UKRAINE- Ish-presidenti i Ukrainës, Viktor Janukoviç ka folur sërish në një konferencë për shtyp nga qyteti i Rostovit në Rusi ku jeton që prej largimit nga Kievi.
Janukoviç tha se ai është presidenti i ligjshëm dhe mbetet Komandanti në Fuqi i Ukrainës. Ish presidenti ishtoi se oficerët dhe ushtarët ukrainas të cilët janë betuar para flamurit nuk do të marrin urdhëra kriminale nga qeveria e Kievit, e cila erdhi në fuqi me një grusht shteti.

Gjatë fjalës së tij, Janukoviç dënoi vendimin e Washingtonit për të dhënë një borxh prej 1 miliardë dollarësh qeverisë së re të Kievit, duke thënë se ligjet e SHBA ndalojnë ndihma financiare për këdo qeveri e cila vjen në pushtet nëpërmjet grushtit të shteti.

Ish-presidenti foli në lidhje me situatën në Krime duke akuzuar pikërisht qeverinë e re ukrainase se veprimet e saj ishin shkaku i kësaj krize në rajon. Ai e përfundoi fjalën e tij duke thënë se do të rikthehej në Ukrainë sapo kushtet të ishin të përshtatshme.

Ndërkohë gjatë ditës së sotme, parlamenti i Krimesë ka miratuar me 78 vota pro nga 100 të mundshme, deklaratën e pavaresisë nga Ukraiana, e cila është e nevojshme për të mbajtur referendumin e 16 marsit. Një punonjës i parlamentit të Krimesë tha për agjensinë e lajmeve RIA-Novosti se ky dokument është shumë i rëndësishëm si për referendumin ashtu edhe për bashkimin me Rusinë. Ai shtoi se pas referendumit, Krimea si një vend sovran dhe i pavarur do të kërkojë bashkimin në Rusinë.

Redaksia Online
(ak/shqiptarja.com)