“Rasti i Jashanicës është një rast i izoluar dhe nuk ka të bëjë që UEFA do të dënojë Skënderbeun. Natyrisht që përgjegjësia është edhe e stafit mjekësor të Skënderbeut, që në vend që ta trajtonte nga rruga orale alergjinë acute, e ka trajtuar me injeksion. Personalisht, nëse do të më kishin thënë edhe çerek fjale që ajo substancë nuk lejohet, nuk do të kisha lejuar kurrsesi që Jashanica të grumbullohej për atë ndeshje. Mbrojtësi ynë është i pafajshëm, sepse nuk e ka marrë substancën në mënyrë private, por i është dhënë nga mjekët e ekipit”, është shprehur trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja.
Megjithatë, mbrojtësi kosovar Bajram Jashanica, pavarësisht se nuk është fajtor direct, mund të pezullohet nga 1 deri në 2 vjet nga UEFA për përdorim të substancave të ndaluara. Aktualisht Jashanica është operuar nga një dëmtim dhe do të mungojë për një periudhë të gjatë, por në rast dënimi nga UEFA, atëherë do t’i kushtonte shumë. Kujtojmë që Jashanica është edhe pjesën e kombëtares kosovare. Ndërkohë, Skënderbeu do të luajë takimin e javës së 23-të në shtëpi kundër Laçit ditën e diel, në orën 14.00, ku fitorja do t’u jepte mundësinë korçarëve të thellonin më shumë.
e.gj/Shqiptarja.com

VIDEO










