Janari ishte muaj më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në botë, duke ngritur pyetje mbi ritmin e ndryshimeve klimatike, raportojnë shkencëtarët.
Sipas të dhënave të shërbimit evropian të klimës Copernicus, janari 2025 ishte afërsisht 0.1°C më i ngrohtë se ai i 2024-ës, pavarësisht pritshmërive që temperaturat do të ishin më të ulëta për shkak të ndikimit të fenomenit natyror La Niña, shkruan BBc në një artikull të botuar.
Ky zhvillim vazhdon një seri temperaturash rekord që nga mesi i vitit 2023, me një rritje mesatare prej 0.2°C mbi pritshmëritë.

“Arsyeja kryesore pse kemi thyer rekorde dhe kemi një prirje të gjatë të ngrohjes është rritja e gazrave serrë në atmosferë”, tha Gavin Schmidt, drejtor i Institutit Goddard për Studimet Hapësinore të NASA-s.
“Nëse do të më pyesnit disa muaj më parë, do të kisha thënë se janari 2025 do të ishte më i freskët se ai i 2024-ës”, tha Adam Scaife, kreu i parashikimeve afatgjata në Zyrën Met të Mbretërisë së Bashkuar. “Por tani e dimë që nuk është - dhe nuk e dimë vërtet pse.”
Shkencëtarët po shqyrtojnë disa teori për të shpjeguar këtë nxehtësi të pazakontë, përfshirë një efekt të zgjatur të El Niño 2023-2024, ndryshime të mundshme në sjelljen e oqeaneve dhe reduktimin e grimcave të aerosoleve në atmosferë.
Një teori sugjeron se El Niño i fundit mund të ketë lejuar nxehtësinë e grumbulluar në oqean të lirohet më shumë në atmosferë. Megjithatë, disa shkencëtarë argumentojnë se ky efekt duhet të ishte zbehur tashmë.
Një tjetër faktor mund të jetë ulja e grimcave të aerosoleve, të cilat tradicionalisht kanë ndihmuar në reflektimin e rrezeve të diellit dhe në ftohjen e klimës. Ulja e tyre vjen si pasojë e reduktimit të ndotjes industriale, sidomos në sektorin e transportit dhe në Kinë.
Sipas shkencëtarit James Hansen, ky faktor mund të ketë një ndikim më të madh se sa ishte parashikuar më parë, duke përshpejtuar efektin e ngrohjes globale.
Shumica e studiuesve besojnë se viti 2025 mund të përfundojë pak më i freskët se 2023 dhe 2024, por e pranojnë se nuk janë të sigurt, citon BBC.
Ajo që dihet me siguri është se, nëse emetimet e gazrave serrë nuk reduktohen, ngrohja globale do të vazhdojë të intensifikohet.
Komente

