Sulmet e SHBA-së dhe Izraelit mbi Iran kanë paralizuar Gjirin Persik duke sjellë humbje jete, me Teheranin që është përgjigjur me raketa dhe drone, çka ka sjellë largime masive të qytetarëve.
Kjo situatë nuk mund të mos prekte edhe futbollin. Nga Irani tanimë janë larguar shumë futbollistë, mes tyre Jasir Asani dhe Regi Lushkja, dy shqiptarët që aktivizohen në këtë vend.
Dalja jashtë Iranit ka qenë një kalvar vuajtjesh për ta, ndërsa nuk ka munguar as ana njerëzore. Një rast emocionues vjen për Jasir Asanin, futbollistin e kombëtares shqiptare, i cili ka ndihmuar dhe ka marrë me vete jashtë Iranit edhe Stefan Ashkovskin, futbollisin e Maqedonisë së Veriut.
Në një bisedë për 'Sport1' në Maqedoninë e Veriut, Ashkovksi tregon se po të mos ishte për Asanin ai nuk do ia kishte dalë mbanë, pasi kishte tre ditë i uritur dhe bombat fluturonin mbi kokën e tij.
Jasir Asani tregon se Esteghlal FC kishte vendosur tre shoferë për futbollistët e huaj që t'i largonin drejt kufirit turk.
"Klubi na ka vendosur në dispozicion tre shoferë që janë me ne 24 orë të ditës", tha Asani.
Stefan Ashkovski tregon se udhëtuan për 15 orë drejt kufirit turk.
"Udhëtova për 15 orë, pastaj nga kufiri me aeroplan për në Stamboll. Ishte një telash të kaloja nëpër Iran, Jasiri më ndihmoi, ai kishte shoferin e tij, unë ia dola mbanë me të. Sa herë që luajmë jashtë fushe, akomodohemi në Teheran", tha ai duke treguar se ishte në mesin e bombardimeve.
"Kishte sulme kudo, madje edhe afër meje, sapo kishin filluar. Nuk kisha ngrënë dhe pirë për tre ditë. Kërkoja vetëm të largohesha nga vendi, pasi udhëheqësi i tyre (ajatollahu) u vra, asgjë nuk funksionoi, gjithçka u mbyll. Ishte shumë e vështirë, por gjithçka përfundoi mirë. Tani mezi pres të shkoj në shtëpi për të fjetur, për të pushuar pak", tregoi ai.
Futbollisti i Mes Rafsanjan tregoi se nuk do ia kishte dalë pa Asanin.
"Kur ndodhi kjo, mbeta vetëm, nëse nuk do të ishte për Jasirin... Kishte edhe të huaj, por askush nuk më ndihmoi, isha ulur në rrugë, të huajt nga Persepoli po kalonin me autobus, i pyeta nëse mund të shkoja me ta, më thanë se nuk mundesha. Kjo do të jetë një përvojë e fortë për mua në të ardhmen", vijoi ai.
Sulmuesi i majtë tha fjalët më të mira për popullin e Iranit.
"Irani është një vend i bukur dhe njerëzit kanë të drejtë, këtu krijohet një përshtypje e gabuar, është ndryshe kur shkon atje dhe e sheh e ndjen se si është. Jo gjithçka është ashtu siç thonë njerëzit. Nuk më dukej sikur diçka e tillë mund të ndodhte. Është shumë e vështirë, por tani jam i lumtur që po udhëtoj për në Shkup", tha ai.
Si Jasir Asani dhe Stefan Ashkovski tanimë janë në Shkup dhe po qëndrojnë pranë familjeve të tyre pas tre ditëve shumë të vështira dhe largimit nga lufta.
Komente






