Java Europiane/ Soreca: Prekëse, shqiptarët ndjenjë jashtëzakonisht pozitive ndaj BE-së

Ambasadori i Bashkimit Evropian, Luigi Soreca, prezantoi nga mjediset e reja të Shtëpisë së Evropës programin e Javës së Evropës 2019, në prani të Ministrit në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj, Ambasadorëve të shteteve anëtare të BE-së, përfaqësuesve të organizatave të shoqërisë civile dhe gazetarëve.

Nga data 6 deri më 11 maj, në 11 qytete të Shqipërisë, nga Veriu në Jug, do të zhvillohet një gamë e gjerë veprimtarish, me fokus te fuqizimi i të rinjve. Slogani i këtij viti: "Fuqia e Rinisë!" i inkurajon të rinjtë të përfshihen në diskutimet mbi të ardhmen e Shqipërisë dhe në procesin e integrimit në BE.

"Nuk mund ta fsheh lumturinë time për hapjen e Javës së Evropës 2019 sot, këtu në mjediset tona të reja. Komunikimi rreth BE-së nuk është proces i njëanshëm, nga BE-ja tek shqiptarët. Ai është një dialog mes të barabartëve dhe ne jemi këtu për të dëgjuar. Shtëpia e Evropës është hapësira e Delegacionit të BE-së, e Shteteve tona Anëtare, por para së gjithash, dëshiroj që ajo të bëhet shtëpia e të gjithë qytetarëve shqiptarë. Për të përgatitur Javën e Evropës 2019, Delegacioni i BE-së është angazhuar me shkollat, universitetet, organizatat e rinisë dhe fëmijëve për të krijuar hapësirat e dialogut. Shpesh thuhet se të rinjtë nuk janë të interesuar. Kjo nuk është ajo çka kam parë që kur kam mbërritur në Shqipëri. Çdo ditë unë takoj të rinj shqiptarë të cilët janë aktivë, shumë të përkushtuar dhe plot me iniciativa. Java e Evropës 2019 do t'u japë meritat të rinjve që dalin vullnetarë dhe janë të përkushtuar për të ndihmuar komunitetin e tyre", tha Ambasadori i BE-së Lugi Soreca.

"Hapja e Javës së Evropës në Shqipëri nuk do të thotë edhe fillim i Javës së Shqipërisë Evropiane. Karakteri evropian i Shqipërisë nuk vjen prej përcaktimeve kalendarike por nga përvoja historike, përmbajtja kulturore dhe kauza politike. Java e Evropës këtë rradhë i takon muajit që do t'i sjellë Shqipërisë rekomandimin pozitiv për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Procesi i negocimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian është pothuajse edhe më i rëndësishëm se sa vetë akti i anëtarësimit: ai ofron një shtysë të re për transformim strukturor institucional dhe krijon premisa shtesë për reforma gjithëpërfshirëse socio-politike.Procesi i hapjes së negociatave për anëtarësim aktualisht gëzon mbështetjen e më shumë se 90% të shoqërisë shqiptare. Kjo mbështetje, është më e lartë se shuma e të gjitha partive politike të bëra bashkë apo e secilës prej tyre në veçanti. Prandaj, veçanërisht në këtë periudhë, sjellja e përgjegjshme politike dhe institucionale nuk është çështje e zgjedhjes personale por detyrim kombëtar për të gjithë", deklaroi Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj.

Me inaugurimin e mjediseve të reja të Shtëpisë së Evropës, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri nisi zyrtarisht Javën e Evropës 2019.

Vendndodhja e re e Shtëpisë së Evropës, në rrugën “Papa Gjon Pali II”, ofron një hapësirë publike me dhoma konferencash, hapësirë ekspozimi, kënde vizitorësh, një kafene dhe hapësirë për punë të përbashkët. Mjediset janë të pajisura plotësisht me pajisje moderne që mundësojnë organizimin e veprimtarive ndëraktive, diskutimeve, seminareve dhe veprimtarive kulturore.

Ambasadori i BE-së Luigi Soreca prezantoi gjithashtu gjetjet e sondazhit tonë të fundit mbi perceptimin e shqiptarëve për Bashkimin Evropian të realizuar gjatë nëntorit dhe dhjetorit 2018. Sondazhi konfirmoi edhe një herë dëshirën e shqiptarëve për t'u bashkuar me BE-në. 92.6% e tyre u përgjigjën se e mbështesin anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

"Ndërsa fillojmë festimin e Javës së Evropës, është prekëse të shohësh se ndjenja dominuese ndaj BE-së në Shqipëri është ende jashtëzakonisht pozitive. Çka do të thotë se 88% e qytetarëve theksojnë se kanë një opinion pozitiv për BE-në. Vetëm 4% e qytetarëve pohojnë se kanë një qëndrim negativ ndaj BE-së. Si pasojë, pothuajse 93% e shqiptarëve mbështesin anëtarësimin në BE. Këto shifra na japin një mandat shumë të fortë, por edhe një përgjegjësi të fortë kundrejt popullit shqiptar. Kjo tregon se me gjithë diskursin kundër BE-së, njerëzit gjithnjë e më shumë e kuptojnë vlerën dhe rëndësinë e projektit evropian, brenda dhe jashtë BE-së", deklaroi Ambasadori i BE-së Lugi Soreca

(Kliko këtu për të lexuar sondazhin ku mbi 90% e shqiptarëve mbështesin integrimin në BE)

/B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë