyre shifrave të çmendura. Nëse ju kujtohet fraza ime e "çmendur" në këtë rast ka pasur një çmenduri futbollistike e cila është një risi e madhe. Eshtë ndoshta edhe krenari për klubin tonë që ka mundur të realizojë transferimin më të madh që është arritur në futbollin shqiptar. Financat janë të domosdoshme, të mos harrojmë që jetojmë në një vend ku nuk prodhojmë shumë para, ose të ardhura nga ky sport, kështu që burimi kryesor i prodhimit të të ardhurave patjetër që janë shitja e të drejtave të transferimit. Unë personalisht për çështje afeksioni ndoshta do jem më i pezmatuari nga të gjithë sepse jam shumë i lidhur me djemtë, por i urojmë suksese sepse kjo tregon punën e mirë që është bërë dhe ndoshta është një motivim më i madh dhe për të tjerët që të ndjekin rrugën e tyre", tha Marini.

Marini u ndal te largimi i Skukës, duke treguar se Partizani i dha besim sulmuesit që më pas ia shpërbleu.

"Mos harrojmë që Skuka ka ardhur vjet në merkaton e janarit kështu që besoj të njëjtën pyetje do i keni bërë edhe trajnerëve të mëparshëm kur ka qenë vitin e kaluar. Asnjëri nuk besonte ke Skuka, ndoshta asnjëri nuk beson tek ata që do të vijnë në ditët në vazhdim. Ky është një proces ikje-ardhje kështu që ashtu siç shpërtheu Skuka, besoj që ka shumë element të tjerë brenda ekipit që mund të kenë të njëjtin shpërthim. Shifrat janë të deklaruara në media dhe besoj që ajo është shifra reale e arkëtuar", tha drejtori i Partizanit.

Sa i takon merkatos së Partizanit, Marini tregon se ka parë disa futbollistë dhe janë pak emra që qarkullojnë në zyrat e klubit.

"Unë jam shumë i kujdesshëm kur përmend emra, pavarësisht se mediat mund të zbulojnë ndonjë sekret që qarkullon në zyrat tona. Mendoj që duhet të kemi respekt për lojtarët që janë në kontratë me klubet e tjera, kjo është çështje etike dhe profesionale. Për sa kohë që lojtarët që na interesojnë ne janë në kontratë me klubet e tjera nuk mund të përmendim emra. Ne jemi në negociata për repartet që kemi përcaktuar bashkë me stafin teknik aty ku është e nevojshme po punojmë. Të them të drejtën koha ka qenë pak e shkurtër pasi vet kjo periudhë e transferimeve është e tillë. E kemi deklaruar edhe më përpara që e kemi të vështirë për të pranuar opsionet e shumta që na vijnë nëpërmjet youtube. Unë në natyrën time jam person që kam qejf t'i shikoj një herë lojtarët në aksion dhe pastaj të vendosim me stafin teknik nëse do i marrim. Unë kam udhëtuar kam parë lojtarë, me disa kemi negociuar, me disa kemi vështirësi sepse siç e thashë janë nën kontratë. Besoj që do të bëjmë diçka deri në fund të janarit kur edhe mbyllet zyrtarisht edhe dritarja e transferimeve", vijoi drejtori.

Elton Marini ka treguar se Mevlan Adili nuk ka qenë në bisedime me klubin.

"Shumë lojtar mund të shprehen hapur dhe me dashamirësi për të ardhur te një skuadër e madhe si Partizani. Sigurisht ne na bëhet qejfi kur dëgjojmë kështu vlerësimesh nga futbollistët. Për sa më rezulton nuk ka qenë një emër në tavolinën tonë", saktësoi drejtori i Partizanit.

Drejtori i Partizanit foli edhe për Klinsman Caken dhe Vesel Limaj, apo të ardhmen e Rrapaj.

"Cake është në kontratë me Shkëndijën. Vesel Limaj është një lojtar shumë i mirë që edhe mua personalisht më ka lënë përshtypje të mira, por ka një problematikë që ne nuk na ndihmon për regjistrimin e lojtarëve. Duke qenë se ai zotëron pasaportën gjermane ne kemi shumë problem me numrin e lojtarëve të huaj. Për momentin nuk është një opsion i yni. Qëndrimi im është i qartë. Rrapaj të respektojë kontratën që ka deri në vitin 2025. Për transferimin e tij të mundshëm në një treg të suksesshëm siç ndodhi edhe me dy lojtarët tanë të mëparshëm është një proçes që do të ndodhi pak më vonë dhe jo tani. Ne e konsiderojmë pak herët transferimin e Rrapaj", përfundoi Marini.

S.Dh/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Plagosja e 50-vjeçarit shqiptar në Greqi, zbulohet dëshmia e shitëses: Thirri për ndihmë, i dilte shumë gjak dhe i vura një peshqir!

Plagosja e 50-vjeçarit shqiptar në Greqi, zbulohet dëshmia e shitëses: Thirri për ndihmë, i dilte shumë gjak dhe i vura një peshqir!