25% e makinave nuk kalojnë kolaudimin, 1 mijë mjete drejt bllokimit! Gonxhja për Report Tv: Ashpërsuam kriteret

Edhe pse ka vetëm një muaj që ka ri-nisur kolaudimi i automjeteve, 5 mijë prej tyre nuk e kanë kaluar testin për shkak të problemeve. Drejtori i DPSHTRR Blendi Gonxhja tha për Report TV se janë ashpërsuar kriteret që duhen plotësuar për të kaluar kontrollin teknik.

“Është një kontroll që ka një përmirësim të ndjeshëm, një ashpërsim porsa i përket kritereve që duhet të kapërcej mjeti për të kaluar kontrollin. Nuk lejohet të kalojnë mjete që deri dje kalonin, apo këshilloheshin për probleme të tilla, si fener të thyer, xhama të thyer, apo rrjedhje vaj, apo probleme që deri dje kanë qenë këshilluese, sot janë ngelëse, dhe kjo ka bërë që të këtë një numër më të madh ngeljesh. Jemi në nivelin e 25% të mjeteve që futen për testim dhe ngelin, është një shifër e lartë. Në tre javët e para janë paraqitur për kontroll rreth 20 mijë mjete dhe nga këto 25% kanë ngelur, gati 5 mijë mjete të ngelura. Një pjesë e tyre kanë shkuar për riparime, një pjesë e tyre ri-testohen dhe kalojnë pasi plotësojë kriteret pasi mund të kenë ndërruar pjesët problematike”, u shpreh Blendi Gonxhja.

Të gjitha mjetet e ngelura kanë 1 muaj afat për të riparuar defektet dhe për tu rikthyer në kolaudim, në rast se nuk kthehen dhe qarkullojnë pa kolaudim gjoba arrin në 200 mijë lekë të reja.

“Mjetet ngelin dhe kanë një muaj afat për tu rikthyer, dhe janë rreth 1 mijë që nuk janë ri-kthyer për ri-testim, pasi kemi parë që këto mjete kanë qenë të ritestuara rishtazi, pra në vitin 2019-2018 apo nuk ka rëndësi viti, këto mjete janë kolauduar, ndërkohë që defektet e tyre janë deri 10 vjeçare. Mjetet që mund të jenë duke qarkulluar jashtë këtij afati, do të kërcasin gjoba shumë të shtrenjta, nga 400 mijë lekë deri në 2 milionë lekë të vjetra, për këto mjetet që shkelin 1 mujorin dhe do të dalin në rrugë të pa kolauduar”, tha Gonxhja.

Problemet më të shumta janë në frenim, goma, sistemin e drejtimit të mjetit si dhe në shkarkimin e gazrave, ku sipas drejtorit Gonxhja kampionët e defekteve janë flotat e bashkive.

“Kryesisht problemet janë në frenim, në sisteme drejtimi, në gomina, probleme që janë të rëndësishme për drejtimin, pastaj vjen pjesa e shkarkimit, pjesa e gazrave ku ka fenomene nga më të çuditshmet ku ka mjete që janë të pariparuara me dekada. Po punohet shumë me flotat sepse janë në gjendje të mjerueshme, sidomos me flotat bashkiake. Ne e dimë që ka probleme me buxhetet e bashkive, që ka probleme me planifikimin e investimeve për këto gjëra. Në radhë të parë flotat e transportit të udhëtarëve që mund të jenë edhe me operator privat, autobusët urban të rrethqytetës të Tiranës janë kampionë të ndotjes, jashtë çdo lloj standardi që mund të pranohen nga ana jonë apo nga kolaudimi. Këto po fotografohen dhe nuk do të tolerohen”, pohoi ai.

Teksa aktualisht po kolaudohen mjetet e tonazhit të rëndë, të transportit publik, taksitë, rimorkiot, apo autoshkollat, drejtori thotë se në shtator fillon për vetura e qytetarëve.

“Shpresojmë të rikthehemi në shtator me qytetarët, në rezervimin në masë, të lirë në sistemin online, të gjitha mjeteve të tjera të cilat hyjnë gradualisht në ciklin për të marrë shërbimet. Ato që janë pa kolaudim në vitin 2020 nuk diskutohet që duhet të vijnë menjëherë, jo të presin shtatorin. Pjesa tjetër që ne po thërrasim janë ata drejtues me mjete të përdorura që kanë hyrë në vitin 2021 janë targuar dhe nuk janë kolauduar. Jemi rreth 30 mijë mjete që kanë hyrë në këto 6 muaj që ne po flasim. Gjithë kategoria që ka bërë kolaudimin në vitin 2020, bazuar në normat e reja ju do e bëni kolaudimin në vitin 2022”, u shpreh Gonxhja.

Pjesë e reformës në shërbimin e kontrollit teknik Blendi Gonxhja, pohoi se asnjë drejtues mjeti nuk do të ketë të drejtë të ndryshoj pikën e kontrollit, në rast se ngel në kontrollin e parë, për të shmangur kështu abuzimet.

“Janë ndryshuar shumë nga mënyrat e bllokimit. Refuzimi i shërbimit është i gjithi në sistem, dhe bën që të mos migrosh më në pika të tjera. Pra po iki nga Tirana po shkoj në Laç, apo po gjej një mik e po e sajoj në Kukës”, tha drejtori Gonxhja.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Si është gjendja e Metës? Faik Basha: Po drejton aksionin opozitar nga burgu! Së shpejti do lirohet, në 2025 kandidat për kryeministër

Si është gjendja e Metës? Faik Basha: Po drejton aksionin opozitar nga burgu! Së shpejti do lirohet, në 2025 kandidat për kryeministër