Grupi i “tekstileve dhe këpucëve” është më i madhi në vend, përsa i përket eksporteve. Ky grup ka si avantazh krahun e lirë të fuqisë punëtorë, dhe punon përgjithësisht me regjimin e përpunimit aktivi, me vlerë të shtuar të ulët, ndonëse vitet e fundit ka përpjekje për të mbyllur ciklin, sidomos në industrinë e këpucëve. Për 10 mujorin, ky grup eksportoi 98 miliardë lekë mallra, me një rritje prej 9.5% në krahasim me 10 mujorin 2016. “Tekstilet dhe këpucët” zinin 43% të totalit për 10 mujorin.
Një ecuri shumë pozitive këtë vit ka shënuar grupi i “materialeve të ndërtimit dhe metaleve”, që për 10 mujorin ka shënuar dhe rritjen m ëtë madhe në vlerë absolute me rreth 10 miliardë lekë (nga 27 miliardë lekë që ishte rritja në total e eksporteve), duke arritur në 36 miliardë lekë (+39%). Kurum, prodhuesi i çelikut, ndonëse në falimentim, po vijon punën pas planit të riorganizimit, ndërsa ka një gjallërim të industrisë së çimentos dhe materialeve të ndërtimit. Pesha e këtij grupi ka arritur në 16%, pothuajse sa ajo e “minerale, lëndë djegëse dhe energji”.
Por edhe eksportet e “pijeve, ushqimeve dhe duhanit” janë zgjeruar me 17% në 24 miliardë lekë, me ritme më të ngadalta rritjeje se një vit më parë. Deficiti tregtar i muajit tetor është 32 miliardë lekë, duke u rritur me 15.2%, krahasuar me tetorin 2016 dhe duke u ulur me 10.7%, në krahasim me shtatorin 2017.
dy.b/shqiptarja.com










