Të ardhurat totale në 3 mujorin 2017 janë realizuar në masën 100.8 miliardë lekë, rreth 104 për qind në raport me planin e periudhës. Një vit më parë, të ardhurat në total shënuan 96.9 miliardë lekë. Realizimi i shpenzimeve të përgjithshme është 91.9 miliardë lekë ose rreth 97 për qind kundrejt planit të periudhës. Kjo situatë është shoqëruar me një sufiçit buxhetor prej afërsisht 8.93 miliardë lekësh.
Tatimi mbi Vlerën e Shtuar ka sjellë në arkën e shtetit 31.3 miliardë lekë, nga 29.9 miliardë, që ishte realizuar ky zë në periudhën janar-mars 2016. Po kështu, edhe tatimfitimi shënon 11.2 miliardë lekë, nga 10.8 miliardë një vit më parë.
Por tatimi mbi të ardhurat personale, që pasqyron taksimin mbi pagat e punonjësve të punësuar, rezulton me rënie, krahasuar me një vit më parë. Vjet u realizua në masën 7.9 miliardë lekë, ndërkohë që këtë vit ka sjellë 7.7 miliardë. Kontributi i këtij zëri në të ardhura është 3.8% ose 304 milion lekë më pak se 3 mujori i vitit 2016 dhe 5.2% ose 425 milion lekë më pak se plani. Sipas ministrisë, ndikim në deklarimet e kësaj takse ka pasur reduktimi i pagesës së tatimit në burim për shitjet e pasurive të paluajtshme për shkak të ligjit të rivleresimit në 2%, nga 15% që është niveli bazë.
Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 585 milionë lekë, 9.1% ose 49 milionë lekë më shumë krahasuar me 3-mujorin e vitit 2016 dhe 33% ose 146 milionë lekë më shumë se plani. Ndikim kryesor ka patur rritja e çmimit të mineraleve në tregun ndërkombëtar me rreth 48% krahasuar me janar-mars 2016 dhe rritja e sasisë së mineraleve të eksportuara me 47%.
Të ardhurat nga akciza janë realizuar në vlerën 9.2 miliardë lekë, 7.6% ose 654 milionë lekë më shumë se 3-mujori i vitit 2016 dhe 5.6% ose 486 milionë lekë më shumë se plani. Ndikim kryesor ka pasur importi dhe prodhimi vendas i karburanteve, që rezultoi rreth 116 mijë ton, me një rritje prej 4.600 tonësh ose 4.1% më shumë krahasuar me 3-mujorin e vitit 2016. Gjithashtu rritje kanë shënuar importi i gazit të lëngët me 13%, importi dhe prodhimi i birrës me 12%, importi i pijeve energjike me 42%, importi dhe prodhimi i verës me 5.5%. Importi i cigareve dhe kafesë ka ruajtur afërsisht nivelin e janar-mars 2016, ndërkohë që është rritur deklarimi i prodhimit vendas të duhanit me rreth 50%.
Kontributet për sigurime shoqërore vijojnë të rezultojnë në rritje, ndërkohë që kanë qenë më të ulta se një vit më parë ato për sigurimin shëndetësor.
Ndërkohë, të ardhurat e organeve të pushtetit vendor duket se kanë shënuar një përmirësim të ndjeshëm, duke qenë në masën 3.9 miliardë lekë, nga 2.2 miliardë një vit më parë. Rritja llogaritet në afro dy herë më shumë.
Nga ana tjetër, shpenzimet e përgjithshme publike, për muajin e tretë të vitit 2017, arritën në rreth 91.9 miliardë lekë, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016, ky zë ka rezultuar rreth 11.3 për qind më i lartë, ose rreth 9.3 miliardë lekë. Shpenzimet kapitale (investimet) për 3-mujorin e vitit 2017 paraqesin një realizim në masën rreth 9.5 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016, ky zë është 31.5% më i lartë, ose rreth 2.3 miliardë lekë më shumë.
Zërat kryesorë të buxhetit të shtetit janar-mars 2017 (në miliardë lekë)
Zëri viti 2017 viti 2016
Të ardhura total 100.8 96.6
TVSH 31.3 29.9
Tatimfitimi 11.2 10.8
Akciza 9.3 8.6
Tatim të ardhura
personale 7.7 7.9
Pushteti vendor 3.9 2.2
Shpenzime total 91.9 83.3
Investime 9.5 8
Deficiti +8.9 +13.3
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com