Jasir Asani është rikthyer me gol në Korenë e Jugut, gjë që nuk ndodhte prej dy muajsh. Sulmuesi i Kombëtares shënoi golin e katërt sezonal në kampionatin korean, duke vulosur barazimin 1-1 për Gwangju në transfertën ndaj Daegu.

Asani realizoi në minutën e 44-t nga pika e bardhë e penalltisë, duke treguar saktësi dhe kthjelltësi në një ndeshje të tensionuar. Me këtë gol, 30-vjeçari i jep vetes një motivim të fortë në prag të sfidës së rëndësishme të 7 qershorit kundër Serbisë, në kuadër të kualifikueseve të Kupës së Botës 2026.

Ky ishte goli i katërt në 15 ndeshje për Asanin me fanellën e Gwangju këtë sezon, duke u konfirmuar si një nga elementët më të rëndësishëm të repartit sulmues të skuadrës.

Asani pritet të jetë titullar në përballjen kundër Serbisë, ndërsa kjo sfidë vlen shumë për ecurinë e kuqezinjve në grupin K kualifikues. Forma e mirë dhe rikthimi te goli vijnë në momentin ideal për sulmuesin shqiptar, që synon të bëjë diferencën edhe në arenën ndërkombëtare.