120 milionë lekë për përmirësimin e pajisjeve për ruajtjen, restaurimin dhe ekspozimin në Muzeun tonë Historik Kombëtar, do të jepen nga qeveria Japoneze në emër të forcimit të  bashkëpunimit mes palëve. Komisioni për Politikën e Jashtme dhe ai për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik kanë dhënë sot dakordsinë, lidhur me ratifikimin e marrëveshjes që mundëson Shqipërisë këtë grant, me kushtin e vetëm që të zbatohet e të garantohet mirëmbajtja e pajisjeve.

Marrëveshja lidhet me Këshillin e Ministrave vendas,  ndërsa komisioni përgjegjës për këtë projektligj,  është ai i Ligjeve. Ministrisë së Kulturës, që është edhe hartuese e projektligjit të iniciuar nga pala japoneze, nuk i mbetet tjetër veçse aplikimi i plotë i fondit për pajisjet e Muzuet dhe pagesa e TVSH-së, prej 24 mln lekësh. Ndërsa kohëzgjatja e grantit shkon deri në prill të vitit 2026 dhe mund të shtyhet me pëlqimin e dy qeverive

Kryetarja e Komisionit për Edukim, Flutura Açka, i mëshoi domosdoshmërisë nga ana e Ministrisë së Kulturës për transparencë të përdorimit të këtij granti dhe të tjerëve, ndërsa debati që u rihap, në të dyja komisionet, lidhet me fasadën e Muzeut Historik, në përfundim të restaurimit me fonde të BE.

“Ne jemi dakord me projektligjin, por e mira do të ishte që të kemi një seancë tjetër dhe të hapet si diskutim çështja e fasadës, sepse kemi të bëjmë me historikun e vendit tonë”, thotë Eralda Bano, anëtare e komisionit për Edukim dhe deputete e PD-së.

Po i të njëjtit mendim për rihapjen e diskutimit për mozaikun në fasadë të Muzeut është edhe deputetja Grida Duma.

“Po të shikoni në Bukuresht statujës së Leninit i është bërë ky instalacion dhe kjo është praktika në të gjitha vendet e kampit komunist, në të cilat arkitektura e godinave ka mbetur, por simbolika, imazhi, piktura, pamja etj etj., të gjitha thuajse janë zhdukur, ose janë ribërë me një rikonceptim të ri të një bote të lirë”, thotë deputetja e PD Grida Duma gjatë diskutimit në Komisionin për Politikën e Jashtme.

“Ju ftoj patjetër që të mund ta bëjmë diskutimin në një tryezë tjetër”, thotë ndër të tjera kryetarja e komisionit për Politikën e Jashtme, Mimi Kodheli.

Në fasadë të Muzeut është mozaiku “Shqipëria” i realizuar nga 5 autorë, në të cilin paraqitet një skenë lufte, gra, burra me shpata, pushka e kazma si dhe në qendër simbolika e “Nënës Shqipëri”.